Labëri Qeriqi- Pajaziti: Babi, dhembja për TY është e pashuar, sepse më ke munguar në shumë periudha të jetës sime

Babi, shkuarja jote në amshim më ka shkaktuar një dhimbje të thellë që ka prekur çdo pjesë të qenies sime. Dhembja që ndiej për ty është e pashuar dhe e pandalshme, sepse ke munguar në shumë momente të rëndësishme të jetës time, kur kisha nevojë për mbështetje, udhëzim dhe praninë tënde. Dëshira ime për të pasur mundësinë që të kalonim së bashku tani pleqërinë, duke ndarë ato çaste të qeta dhe të bukura, ishte një shpresë që kisha ushqyer gjithmonë. Por një sëmundje e padrejtë të mori para kohe, dhe tani më ke lënë vetëm me kujtimet e dashurisë dhe mësimeve të tua të pashlyeshme.

Kjo është një dhimbje që nuk mund ta përshkruaj dot me fjalë, sepse është shumë më e thellë se çdo shprehje që mund të dalë nga goja ime. Është një ndjenjë që më shoqëron çdo ditë, çdo orë, dhe çdo minutë të jetës sime. E ndiej prani tënde gjithkund, në çdo hap që bëj, në çdo vend ku kujtimet për ty shfaqen.

Më kujtohen kohët kur ushtria jugosllave na vinte na bastiste shtëpinë dhe TI ishe në ilegalitet. Asnjëherë nuk do t’i harroj ato ditë të vështira, ato momente kur ne si fëmijë e shihnim shtëpinë plot me policë, dhe babëlokun që na qetësonte duke thënë: “Mos u frikoni, mos u frikoni, ata do ta kontrollojnë shtëpinë dhe do të shkojnë.” Dhe sa herë ata hynin dhe kontrollonin dhomën ku flinim ne, unë nuk dilja nga dhoma, asnjëherë nuk kam pasur frikë nga ta, edhe pse sytë e atyre njerëzve të poshtër ishin të zgurdulluar.

Njëra nga kujtimet që më ngjallin ngrohtësi në shpirt është kur ulur në shtrat pranë teje, vendosja kokën mbi jastëkun tënd të butë dhe të bardhë, që më jepte një ndjesi qetësie dhe mbrojtjeje. Dhe gjithashtu, më kujtohet se sa herë uleshim pranë tryezës për të ngrënë bukë, dhe unë refuzoja të ha, duke thënë: “Jo, nuk dua të hajë pa ardhur babi.” Ishte një protestë nga ana ime, por gjithmonë e mbushur me dashuri dhe shpresë.

Çdo herë që ti ishe në burg, na shkruaje letra dhe na pyesje për çdo detaj të jetës tonë. Na pyesje për shkollën, për lëndët dhe garat ku merrnim pjesë, dhe gjithmonë tregoje një interes të pa fund për mirëqenien tonë. Kur vinim të vizitonim, me motrat Antigonën, Arbanën, Rrezartën, dhe vëllanë Epirin, këndonim këngët që na kishe mësuar për atdheun, për vendin që ti e doje aq shumë. Edhe pse në disa burgje ne nuk mund të shihnim dot përmes grilave të hekurt dhe qelqit të trashë, zërin tënd e dëgjonim, dhe ndiheshim gjithmonë të sigurt pranë teje.

Porosia jote gjithmonë ishte e thjeshtë, por e plotë me dashuri dhe kujdes: “Dëgjoni nënën, bëhuni vajza të urta e punëtore.” Edhe kur nuk ishe pranë nesh, ato fjalë e këshilla i mbanim në zemrat tona, sepse ishe udhërrëfyesi ynë, ishe dritë në errësirë…

Babi, do të mbetesh gjithmonë një gjysh unik për mbesën Marigo dhe nipin Dimalin, të cilët i pagëzove vet. Ata ashtu si edhe unë, do të mbajmë në zemër kujtimet dhe mësimet që më ke dhënë.

Ti ishe një baba i dashur dhe një model i përkryer i ndershmërisë, i mençurisë dhe dashurisë së pakushtëzuar për atdheun dhe familjen. Me aftësitë e tua mendore të jashtëzakonshme dhe angazhimin e palodhur për të kontribuuar në mirëqenien e atdheut dhe të njerëzve të tu të afërt, ti krijove një ndikim të pashlyeshëm në jetën e atyre që të rrethuan. Jam thellësisht e bekuar që kisha një baba si TY, sepse mësimet që më ke dhënë, si në fushën profesionale ashtu edhe në atë personale, janë thesare që më kanë formuar si individ dhe që do të vazhdojnë të më udhëzojnë gjatë gjithë jetës. Pavarësisht se tani nuk je më fizikisht pranë nesh, je gjithmonë prezent në kujtimet dhe vlerat që na ke lënë. Lidhjet që ke krijuar dhe dashuria që ke shpërndarë janë një burim i pashtershëm fuqie dhe frymëzimi. Jetët tona kanë humbur një dritë të madhe me largimin tënd, por thesar i kujtimeve të tua do të qëndrojë gjithmonë si një udhërrëfyes dhe një burim pa fund forcash.

Kontrolloni gjithashtu

BDI: Shteti është i kapur nga Partia, kërkojmë ndërhyrje urgjente nga Komisioni Evropian

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Kryeministri e ka kapur plotësisht sistemin e drejtësisë, prokurorinë …