Gjashtë muaj pas daljes në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe zhvillimit të betejave të saj të para frontale si në Llaushë, Likoshan, Prekaz dhe në Gllogjan, ishin sinjalet e para se në Kosovë po vinte një verë e nxehtë që po paralajmëronte sfida, luftime, qëndresë por edhe gjakderdhje për lirinë e Kosovës.
Ditët e marsit, prillit por edhe majit të vitit 1998 ishin më përplot beteja dhe rezistencë anë e kënd Kosovës dhe mbi të gjitha ishin shoqëruar më një mobilizim të jashtëzakonshëm të bijve e bijave më të mira të kombit për t’u bashkuar në luftën për çlirim të cilën do ta drejtonte denjësisht UÇK-ja. Ndonëse tanimë lufta çlirimtare i kishte hapur krahët gjithandej Kosovës si në Dukagjin, Llapushë, Rahovec, Llap, Shalë e ku do tjetër shiheshin uniformat e hijshme më emblemën tri shkronjëshe UÇK. Kjo do të shihej motiv luftarak dhe optimizëm shprese që rrezatonte misioni fisnik që tashmë e kishte marrë mbi supe Ushtria Çlirimtare e Kosovës që përmes luftës ta çlironte vendin.
Njëra prej betejave të rëndësishme ka qenë edhe ajo e 18 majit të vitit 1998 tek Kodra e Flamurit në Çitak të Drenicës, fshat ky në të cilin shtrihet rruga Mitrovicë – Pejë. Mesi i majit kishte dislokuar shumë trupa serbe me makineri e mjete të fuqishme të luftës në këtë fshat por edhe kudo në aksin rrugor Mitrovicë – Pejë më theks të veçantë ku shtriheshin fshatrat e Drenicës në këtë segment rrugor. Madje nga luftimet e datës 15 maj në fshatin Çitak ka rëndë dëshmor luftëtari i lirisë, Muhamet Çitaku. Kështu që forcat gjakatare të frymëzuara për t’i zhytur duart më gjak të shqiptarëve më 18 maj ia mësyjnë sërish këtij fshati më qëllimin që ta marrin të tërin në kontroll dhe të vrasin e masakrojnë dhe terrorizojnë civilët shqiptarë.
Por në ballë dalin shqipet sypatrembur, ushtarët e UÇK-së, të cilët bashkohen shpejt si rrufeja e motit nën komandën e Abedin Rexhës – Sandokanit. Aty zhvillohet një luftë shumë e ashpër dhe në afërsi, ndonëse jo të barabartë epilogu ishte fitorja dhe kushtrimi i UÇK-së.
Pika e Flamurit nuk bie, aty valoi dhe do të valëvitet përjetësisht veç një flamur Shqipërie. Luftë e këngë po bënin trimat e Brigadës 112 që ishte ndër brigadat e para të krijuara jo vetëm në Zonën Operative të Drenicës por në gjithë Kosovën në përgjithësi.
Sandokani trim që nuk e njihte frikën si koncept jo që nuk lëvizi prapa në këtë betejë por shkon më tutje, ai hynë në kullë të Kadrisë dhe nga aty i tmerron fare forcat sllave duke e marrë hakun e shokëve të vrarë në beteja të tjera si në Prekaz, Likoshan etj.
Atë ditë as helikopterët nuk u hynin në punë forcave serbe, atyre nuk i linin vend rafalët e qindra luftëtarëve të UÇK-së që vërtetë po bënin luftë heroike dhe qëndresë titanike në mbrojtje të pozicioneve të tyre dhe popullatës.
“Granatimet ishin të forta dridheshin shtëpitë dhe shkatërroheshin nga raketat që vinin nga helikopterët. Bombardonin me helikopter e minahedhës dhe njëkohësisht i tërhiqen kufomat dhe të plagosurit e tyre që nuk ishin pak. Ketë ditë ishte sulmi i fortë nga të dy anët por ne rezistonim. Ishte mot i vranët dhe fillojw një rigë shiu. Njerëzit nëpër fshatra tjera kishin dalë kodrave për të parë se çka po ndodhte të çuditur nga lufta e furishme krismat e të cilës dëgjoheshin gjithandej krijonin përshtypjen se as edhe një i gjallë nuk kishte shpëtuar nga bombardimet e helikopterëve dhe mitrolezëve, grantë-hedhësve e autoblindave, kishin humbur shpresën. Por lufta zgjati deri në orën 16:00, ku forcat serbe u tërhoqën të turpëruara dhe me humbje të mëdha në njerëz. Numër i madh i ushtarëve serb u dërguan në ambulancën e Runikut për t’i lidhur plagët por edhe në relacione të tjera. Në mbrëmje u grumbulluam të gjithë shokët, të gjithë kishin shpëtuar, asnjë i vrarë asnjë i plagosur dhe e uronim njeri tjetrin për fitoren e dukshme por edhe shumë të rëndësishme”, citim nga ditari i luftës i komandantit skuadrës së Leqinës e më vonë komandant i Batalionit të Tretë, profesor Sadri Konjuhi.
Së trimave në luftë u buzëqesh fati dhe fitorja rreshtohet krah tyre është vërtetuar në çdo betejë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Edhe Zoti del në krahë të drejtit, duke i dhënë forcën, motivin dhe vullnetin për të vazhduar deri në triumf. Në këtë betejë kanë marrë pjesë shumë luftëtarë që më vonë në beteja të tjera kanë rënë dëshmorë në altarin e lirisë si Arben Haliti që edhe e ka bartë me vonë emrin e tij Brigada 112, pastaj, Zaim Bajrami e shumë të tjerë.
Këtë betejë e kanë fituar bashkërisht ushtarët e Çitakut, Pemishtës, Leqinës, Kastriotit, Izbicës, Kllodernicës, Shpatit, Vajnikut, Burojës dhe Ozdrimit, mbi të gjitha ishte fitore e UÇK-së.
Lufta çlirimtare e UÇK-së ka qenë dhe si e tillë mbetet e drejtë dhe pastër plotësisht dhe për këtë është unikate dhe ashtu do të mbetet në histori. Atë nuk mund ta njollos apo tjetërsoj askush, asnjë mendje krisur.
Është obligim moral, njerëzor e kombëtar që ta themi e ta shkruajmë të vërtetën objektive dhe ta dokumentojmë tërë rrjedhën e luftës heroike të UÇK-së nga fillimi i saj e deri më 12 qershor të vitit 1999 kur kjo forcë heroike më ndihmën edhe të NATO-s i shkëputi përgjithmonë prangat e robërisë shekullore të këtij populli që do të jetojë i lirë gjithnjë.
Por është paradoksale dhe e krejt e pakuptimtë se si për plotë 22 vite nuk është shkruar as folur publikisht për Betejën në Kodër të Flamurit. Pse është heshtur?! Kur më shumë krenari është dashur të shkruhet e të flitet! E ndoshta nuk është vetëm kjo betejë që nuk është dokumentuar. Mund të këtë por edhe e thënë më siguri ka edhe shumë të tjera kështu të pa evidentuara e pa dokumentuara.
Është për t’u vlerësuar puna e madhe që e ka bërë energjikisht përgjatë këtyre viteve redaksia e radios Kosova e Lirë për dokumentimin e mijëra monografive dhe ngjarjeve të rëndësishme të luftës shpeshherë e vetme në ballë të kësaj sfide e ndonjëherë edhe angazhimin e bashkëpunëtorëve vullnet mirë e në funksion të ndriçimit të plotë të historisë së luftës çlirimtare. Megjithëkëtë është e pamundur që vetëm një institucion apo pak atdhedashës e vullnet mirë t’ia vejnë kupolën një procesi që e do pikën e fundit.
Një popull që e lenë në harresë apo e anashkalon historinë e lavdishme të tij, e pret një e ardhme e errtë dhe e zymtë. Prandaj duke filluar nga ish-komandantët e Zonave Operative e deri tek ushtari më i thjeshtë duhet të kthehen në kohë përmes kujtesës dhe ta shkruajnë apo t’i tregojnë ngjarjet e rëndësishme e të lavdishme të luftës.
Më mirë vonë se kurrë thotë populli. Ndonëse atëherë kam qenë rreth 14 vjeç por shumë mirë e mbajë mend atë ditë dhe i kam fiksim ende krismat e shumta, rrjedhës e ditës në pak përtej nga vija e frontit ndonëse vijë ajrore ka qenë shumë afër por edhe kushtrimin e asaj mbrëmje që kumtoi fitoren e saj beteje nga UÇK-ja.