Edhe 26 vjet pas themelimit, Radio Kosova e Lirë vazhdon të jetë një simbol i qëndrueshmërisë, profesionalizmit dhe atdhedashurisë. E krijuar në një kohë kur Kosova kishte nevojë për një zë të fuqishëm që t’i tregonte botës të vërtetën e saj, kjo radio u bë mjeti më i besueshëm i informimit për qytetarët e Kosovës gjatë luftës çlirimtare. Në kohë lufte, Radio Kosova e Lirë nuk ishte thjesht një burim informacioni, por një frymëzim dhe një kanal i fuqishëm për të përhapur mesazhe të rezistencës dhe shpresës. Përmes valëve të saj, ajo shërbeu si një dritare për të përcjellë sakrificat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vuajtjet e popullit të shtypur dhe përpjekjet për liri. Profesionalizmi dhe përkushtimi i kësaj radio bënë të mundur që e vërteta e Kosovës të depërtonte përtej kufijve dhe të dëgjohej në arenën ndërkombëtare. Pas përfundimit të luftës, Radio Kosova e Lirë vazhdoi misionin e saj si një medium atdhedashës në paqe. Ajo u angazhua për të promovuar kulturën, historinë dhe vlerat kombëtare, duke u bërë një platformë e hapur për informim të drejtë, të pavarur dhe me integritet. Përmes programeve të saj, ajo ka ndihmuar në edukimin e brezave të rinj me dashuri për vendin dhe respekt për sakrificat e së kaluarës. Në këtë përvjetor të rëndësishëm, e falënderojmë Radio Kosova e Lirë për rolin e saj të pazëvendësueshëm në shërbim të kombit dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj vlerave të lirisë. Gjithashtu i urojmë shëndet drejtorit, profesor Ahmet Qeriqit. Urime 26-vjetori i themelimit, Radio Kosova e Lirë! Zëri yt mbetet gjithmonë simbol i lirisë dhe krenarisë kombëtare. Edhe për mua personalisht ka qenë nder që për rreth pesë vite të isha pjesë e këtij mediumi më vlerë kombëtare.
Kontrolloni gjithashtu
Shkrime, komente, vlerësime, qasje, urime të përzemërta të dashamirëve e përkrahësve të Radios-Kosova e Lirë, në 26-vjetorin e saj
Ragip Gjoshi: Sikur sot kujtoi 4 janarin e para 26 vitesh në orët e pasditës …