Labinot Dervishaj

Labinot Dervishaj: I trishtuar thellësisht nga lajmi për ndarjen nga jeta të drejtorit të Radios Kosova e Lirë, profesor Ahmet Qeriqi

LAMTUMIRË PROFESORI AHMET!

I trishtuar thellësisht nga lajmi për ndarjen nga jeta të drejtorit të Radios Kosova e Lirë, profesor Ahmet Qeriqi. Nuk kam fjalë për të përshkruar dhimbjen që ndjeva në këtë mëngjes të 7 marsit për këtë atdhetar të palodhur dhe profesor të urtë, i cili e kaloi gjithë jetën përballë sfidave dhe në shërbim të çështjes kombëtare.

Vetëm me punën e tij në radion Kosova e Lirë dhe projektin Feniksët e Lirisë – Dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai ka lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme, duke punuar i vetëm, pa mbështetje institucionale, madje as morale. Megjithatë, asnjëherë nuk u dorëzua, duke qëndruar gjithmonë vertikalisht në rrugëtimin e tij atdhetar.

Nuk do ta harroj kurrë vitin 2017, kur, pas diplomimit dhe studimeve postdiplomike, u gjenda në një moment dëshpërimi, pasi qarqet politike dhe klanore në Skenderaj nuk më hapnin asnjë derë për punësim, vetëm pse nuk isha servil i tyre. Pikërisht në atë kohë, profesori Ahmet më dha mundësinë të angazhohesha në radion Kosova e Lirë.

Prandaj, për jetë e mot do t’i jem mirënjohës, jo vetëm për këtë gjest të madh, por edhe për këshillat e vyera, udhëzimet profesionale dhe fisnikërinë e tij të jashtëzakonshme. Ai ishte dhe do të mbetet një figurë e ndritur e kombit, një njeri i fjalës dhe veprës.

Sot, për çdo fjalë që shkruaj për këtë burrë të madh, më dhemb shpirti. Profesor, i lehtë të qoftë dheu i Kosovës! Ashtu siç thoshte Fishta në Lahutë, gur i ashpër mbi varr e lëndina e dheu i butë!

Toka e Krojmirit që aq shumë e deshte sot po t’u bëhet shtrat, por ti do të jesh përherë i gjall.

Ngushëllime të sinqerta familjes Qeriqi dhe gjithë atyre që e njohën dhe e çmuan punën dhe kontributin e tij të pashoq.

Kontrolloni gjithashtu

BE-ja dhe Holanda kërkojnë përkushtim të Kosovës në dialog dhe sundim të ligjit

Shefi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka theksuar se Kosova duhet të angazhohet …