Nuk paska gjë më të vështirë së sa të shkruash për një familjar që e ke humbur nga pakujdesia, indiferenca, neglizhenca dhe papërgjegjësia totale e institucioneve shëndetësore. Nuk paska gjë më zhgënjyese, më dëshpëruese së sa të shkruash me fakte dhe përjetim të rëndë emocional anën e errët të asaj që po ndodh në spitalet tona dhe atë anën tjetër të medaljes që Ministria e Shëndetësisë me shumë krenari po e quan “menaxhim të mirë të pandemisë” e që në fakt është një keq-menaxhim i pashembullt, i paimagjinueshëm në mendimet ruminative që mund t’i prodhojë truri i një njeriu.
Me datën 15 Gusht 2020, rreth orës 06:00 të mëngjesit në Emergjencën e Spitalit të Mitrovicës e kemi dërguar familjaren tonë në gjendje të vështirësuar shëndetësore me veturën familjare dhe nga aty pas një kontrolle fluturimthi është transferuar për në Spitalin e Vushtrrisë si e dyshuar për COVID-19 pa i bërë ndonjë ekzaminim paraprak por vetëm hipotetik. Duke e zbritur nga autoambulanca shoferi i këtij mjeti është treguar i pakujdesshëm dhe e ka thyer krevat-karrocën në të cilën pacientja ka qenë e shtrirë duke i shkaktuar asaj stres e frikë por sigurisht edhe dhimbje që po të mos ishte aty familjari ynë prezent ndoshta do të vdiste po aty në oborrin e spitalit. E gjithë kjo ngjarje është zhvilluar në sy të katër apo pesë infermierëve që kanë qëndruar fare të qetë dhe shumë indiferent karshi kësaj ngjarje traumatike.
Po atë ditë rreth orës 11:00 në Spitalin e Vushtrrisë i janë marrë mostrat nga IKSHPK për testim për virusin COVID-19 dhe është thënë se brenda 48 orëve do të konfirmohet rezultati gjë që nuk ka ndodhur as pas 100 orëve. Vetëm kur ka vdekur pacientja i është konfirmuar mjekëve kujdestar nga një bisedë telefonike mes tyre se pacientja ka qenë “pozitive”.
Por enigmat, paradokset dhe dritëhijet në gjithë këtë proces kanë filluar qysh në ditën e parë ku është shtrirë në spitalin e Vushtrrisë të shndërruar në “COVID Spital” dhe pas mesnatës së datës 16 Gusht pacientes i është vështirësuar frymëmarrja, në atë moment kemi kërkuar intervenimin e mjekëve të cilët ka ardhur një anesteolog (emër i njohur) dhe mjeku i intenzivës (emër i njohur) dhe disa teknik/e të tjerë dhe derisa pacientja ka pasur dhimbje të jashtëzakonshme ata kanë zhvilluar një debat aspak etik dhe aspak profesional me njëri tjetrin në prani të ne familjarëve por edhe në prani të vetë pacientes tashmë të ndjerë: “po e transferojmë për Prishtinë”, “jo po lëmë këtu”, “jo s’ka vend këtu”, “jo s’po na hapin telefonin ata në Prishtinë”, “um ka thanë X mjeku se një respirator që e kemi të lirë po e ruajmë për nënën e X kolegut…”, biseda e tyre ka zgjatur përreth një orë pa intervenuar asgjë tek pacientja.
Pastaj me kërkesë urgjente të ne familjarëve për të intervenuar e kanë vendosur në një respiratorë mobil të cilën kanë thënë se e kanë marr nga emergjenca e këtij spitali dhe e kanë vendosur në gjendje kome dhe të intibuar. Të nesërmen mjeku kujdestar pasues i ndërrimit të ri (emër i njohur) është sjell indiferent ndaj pacientes dhe me përtesë e ka trajtuar madje, madje as rëntgenin e mushkërive nuk ia kanë bërë deri në mbrëmje derisa kemi kërkuar ne familjarët që t’i bëhet rëntgenin. Fiksim mbesin fjalët e këtij “profesionisti shëndetësor” që i përsëriste fjalët e kolegëve të ndërrimit paraprak: “kjo e ka krye”, “kjo nuk del nga respiratori e gjallë” e të tjera fjalë të rënda që tregojnë për distancën e largët të etikës profesionale me disa nga mantel-bardhët tanë nga të cilët i kemi sytë e gjithë populli.
Deri me datën 17 gusht 2020 pacientja ka vazhduar të qëndrojë po në atë dhomë ku është shtrirë ditën e parë që nuk ka qenë e repartit intensiv vendosja e respiratorit ka qenë në mënyrë amatore dhe të dhunshme për shëndetin e pacientes sa që gjuha i është nxjerr jashtë dhe pas vizitës së ndërrimit të para ditës bashkë me mjeke të moshës së mesme është vendosur ta dërgojnë në repartin intenziv në një respiratorë tjetër, po atë ditë i është vendosur edhe një terapi shtesë të cilën e kemi blerë dhe ua kemi dërguar bashkë me një dyshek antidekubitues të cilat asnjëra nga këto nuk i janë vendosur për rreth 24 orë dhe kanë qëndruar në dhomën ku ka qenë e shtrirë pacientja për disa orë të tëra. Dhe pas reagimit tonë i është vendosur dysheku në fjalë.
Me gjithë këtë indiferencë dhe papërgjegjësi totale pacientja në gjendje të intubuar parametrat vital i ka pasur në vlerat normale sikurse në foton e mëposhtme madje këto vlera po thuajse i ka pasur stabile tërë ditën e datës 18 gusht dhe rreth orës 21:30 kam qenë i pranishëm në spital kam biseduar me mjekun kujdestar të repartit intenziv, (emër i njohur) i cili ka thënë se gjendja e pacientes është stabile dhe parametrat i ka super. Por gjatë kësaj dite është vënë re se pacientja nuk ka qenë duke marrë terapi prej disa orëve por edhe tensioni arterial nuk i është matur prej mesit të ditës dhe në orën 22:05 sipas raportit të tyre familjarja e jonë ka ndërruar jetë.
Edhe pas kësaj ka vazhduar papërgjegjësia institucionale të cilët i kanë lajmëruar të gjitha institucionet për rastin e vdekjes por jo edhe ne familjarëve ndonëse numrat e telefonit i kanë pasur të qartë dhe mirë të shkruar. Sidoqoftë paqartësia paradoksale është se ne si familje nuk kemi asnjë dokument zyrtar që e ndjera ka pasur virusin COVID-19 dhe për fat të keq është keqtrajtuar mizorisht, padrejtësisht në Spitalin e Vushtrrisë prandaj ne si familje me vendosmërinë më të madhe do të kërkojmë hedhjen në dritë të çdo detaji të këtij procesi enigmatik i cili për fat të keq për epilog pati vdekjen misterioze të familjares sonë.
Ne do të kërkojmë drejtësi prandaj e kemi bërë publike dhe virale sepse pikëllimin tonë e ka shtuar edhe një telefonatë nga Spitali i Vushtrrisë , ku na telefonojnë dhe pyesin si e ka gjendjen pacientja dhe krejt kjo ka ndodhur disa orë pasi familjaren tonë të ndjerë e kemi varrosur. Kjo papërgjegjësi dhe mos koordinim institucional ngjallë shumë dyshime për vdekjen e saj.
Për të hedhur pak dritën në gjithë këtë vdekje misterioze e cila është vetëm një nga shumë rastet e rreth 500 qytetarëve të Kosovës të vdekur deri me tani që nga fillimi i pandemisë, unë shoqëruesi pacientes tashmë të ndjerë për katër ditë në Spitalin e Vushtrrisë e kam bërë testin për COVID-19 në të cilin kam rezultuar pozitiv unë dhe babi im (djali i pacientes) i cili është më diabet, më tension, me ulcerë diabetike në këmbë por për çudi asnjeri nga ne nuk kemi simptoma as indikacione klinike të këtij virusi të mallkuar apo ndonjë shqetësim tjetër që do të mund të ndërlidhet më këtë virus. Gjithashtu deklarojë më përgjegjësi të lartë morale dhe njerëzore se e kam parë ferrin me sy, më atë që është duke u ndodhur pacientëve që më mirë është të vdesin në shtëpi se sa të shkojnë atë vend që me se paku meriton të quhet spital.
Prandaj këtu ka diçka që nuk shkon, është një kafshatë që nuk kapërdihet dot. Krimin indiferencën, papërgjegjësinë, neglizhencën, mos profesionalizmin jo etikën mjekësore që për epilog pati vdekjen e familjares tonë po tentojnë të na karantinojnë edhe gojën në heshtje varri duke në dhënë rezultatin pozitiv për dy nga tre të testuarit në shtëpinë tonë. Si është e mundur të mos vërehet asnjë indikacion, asnjë simptomë dhe të konkludohet se je pozitiv?! Këtu lindin tash shumë hipoteza, shumë pyetje kërkimore.
Por nuk mbyllet një gojë që mirë artikulon të vërtetën, nuk shuhet një zë kumbues që thërret për të vërtetën dhe e tregon qartë së në spitalet tona jeta e njerëzve të rendomë më nuk është prioritet. Dikush duhet të bëhet kurban i të vërtetës objektive prandaj pse të mos behëm unë duke e treguar se protokollet ndërkombëtare mjekësore nuk janë duke u aplikuar askund në spitalet kosovare.
Spitalet tona janë shndërruar në kasaphane ku jeta e të moshuarve nuk ka aspak vlerë, përveç nëse je i afërt i ndonjë politikani apo zyrtari të lartë përndryshe je i mbaruar dhe i vdekur më të hyrë aty!
Më këtë shkrim në asnjë mënyrë nuk dua të mohojë së nuk ka koronavirus sepse ai është i pranishëm por nuk ka teori që mund të më bind së çdo njëri që ka vdekur në Kosovë nga 13 marsi e këtej ka vdekur nga virusi korona! Kjo është e pamundur dhe logjikisht papranueshme. Ashtu siç është pakuptimtë cilësimi si “pozitiv” me COVID-19 tash i disa prej të gjallëve pas asnjë simptomë apo indikacion klinik si tentim bindje me diçka që kurrë nuk mund të bindet njeriu. Dalëngadalë po bindemi se vdekjet dhe numrat e të infektuarve nga ky virus më shumë janë për qëllime politike se sa të vërteta.
Si do që të jetë në gjithë këtë siluetë paqartësish apelojë për respektim të sugjerimeve profesionale, për kujdes ndaj familjarëve sidomos atyre më probleme të tjera shoqëruese. Të mos krijohet ankth e stres, të jemi shpresëdhënës për ditë më të mira për atdheun tonë.