Labinot Konushtevci: Kultura e komunikimit

Të lexosh komentet, debatet dhe komunikimet virtuale në rrjetet sociale, veçanërisht në rrjetin social të Facebook-ut është për të ardhur keq për nivelin dhe qasjen e komunikimit që bëjnë disa njerëz. Njerëz që s’i lë dogma ta kuptojnë pluralitetin e mendimeve, qëndrimeve e besimeve. Pa asnjë respekt për mendimin ndryshe!


Problemi në debatet dhe komunikimet e sotshme qëndron pikërisht kur qëndrimet dhe mendimet dogmatike që thirren si “absolute”, bëhen pjesë referuese e argumentuese të debateve dhe kështu dekonstruktojnë një debat apo komunikim normal e plural duke mos lejuar mendimin dhe argumentimin ndryshe.


Dyshoj në hipokrizinë e atyre që komentojnë vetëm për ta mbështetur një kauzë vend e pa vend dhe vetëm për t’i treguar ”aftësitë polemizuese” dhe jo për ta sqaruar një realitet shoqëror e kulturor.


Njerëz që s’e kuptojnë kontekstin social ku jetojnë, që s’mendojnë kurrë me kokën e tyre por vetëm me kokën e të tjerëve, të frustruar, të vetizoluar, pa asnjë analizë të tyre dhe me një mentalitet thuase jetojnë në një kohë, vend dhe situatë tjetër nga ajo që jetojnë realisht. Gjithnjë me një prirje për t’i gjykuar dhe kritikuar të tjerët e më së paku veten!


 


Sipas Habermasit, një teoricien postmodernist i komunikimit, gjuha bartë një potencial për të artikuluar të vërteta universale (por jo ndoshta edhe absolute), të cilat vlejnë për shumicën e kulturave. Nevoja për të komunikuar është pjesë e strukturës njerëzore dhe madje sipas këtij autori, horrori i shek.XX ka ndodhur pikërisht për shkak të mungesës së komunikimit. Madje edhe në jetën sociale mungesa e komunikimit apo dialogut na shpie drejt konflikteve. Tek ky autor i hasim dy koncepte: arsyeja komunikative dhe veprimi komunikativ.


 


      Habermasi ka dy vepra: ”Teoria e veprimit komunikativ”, ku i përmend dy forma të degradimit të komunikimit e që janë:


 


      1. Manipulimi


 


      2. Komunikimi sistematikisht i deformuar


 


      1. Forma e manipulimit sipas tij interpretohet dhe kuptohet kur dikush qëllimisht e mashtron tjetrin. Pra në këtë rast manipulimi është një fenomen ku bashkëbiseduesi e fsheh qëllimin e vërtetë të tij përmes gjuhës e komunikimit. Kështu e gjithë sfera publike sipas Habermasit sot është një sferë që i nënshtrohet manipulimit dhe këtë mund ta shohim dhe vërejmë tek ajo që na ofrohet në medie; në mënyrën se si na ekspozohen politikanët, klerikët, intelektualët etj.


 


      2. Tek komunikimi sistematikisht i deformuar kemi të bëjmë kur të dy palët bashkëbiseduese e komunikuese mashtrohen. Faktikisht vetmashtrohen dhe ky vetmashtrim vjen kryesisht nga ideologjia e cila sipas Marksit gjithnjë interpretohej si një shtrembërim i realitetit ose sipas një interpretimi tjetër si ”tredhje intelektuale”.


 


      Megjithatë Habermasi besonte se në vet strukturën e gjuhës që ne e përdorim për të komunikuar është e ndërtuar dëshira dhe nevoja për t’u kuptuar mirë e drejtë. Sipas Habermasit ne mund ta kompromitojmë e kontaminojmë argumentin duke i bërë thirrje emocioneve.


 


      Edhe unë mendoj se duhet të kemi kujdes nga format e degradimit të komunikimit dhe t’i shmangemi gjykimeve e komunikimeve emocionale dhe mos ta luajmë gjithnjë rolin e një ”agjendi subjektiv moral e vleror” sepse duhet ta kuptojmë edhe pluralitetin e mendimeve dhe botëkuptimeve, pastaj edhe realitetet e ndryshme relative.


 


      Të mos vetshpallemi si ”bartës të mendimeve absolute”, por kur ne të duam të shprehim ndonjë qëndrim të bazuar në ide, besim a fakt social, të përpjekemi paraprakisht t’ia gjejmë origjinën dhe të dimë në interes të kujt është ajo gjë e pastaj ta artikulojmë me argumente brenda një modeli të komunikimit standard e etik e jo të jemi ”tabulla rasa” në komunikim.


 


      Unë përpiqem në komunikime, por edhe në shkrimet, analizat apo temat që zakonisht i trajtoj në dimensionin sociologjik, të jem sa më konstruktiv, argumentues dhe racional, por nuk e përjashtoj edhe mendimin ndryshe sepse jo çdo mendim ndryshe është domosdoshmërisht edhe i kundërt e mohues. 


 


      Edhe pse tërhiqem nga disa shkrime apo qëndrime të mëhershme të mia të publikuara qoftë në llogarinë time apo në portale elektronike sepse tani mendoj pak më ndryshe nga ç’kam menduar dikur në disa çështje për shkak të zhvillimit të botëkuptimit tim sociologjik, megjithatë, qëndroj me përgjegjësi dhe gatishmëri për t’i mbrojtur shumicën e qëndrimeve apo shkrimeve të mia të publikuara, gjithnjë duke pranuar edhe mendimin e argumentuar ndryshe dhe jam i hapur për debat.


 


      Edhe pse ndryshe nga konceptet progresive iluministe të arsyes dhe komunikimit të Habermasit, De Rrida, një filozof postrukturalist dhe dekonstruktues, përpiqej të çmontonte të gjitha diskurset e komunikimeve dhe thoshte se komunikimi është i pamundshëm, gjuha jonë është vetëm një lojë dhe ne vetëm shtiremi se po merremi vesh me gjuhën tonë, ndërsa realisht s’merremi vesh! Përpjekja e tij ishte që të çmontonte diskursin totalitar metafizik e metahistorik 2500 vjeçar. Pra operonte përtej llogosit. Si ashtu? Filozofia aristoteliane dhe platonike ishte një përpjekje për me ilustru që në fakt ka të vërteta absolute e metahistorike, të qëndrueshme e universale, që nuk ndryshojnë as në kohë e as në hapësirë dhe ne përmes filozofisë së tyre, duhet m’u mundu m’i gjet ato të vërteta. Kjo quhet llogocentrizëm. Pra një filozofi e cila konsideron se prapa fjalëve që ne i përdorim (edhe fjalëve komunikuese), ekzistojnë kuptime e ide të qëndrueshme dhe gjithashtu ekziston edhe origjina e fjalëve, pra llogosi, i cili i jep kuptim asaj që flasim ne.


 


      Tek religjioni llogosi është Zoti, tek Platoni është ideja, tek Kanti e Dekarti është egoja, tek strukturalizmi është struktura shoqërore etj. Këto janë qendrat dhe burimet e dijes.


 


      E De Rida thoshte se nuk ka qendër, origjinë apo llogos që i jep kuptim fjalëve, qëndrimeve e besimeve tona. Pradaj komunikimi është lojë – sipas tij!


 


      Pyes veten: A thua si do të komunikonte sot De Rida me komunikologët po të ishte gjallë?!


 


      Megjithse 2500 vjet truri jonë është formuar në traditën llogocentrike dhe ne mendojmë se ajo që ne e flasim, ka kuptim dhe edhe unë mendoj se ka kuptim pikërisht për shkak të origjinës llogocentrike. Ne vazhdojmë t’i artikulojmë, dërgojmë dhe kuptojmë mesazhet nëpërmjet komunikimit të ndërsjelltë. Ndryshe nga De Rrida, unë mendoj se ne mund të merremi vesh dhe të zhvillojmë një komunikim racional me standarde dhe kritere, megjithë pluralitetin e mendimeve dhe qasjeve me të cilat operon sot njerëzimi.

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …