Falë investimeve të Komunës së Skenderajt dy lagje të Runikut po bëhen me rrugë të reja. Lagja Sejdiu dhe Miftari të këtij fshati janë pjesë e investimeve që Komuna e Skenderajt po bën kudo në territorin e saj, me qëllim të rritjes së mirëqenies së të gjithë banorëve. Më qëllim të monitorimit të punimeve në këto dy rrugë, në Runik ka qëndruar nënkryetari i komunës së Skenderajt Fadil Nura me bashkëpunëtorë. Nënkryetari Nura me këtë rast deklaroi se komuna e Skenderajt është në fazën e fundit të asfaltimit të rrugëve të lagjeve, ndërkohë që janë duke u bërë edhe investime të rëndësishme në projektet e ujësjellësve dhe kanalizimeve, pjesë e të cilave do të jetë edhe Runiku në fushën e trajtimit të ujërave të zeza. “Nevojat e banorëve të Runikut janë dhe do të jenë prioritete të Komunës së Skenderajt, pasi përmirësimi i jetës së qytetarëve është qëllim parësor i qeverisjes lokale të Skenderajt”, tha z. Nura.
Duke qenë njëra ndër bashkësitë më të mëdha lokale të Skenderajt, në Runik Komuna e Skenderajt ka investuar edhe në të kaluarën.