Tri takimet a njohjet me At Nikolla Markun. Me priftin ortodoks elbasanas bashkëbisedojmë për historinë e kishës, për bazamentin e ndërtimin të kishës, dy metra nën nivelin e tokës, si Fan Noli në 100-vjetorin e Pavarësisë është harruar, anashkaluar nga trysnia helene, për peshkopin grek, Anastas Janullatos, për kultin e individit, për ballafaqimin Berisha – Janullatos, për aktorin Sandër Prosi, për zërin e Reshat Arbanës, etj. do të tregojë për anekdotën në lidhje me politikanët, etj. Enver S. MORINANjohja “e parë”: Gjatë një intervistë me aktorin elbasanas Demi Hyskja në korrik 2013 vëmë në pah klerikun At Nikolla Marku. Në lidhjet e aktorit me traditën e sidomos me miqtë do të flasë për personalitetet siç ka qenë kontributi i Konstandin Kristoforidhit për gjuhën shqipe, muhabetet konfidenciale me mikun At Nikolla Marku, siç e quan si pasardhës të denjë të Fan Nolit. Ishin pak ditë para ngjarjeve në Përmet. Demir Hyskja duke menduar në ndërrimin e qeverisë shpresonte se edhe qasja dhe mbështetja do të jetë më e madhe për At Nikolla Markun.
Njohja e dytë: Më tej konflikti në mes kishës “Shën Maria e Pazarit” dhe Bashkisë së Përmetit në shtator ngjalli sërish reagimin e kreut të komitetit për Mbrojtjen e Autoqefalisë, At Nikolla Marku. Kryetari i këshillit të kishës së Shën Mërisë, sërish është ndalur tek konflikti fetar në bashkinë e qytetit të Përmetit. Në atë koha është e njohur një letër e hapur që i drejtohet pikërisht patriarkut Varthollome dhe për dijeni ambasadorëve të huaj të akredituar në Shqipëri në të cilën letër ka kritikuar kryepeshkopin Anastas Janullatos duke e akuzuar se po shkel vendimin “Tomas” të vitit 1936, që njeh pavarësinë e Kishës Autoqefale Shqiptare. Dhe me shkas shkrova një opinion titullëzues diversiteti a koversiteti në mes personaliteteve “Ismail Kadare dhe At Nikolla Marku”. I pari vizitonte një Universitet privat në Prishtinë dhe merrte çmimin ndërkombëtar “Ali Podrimja”. Dhe në këtë rrjedhë ndërvarshmërie me të dytin shthureshin hapësirat e përbashkësisë mes idealistëve dhe shtetformuesve të traditës së mirë rilindëse dhe reagimit intelektual në mes mesazheve të sotme në formën e ligjërimeve “të nderuar” me çmime, qoftë edhe në përmasat ndërkombëtare, qoftë edhe në një “citim” sa për informim.
Njoha a takimi i tretë: Në fillim të tetorit së bashku me miqtë Ngadhnjim Jakupi dhe Genc Sejdiu që kishin ardhur enkas për të takuar At Nikolla Markun udhëtojmë nga Durrësi për Elbasan. E takuam pasditen e së dielës në Kishën “Shën Maria” përbrenda lagjes a kompleksit monumental të Kalasë së Elbasanit. Dhe bisedë rrjedhë në rastësinë e paparalajmëruar për bashkëbisedim të gjatë dhe pa “protokoll”. Me priftin At Nikolla Marku bashkëbisedojmë për historinë e kishës, për bazamentin e ndërtimin të kishës dy metra nën nivelin e tokës, si Fan Noli në 100-vjetorin e Pavarësisë është harruar, anashkaluar nga trysnia helene, për peshkopin grek Anastas Janullatos, për kultin e individit, për ballafaqimin Berisha-Janullatos, për aktorin Sandër Prosi, për zërin e Reshat Arbanës, etj. do të tregojë për anekdotën në lidhje me politikanët, etj. Për At Nikolla Marku “feja e shqiptarit është shqiptaria dhe pastaj ta duam Perëndinë”, “s’është feja ajo që të ndalon, por të bashkon”, “Janullatosi nuk është vetëm prift, por ai është edhe një njeri që ka sjellë dëme të mëdha në historinë e dy popujve tanë” dhe se për të artisti i madh, aktori Gulielm Radoja ta jep përshtypjen sikur jeton Petro Nini Luarasi…”
Lajm: Historiku i shkurtër i kishës “Shën Maria” në Elbasan?
At Nikolla Marku: Jemi në vitin 1394. Kisha ortodokse Shën Maria, që është epiqendra e gjithë kishave ortodokse të rrethit në Elbasan, nuk ka qenë këtu, ku jemi ne tashti, por ku është sot xhamia. Brenda murit të kalasë nuk kishte xhami. Kishte një komunitet ortodoks. Por me pushtimin e Shqipërisë nga Turqia, garnizoni ushtarak turk prishi kishën dhe ndërton një xhami. Pas shumë lutjesh e kërkesash të komunitetit ortodoks këtu në kala, 80 vjet pas ndërtimit të asaj xhamie u ndërtua kjo kishë ortodokse. Dhe për çudi Sulltani e dha lejen, por e dha lejen me një kusht që ishte edhe kusht historik. Nuk ishte përdorur vetëm në Elbasan, por në të gjithë vendet ku Turqia ka pas pushtuar qytete të ndryshme: maja më e lartë e kishës të ishte më poshtë se xhamia. Kjo nuk luajti asnjë lloj roli. Për të ruajtur akustikën e kishës dhe për të plotësuar tingujt siç e dëgjojmë zërin, nga bazamenti lart në kupolë ka dymbëdhjetë metra, u detyruam që ta ulim kishën 2 metra nga niveli i sipërfaqes së tokës dhe ta ruajmë akustikën se po ta bënim më lart do të dilte më lart se xhamia! Kisha është ndërtuar në vitin 1486, mbas pushtimit që bëri garnizoni turk kalasë së Elbasanit. Ky ikonostasi është i punuar në dru dhe një nga veprat e arkitekturës më të rëndësishme në Shqipëri. Për të ndërtuar këtë ikonostas kanë kontribuar me bizhuteri mysliman, të krishterë të cilët kishin një shkueshmëri shumë të mirë. Martoheshin dhe i bënin festat bashkërisht. Dyert e bukura të aidhimes, që quhet aidhimë, është punim në dru dhe kanë punuar për dhjetë vjet dyzet arkitekt ose artizanë më të mirë nga qyteti i Dibrës. Dhe kjo është realizuar në vitin 1870. Gjithë këto të dhëna grekët nuk i pranojnë, gjithë këto të dhëna serbet nuk i pranojnë. Nuk i pranojnë edhe shumë njerëz të tjerë dhe këto të dhëna janë në arkivin e Stambollit, në Arkivin e Shtetit! Por me ardhjen tonë këtu, me daljen në pah të vlerave edhe të kishës kombëtare shqiptare, me flamurin e Fan Nolit, ne na u deshën të rrëmonim në arkiva dhe i gjetëm këto arkiva dhe i kemi. Kemi edhe ato dy ikonat aty që kanë mbetur nga e gjithë ikonat. Është kryeengjëlli Mikel Gabriel. Janë pikturat e Onufrit.
Lajm: Të Onufrit? Në origjinal?
At Nikolla Marku: Janë në origjinal. Siç janë ato dy kanë qenë të gjitha. Edhe atje sipër kanë qenë po si ato lloj me dru, po tani janë imitime, sepse gjanë proceseve demokratike si kudo në transformimet e pushteteve gjithmonë ka humbje dhe këto humbën!
Lajm: E përmendët Nolin. Mund të na thuash diçka më tepër për Nolin në 100-vjetorin? Vërtetë është lënë anash?
At Nikolla Marku: E para e punës ne ishim të gëzuar, sepse festa e madhe e 100-vjetorit të pavarësisë u prit me gëzim nga të gjithë shqiptarët në çdo trevë. Dhe kjo ishte një dukuri që dukesh. Pjesëmarrja në qytetin e Vlorës më të vërtetë ishte shumë, shumë e frytshme. Kishte një arenë gëzimi. Por në lidhje me pavarësinë punët do të ishin organizuar një qik më mirë, më ndryshe. Dhe kush është ajo një çikë më mirë apo një çikë më ndryshe?! Pra figurat kombëtare që kanë luajtur një rol konstruktiv në formimit e shtetit shqiptar dhe një nga këto ishte Fan Noli! Si u anashkalua Fan Noli? Për mendimin tim kjo nuk është anashkaluar për harresë!? S’është më harresë kjo gjë! Kjo është ndikimi grek që nuk lejuan të flitet për Fan Nolin! Arkitekti, ligjvënësi, njeriu që i dha jetë kishës ortodokse, e personalizoj në identitetin shqiptar ishte Fan Noli. Ky njeri i cili bëri ç’ishte e mundur për pavarësimin e ëndrrës së shqiptareve për të pasur një kishë ortodokse intepedente, e t’mos përmendesh ky njeri?! Mendoj që nuk u bë gabim por nuk u respektu historia. Mendoj që jo vetëm nuk u respektua historia por që i bënë qejfin dhe dikujt tjetër, ose një grup njerëzish të caktuar që ndoshta kanë ndikuar negativisht për mosdaljen në skenë të këtyre figurave kombëtare të mëdha. Se nuk mund të mendohet kurrë formimi i shtetit shqiptar pa pjesëmarrjen e besimtarëve ortodoks, e ortodoksisë shqiptare. Martirët e kishës janë edhe martirët e kombit. Edhe ata bashkërisht po bëjnë plejadën historike të të formimit të shtetit shqiptar. Si u harruan këta njerëz?! Pra, a mundet një kryeministër, a një president apo gjithë këta akademikë e harruan Fan Nolin? Unë them që jo. Unë jam një prift i thjeshtë, nuk kam nevojë të tregoj gradat se ku jam dhe ku ndodhem. Jam një shërbëtor i Zotit, një shërbëtor i popullit. Dhe Fan Noli për mua është harruar jo për qëllim të keq, por është anashkaluar nga trysnia helene, heleniste në shtetin shqiptar, në politikën e shtetit shqiptar dhe qeverisjen e shtetit shqiptar.
Lajm: Kohë më parë kisha një shkrim në lidhje me qëndrimet e At Nikolla Markut dhe vizitën e Ismail Kadaresë në Kosovë. Dhe ishte një lloj barazimi në pamjen e parë i pakapshëm, por qëllimi im ishte qëndrimi dhe veprimi juaj kur është koha. Dhe në atë kohë i dërguat një letër Patriarkanës së Stambollit në lidhje me çështjen e Shtëpisë së Kulturës në Përmet. Do të doja drejtpërdrejt të na thoni në lidhje me rolin e intelektualit në këtë shoqëri, tek kombi shqiptar, nën petkun e klerikut, nën petkun e njeriut të thjeshtë?
At Nikolla Marku: Ne si kishë ortodokse, ne jemi “Shën Maria” këtu në Elbasan. Kemi një staf i cili ka zëdhënësin tonë që jep materiale në shtypin shqiptar dhe në televizion. Por do të dua të theksoj se mbas hedhjes në këtë shtyp, pra në këtë gazetari me qindra e qindra artikuj dhe kemi ndërgjegjësuar këtë popull nga A-ja deri në fundja e alfabetit. Pra, e kemi sqaruar këtë si janë ligjet, si është historia, si vendosen priftërinjtë, si dhe në ç’mënyrë nga ana teologjike, nga ana kanonike, nga ana juridike, si duhet formuar kisha ortodokse, etj. Ne e kemi lënë kishën ortodokse në dorën e njerëzve të huaj që na pruri politika! Pra, duke hedhur në shtyp shumë artikuj. Ne menduam që e kishim kryer atë rolin tonë dhe punën tonë të madhe. Por që të merren masa për t’u riparuar këto gjëra, këto i bën pushteti si ekzekutiv. Pra, me aprovimin e statutit, dhe me ligjshmërinë e statutit merret vetëm pushteti. Në lidhje me peshkopin Anastas, i cili jo pak herë ka prurë andralla ndërmjet shqiptarëve dhe grekëve, ai asnjëherë s’ka ndërhyrë për çështjen e emigrantëve. Ai ka nxitur kultin e individit. Ai thotë që unë prura lekët dhe ndërtova kisha, unë kam punësuar njerëz, unë kam bërë spitale. Unë, unë! Ne e dimë shumë mirë që kulti i individit është luftuar dhe nuk sjell dobi! Sjell vetëm dëm. Dhe ai e ka nxitur këtë kult individi në majat më të larta. Pra, Janullatosi, dashje pa dashje, i themi ne në shprehjen tonë, këndej që po pozicionon vetveten e tij afër fronit të Perëndisë. Pra, nuk mund të kuptohet që ne do të shkojmë tek Perëndia vetëm nëpërmjet dyerve të Athinës, nëpërmes kishës ortodokse greke, nëpërmjet kultit të individit e Janullatosit. Këto janë fatkeqësi të radhës. Këto nuk shkojnë. Dhe duke e parë në këtë kontekst, në këtë vizion të përgjithshëm, duke e parë që veprimtaria e tij nuk na solli dobi, por na solli përçarje, atëherë u detyruam që t’ia bëjmë një letër patriarkut e t’i themi që një nga nxënësit e tij që është edhe Anastasi ta këtë nën kujdes. Nuk mund ta mendoje një dhespot, pra një peshkop i një sfere të lartë nga ana kanonike dhe nga ana teologjike të organizoj njerëzit dhe priftërinjtë i vendosi në radhë, i veshi si ushtarët e të bëjë sulm kundër një institucioni të shtetit, ku atje kishte një vendim të shkallës më të lartë që ka kushtetuta. Pra, të vesh një repart me priftërinj klerikësh që janë shërbesëtarët e Perëndisë, që sulen drejt një institucioni të shtetit ku atje ka një vendim të gjykatës kushtetuese që sa kushtetues aq është edhe i shenjtë. Kjo është një paradoks i madh! Atëherë kush është ky hirësi, ku është edukuar ky njeri, kush e shtyu këtë njeri, pse pikërisht do ta marri atë?! Do ta marri se ajo ka emrin Naim Frashri. Si u sulmua shkolla Normale e Elbasanit me emrin Konstandin Kristoforidhi, në të njëjtën mënyrë e pozicion dhe akoma disa herë më shumë u sulmua institucioni, shtëpia e kulturës në Përmet me emrin Naim Frashri. Dhe po ta shikosh në këtë kontekst të parë sulmohen figura, institucione të hershme historike. Dhe kjo çfarë imazhe sjellë? Imazh negativ, për një peshkop si Janullatosi që gjoja është një erudit! Ai i dashur vëlla dhe të dashur shqiptarë, ato merita që ka lë t’i vendosi në muzeun e Athinës, e ti puthin grekët më radhë gjithandej. Ne nuk kemi pse t’i puthim lëvdatat dhe certifikatat që ka marrë ai nëpër botë! Ne kemi këtu Shqipërinë, kemi vendin tonë, kemi shenjtorët tanë, siç kemi Visarion Xhuvanin, Fan Nolin, Kristofor Kisin, njerëzit, gjigantet e Kishës Ortodokse shqiptare. Ç’punë ne kemi me Janullatosin?
(Vijon)