Më 27 shkurt 2024, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) do të lansojë raportin e ri hulumtues: Nën hije: Një analizë gjinore e punës joformale në Kosovë, nga ora 10:00 deri në 12:00 në Amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.
Analiza gjinore e RrGK ka rëndësi të theksuar për arsye se nxorri në pah statistikën e munguar në lidhje me përqindjen e përfshirjes së grave dhe burrave në ekonominë joformale, si dhe shpërfaqi përvojat e tyre brenda këtij sektori. Analiza ka rëndësi të theksuar politike pasi që do të tentojë ta mbështesë Qeverinë e Kosovës në integrimin e perspektivës gjinore në intervenimet e qeverisë lidhur me ekonominë joformale, duke ofruar rekomandime të bazuara në gjetje dhe dëshmi për përvojat e grave por edhe të burrave në këtë sektor. Analiza poashtu synon të mbështesë Bashkimin Evropian (BE) me analiza gjinore në mënyrë që të informojnë procesin e planifikimit të programeve në kuadër të Instrumentit për Para-Anëtarësim III dhe dialogun relevant politik. Kjo analizë gjinore është bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Suedia, si pjesë e Aksionit të Koalicionit për Barazi Gjinore në Procesin e Anëtarësimit në BE (EQUAPRO) “Përparimi i barazisë gjinore përmes procesit të anëtarësimit në BE”.