Në murin e objektit të Kuvendit të Kosovës sot ishte vendosur një poster me fotot e ish kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrit të parë të Shqipërisë, Ismail Qemali. Ndërkohë një person i panjohur posterin e afishuar e ka larguar nga vendi ku ishte vendosur dhe më pas e ka hedhur në koshin e plehrave. Në poster Hashim Thaçi dhe Ismail Qemali cilësoheshin si heronj të kombit shqiptar. Hashim Thaçi e kishte shpallur pavarësinë e Kosovës në vitin 2008 ndërsa Ismail Qemali e kishte shpallur pavarësinë e Shqipërisë qysh në vitin 1912. “Heronjtë e kombit, shpallësit e Pavarësisë”, shkruhej në fotografinë e vendosur në murin e Kuvendit, e cila është larguar, pasi nuk ka qenë poster zyrtar i Qeverisë, të cilën nuk e kishte menduar as dizajnuar zyra e ministrit të Kulturës. Për më tepër në këtë 15-vjetor, Ministria e Kulturës afishoi një logo të zbehtë me katrorë dhe katër ngjyra, nuk ku paraqitet asnjë element i luftës dhe qëndresës për liri, por është një kombinim statik i katrorëve që nuk rrezaton seriozitet, kujtesë historike, as rezistencë, por vetëm për një skicë nga ndonjë film vizatimor.
