Latifi: Kryeministri Kurti krijoj ndasi dhe përçarje brenda-shqiptare që ndikuan në dobësim të faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut

Rreth mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, pra të Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut  sot në Prishtinë, një opinion ka dhënë kryetari i Komunës së Rahovecit z. Smajl Latifi.

Postimi i plotë i kryetarit Latifi:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me ndërhyrjet e tij, krijoi ndasi dhe përçarje brenda-shqiptare që ndikuan në përplasje të panevojshme, dobësim të faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, në vend që të angazhohej për unitet dhe fuqizim të arritjeve të shqiptarëve dhe përparim të të drejtave të tyre. Përkujtojmë faktet se si ai i dha ndihmë të hapur fitores së zgjedhjeve nga ana e Mickovskit dhe se si drejtpërdrejtë kontribuoi që shqiptarët e rreshtuar në VLEN, t’u bëhen patericë qeverisë që i fitoi zgjedhjet në këtë shtet. Derisa shqiptarëve autoktonë po vazhdon t’u rrëmihet dheu nën këmbë nga qeveria e udhëhequr prej kryeministrit Mickovski dhe politikave të dëmshme që ai tashmë i ka vënë në zbatim, sot, bashkë me disa ministra të tij, u prit zyrtarisht dhe krahëhapur në Prishtinë nga kryeministri Kurti dhe ministrat e tij, në mbledhjen e dy qeverive dhe u nënshkruan protokolle bashkëpunimi.

Përtej kësaj, sot, në konferencën për shtyp, derisa Mickovski bëri tërheqje nga pyetja e një gazetari, duke i dhënë një përgjigje të mjegullt, një emër tjetër tendencës për ta larguar gjuhën shqipe nga përdorimi zyrtar, një e drejtë e fituar pas shumë përpjekjesh, në anën tjetër, Albin Kurti, tha se duhet të presim vendimin e gjykatës kushtetuese të Maqedonisë së Veriut.

Gjithnjë janë të rëndësishme marrëdhëniet me fqinjët mbi baza të besimit dhe interesit të ndërsjellë, por, në rastin konkret, kur arritjet e shqiptarëve dhe të drejtat e tyre në shtetin fqinj po shënojnë prapakthim dhe po kërcënohen nga politikat e qeverisë së Maqedonisë së Veriut, së paku duhet të kesh një fije të dinjitetit njerëzor, kombëtar e shtetëror, aq sa mos të thuash se duhet të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese të shtetit tjetër, kur Kurti dhe lëvizja që ai udhëheq, si në opozitë ashtu edhe tash që udhëheq me qeverinë, jo rrallë vazhdon të rrëzojë gurë mbi Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, gjykatën më të lartë të shtetit, qeverinë e të cilit e udhëheqin vetë.

Teksa në njërën anë u pa edhe sot se sa hapur shprehet njëfarë ndjenje e fortë dhe sjellje e përzemërt e kryeministrit Kurti ndaj kryeministrit Mickovski, politikat e të cilit realisht po i dobësojnë dhe dëmtojnë shqiptarët dhe të drejtat e tyre kombëtare të fituara atje, në anën tjetër, edhe pas një periudhe jo të shkurtër, po shihet një ftohje dhe mungesa të theksuara të komunikimit dhe bashkëpunimit ndërnjerëzor e institucional, e as që mund të flitet për përzemërsi me Kryeministrin Edi Rama dhe ministrat e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, edhe pse z. Kurti e ka bërë bozë, duke folur për bashkimin kombëtar.

Këto sjellje politike janë shpërfytyrim i qartë i një politike që tashmë po i çirren maskat me një shpejtësi të madhe, duke i shpërfaqur gabimet e njëpasnjëshme, me skandale politike, diplomatike dhe në qeverisje, pandalshëm dhe meritueshëm ka marrë teposhtëzën e pritshme, sepse një politikë si kjo e shpërfaqje skandaloze si këto që i pamë e po i shohim, nuk duhet t’u besohet më, veçse të kontribuojmë sa më shumë që të vazhdojë pa pasoja rënia e lirë e saj.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Rama mirëpriti në takim Kolonelin Alberto Santini

Kryetari i komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama në kuadër të aktiviteteve të rregullta ditore …