Komuna Rahovecit mbajti seancën solemne në shënim të 17 vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Me këtë rast kryetari i komunës Smajl Latifi në fjalën e tij tha se Pavarësia nuk na erdhi si dhuratë, por si rezultat i gjakut të derdhur nga dëshmorët tanë dhe i rezistencës së popullit. Lufta e UÇK-së, e mbështetur nga aleatët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht NATO-ja, e solli lirinë për të cilën kishim ëndërruar.
Thekse nga Fjala e Kryetarit Latifi në seancën solemne të Komunës së Rahovecit
I nderuar Kryesues,
I nderuar Nënkryetar,
Të nderuar familjarë të dëshmorëve, invalidë dhe veteranë të UÇK-së,
Të nderuar udhëheqës të grupeve politike në Kuvendin Komunal,
Të nderuar këshilltarë, drejtorë të drejtorive dhe ju të pranishëm,
Sot, me respekt dhe krenari, shënojmë 17-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Kjo datë nuk është thjesht një përvjetor kalendarik, por një përkujtim i një rruge të gjatë dhe të vështirë, e mbushur me sakrifica dhe përpjekje të jashtëzakonshme.
Për dekada të tëra, populli ynë ka kaluar sfida të mëdha – nga shtypja dhe represioni, deri te lufta çlirimtare dhe përpjekjet për ndërtimin e shtetit. Pavarësia nuk na erdhi si dhuratë, por si rezultat i gjakut të derdhur nga dëshmorët tanë dhe i rezistencës së popullit. Lufta e UÇK-së, e mbështetur nga aleatët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht NATO-ja, e solli lirinë për të cilën kishim ëndërruar.
Sot, kemi një shtet të njohur nga shumë vende të botës, me institucione demokratike dhe me synimin e qartë për integrim euro-atlantik. Por pavarësia duhet të mbrohet e të forcohet çdo ditë. Kosova nuk është e përfunduar – ne ende përballemi me sfida politike, ekonomike dhe të sigurisë. Serbia vazhdon të mohojë realitetin tonë, duke penguar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe duke ndikuar në destabilizimin e vendit tonë. Përballë kësaj, ne nuk kemi luksin të jemi të ndarë apo të lëkundur.
Kosova duhet të forcojë institucionet e saj, të mbrojë sovranitetin dhe të sigurojë një të ardhme më të mirë për qytetarët. Ne duhet të punojmë për zhvillimin ekonomik, për përmirësimin e jetës së qytetarëve, për drejtësi funksionale dhe për mirëqenie të barabartë për të gjithë. Vetëm në këtë mënyrë do të nderojmë sakrificën e atyre që ranë për këtë vend.
Të nderuar të pranishëm,
Sot, nuk mjafton të festojmë, duhet të reflektojmë. Pavarësia nuk ka vlerë të plotë nëse bashkëqytetarët tanë përballen me papunësi, me mungesë perspektive, me sfida sociale dhe ekonomike. Prandaj, duhet të punojmë më shumë, të bëhemi më të përgjegjshëm dhe më të përkushtuar ndaj shtetit tonë.
Sfidat mbeten të mëdha, por të bashkuar mund t’i tejkalojmë. Kosova ka nevojë për udhëheqje të mençur, për qytetarë të ndërgjegjshëm dhe për institucione që punojnë për të mirën e përbashkët. Puna me nder dhe përkushtim është nder dhe detyrë, ndaj le të mos humbasim kohë në rrugën e forcimit të shtetit tonë.
Gëzuar 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës!
Lavdi dëshmorëve dhe të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë dhe shtetin tonë!
E gëzofshim dhe e forcofshim çdo ditë shtetin tonë të lirë, të pavarur dhe demokratik – Smajl Latifi, Kryetar i komunës së Rahovecit.