Latifi:Si kryetar i Komunës jam i përkushtuar të promovoj potencialin tonë të jashtëzakonshëm turistik!

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Turizmit, kryetari i komunë së Rahovecit, z. Smajl Latifi në një postim në facebook ka potencuar se Rahoveci ofron jo vetëm bukuri natyrore dhe mikpritje tradicionale, por edhe një pasuri të pashembullt monumentesh, si Maja e Shkodranit, Kompleksi Përkujtimor në Gradish, Kompleksi Muzeor “Ukshin Hoti”, Kulla e Tonit dhe e Micit, Muzeu i Masakrës në Krushë të Madhe, Kanioni tek Ura e Fshajit dhe shumë të tjera që i japin identitet të veçantë këtij vendi.

“Ndiej krenari për pasuritë dhe për bukuritë natyrore, kulturore dhe historike që e pasurojnë Rahovecin!

Si kryetar i Komunës, jam i përkushtuar të promovoj potencialin tonë të jashtëzakonshëm turistik, nga vreshtat tona të famshme, te monumentet historike që mbajnë gjallë kujtesën e brezave.

Me mbi 2400 hektarë vreshta dhe me 19 kantina që përpunojnë rrushin, prodhojnë verë dhe raki, Rahoveci mbetet një destinacion unik për turizmin enologjik. Për adhuruesit e natyrës, kemi ndërtuar mbi 6 kilometra shtigje ecjeje, me 20 kilometra të tjera të shenjëzuara për hiking, duke ofruar përvoja të veçanta nëpër peizazhet e magjishme të komunës sonë.

Për të gjithë ju që doni ta përjetoni këtë qytet nga afër, festivale të tilla si “Anadrinia Jehon”, “AgroFesta”, dhe festivali i famshëm i rrushit “HardhFest”, janë vetëm disa nga ngjarjet që tërheqin vizitorë nga e gjithë bota dhe promovojnë trashëgiminë tonë kulturore e bujqësore.

Së bashku me investimet në bujtina dhe në Ballkonin Panoramik mbi qytet, turizmi në Rahovec dhe agroturizmi janë në rritje të vazhdueshme, duke u pasuruar me iniciativa private, si “Anës Vneshtit”, që e bëjnë këtë vend një destinacion të kompletuar për të gjithë ata që kërkojnë natyrë, kulturë dhe përvoja unike. Ju ftoj që të vini dhe të shijoni vetë gjithçka që Rahoveci ka për të ofruar”! ka shkruar në rrjetin e tij social, Facebook, Kryetari i Komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …