Lavdije Karametaj-Zalli: Zemrën hi e kam

Lavdije Karametaj-Zalli: Zemrën hi e kam

ZEMRËN HI E KAM

 

Jam këtu vetëm,

Po mendoj për ty,

Nëna ime e dashur!

Larg teje s’po mund të rri.

 

Do të doja që kokën,

Në prehrin tënd ta mbështes,

Dhe gjumi të më marrë,

Pastaj le të vdes.

 

Kaluan shumë vite,

Që larg teje jam,

Shpirti im po digjet,

Zemrën hi e kam.

 

Të lutem, të më falësh,

Që zemrën ta thava si dru,

Nuk di sa do të duroj,

Pa prekur sytë e tu.

 

Dhe lotin unë ta fshij,

Të të puth në ballë,

Nëna ime e shtrenjtë,

Malli për ty më ka marrë!

 

 

As nata sonte

Nuk është gjë për mua,

Asgjë edhe unë jam për natën.

 

Nuk di nga humba në këtë natë,

Ku u arratis shpirti im,

Di që në tokë nuk isha,

Por diku mbi re të zeza,

As ajri nuk më mbante dot,

Edhe vetë zoti më kishte braktisur.

 

Edhe vuajtja donte që unë të vuaja,

Në këtë natë të ftohtë janari,

Shaloj retë e zeza,

Në një shteg pa sy,

Andej nga ka shkuar shpirti im,

Rrugës nga udhëton Zoti te njerëzit.

 

Tregomë, o Zot!

Ku jam?

Pse këmbët më lidhe?

Sytë pse m’i verbove?

Kush më dhuroi këto vuajtje?

Për çfarë po më dënojnë kaq rëndë?

 

Këtë natë,

Kur as nata nuk është gjë për mua,

As unë nuk jam gjë për natën,

Por nata emrin tim ka.

 

 

REGJIMI I MALLIT

 

Me lot dhe gjak u njomë kjo tokë,

U dogj, u shkrumbua nga malli,

Male, fusha dhe lëndina,

Me shkretëtira më ngjajnë,

Dhe lulet në vazo vyshkur janë,

Pa lot nënash,

Digjen dhe në dritë të hënës.

 

Dhe zemrat malli i ka marrë,

U prishën rrugët, burimet shteruan,

Malli gurët në thërrimja i ndau,

Shtëpitë s’pikojnë shi vere,

Fryma s’merr më frymë

Toka gjëmon nga gjëma,

Dora e nënës i lëmon ballin,

Po s’ia heq dot mallin.

 

Nga malli dhe gjethet bien,

Çdo stinë vjeshtë është

Gjakun ujë malli e bën,

Atdheun në shkretëtirë kthen.

 

Mallin vetëm poeti e shkrin,

Si farkëtari një legurë,

Me mall ndërton male,

Kthen në shtrat detin.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …