Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 17 tetorit për kuvendet komunale. Sipas rezultateve, zyrtare, përfundimtare, njoftohet se Lidhja Demokratike ka dalë partia më e votuar në vend. Pavarësisht se një pjesë të madhe të ekekroratit, në zgjedhjet e përgjithshme e kishte ndarë Vjosa Osmani dhe ia kishte bashkuar Vetëvendosjes, elektorati i LDK-së iu ka kthyer bazës dhe në zgjedhjet vendore kjo parti doli e para. Pas LDK-së radhitet Lëvizja Vetëvendosje, e në vendin e tretë Partia Demokratike e Kosovës, me një dallim të vogël të votave me Vetëvendosjen.
Zgjedhjet e 17 tetorit kanë ndryshuar renditjen që kishin partitë politike në ato nacionale. Partia më e votuar ka dalë Lidhja Demokratike e Kosovës, me 170 mijë e 134 vota. Pas saj renditet Lëvizja Vetëvendosje me 168 mijë e 84 vota. Partia Demokratike e Kosovës është renditur e treta, me 161 mijë e 645 vota, derisa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 90 mijë e 863 vota. Ndërkaq sa iu përket kuvendeve komunale, LDK dhe PDK kanë siguruar nga 206 asamblistë në nivel vendi. LVV këtu renditet e treta, duke siguruar 194 ulëse, ndërkaq AAK 121.