leoni

Lebit Murtishi: Shqipërisë i erdhi dita të jetë Shqipëri


Çmenduria fashiste “shpërbleu” shqiptarët!


 


Se cili do të jetë çmimi i shtrëngimit të asaj dore gjakatare në Bruksel do ta thonë ditët në vijim. Në Kosovë, me buzëqeshje neveritëse, krijohen fonde për serbët, në Preshevë rrënohet kombi, Atdheu, historia…Çetnikët e Beogradit , me bekimin e Evropës, goditën në palcë, vranë edhe një herë bijtë e Shqipërisë…Sipas burimeve të pakonfirmuara, edhe Tirana zyrtare edhe Prishtina paskan kërkuar prej përfaqësueseve të ,,Kosovës Lindore” zhvendosjen e Lapidarit në oborrin e xhamisë. Përkrahje se jo mahi!!! Në oborrin e varreve! Janë shumë të fuqishëm zërat e ,,kryeministrave pa krye” kundër oponentëve të tyre; në Tiranë vriten, në Prishtinë shkelen e përgjaken opozitarët! Ndërsa në Bruksel, buzëqeshje, dolli, shtrëngim duarsh me këlyshët e Millosheviqit!..


   S`ka fjalë ngushëllimi sot, pos t`u themi vëllezërve dhe motrave të asaj Shqipërie të marrin një vendim, që do të jetë Bibël e Kuran për të gjithë shqiptarët me gjak Shqipërie. Atyre u takon fjala e fundit, atyre u takon të vendosin, neve na takon të jemi pranë tyre. Nuk u prek Presheva , s`u gjunjëzua Presheva, u prek dhe u përdhos politika e mjerë, korruptuese  dhe pa asnjë moral njerëzor; politika e pazareve e Tiranës dhe Prishtinës…Presheva do qëndrojë siç qëndroi përherë, Presheve do luftojë siç luftoi përherë;  Presheva është Pragu i Madh i Atdheut, prej ku synohet ndarja e Kosovës, copëtimi i Shqipërisë në këtë përvjetor të copëtimit të saj…Prandaj hesht e buzëqesh Evropa,Brukseli…Po jo o zotërinj , as ne nuk do vajtojmë, as ne nuk do përgjërohemi në dyert e askujt!..Jemi 10 milionë, jemi në gjithë globin, jo me fajin tonë por me fajin tuaj…Shqipëria s`ndalet më as me Konferenca as me vandalizma!..Shqipërisë i erdhi dita të jetë Shqipëri.


 20.01.13


Unioni Gjithëshqiptar,,Vëllazërimi Ynë”


Drejtues:Lebit Murtishi


Tetovë


Republika e Shqipërisë


 


 


Legjitimimi i krimit nuk mund të prodhojë paqe…


 


Formula e njohur dhe banale që u shfaq si ogurzezë nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, kur dolën në skenë me bekimin e kushedi-kujt  ,,demokratët e parë shqipfolës “, u hodh në treg edhe me rastin e krimit të kriminelëve serbë në Preshevë…U përsërit aq herë, saqë u duk sikur shqiptarët janë krijuar të viktimizohen përherë për të mbrojtur paqen e vendosur me zjarr e me hekur…Se cilën paqe duhet mbrojtur, këtë nuk e thotë askush; nuk e thotë askush se paqja nuk ekziston, paqja u vra në Preshevë, paqja është vrarë në Mitrovicë, në Shqipërinë Lindore, në Malësinë e Madhe, ku shqiptarët diskriminohen në mënyrën më barbare dhe askush nuk gjen një ,,formulë” tjetër për mbrojtjen e paqes, pos poshtërimit të tyre: ,,Ruajeni durimin”, ,,gjakftohtësinë”, ,,mos trazojmë rajonin”, dreqin e të birin etj., etj… Ndërsa shembja e disa varrezave serbe, akoma pa u zbuluar autori i tyre iu adresua shqiptarëve…


Z. Atifete, të cilës mezi i del një fjalë nga goja (edhe kur prezanton emrin mban një copë letër përpara) dje ishte shumë e zëshme kundër popullit që e ,,përfaqëson” përmes daljes nga një zarf enigmatik…


S`është kohë pesimizmi dhe demoralizimi, por kjo që po ndodh mbi kurrizin tonë kërkon një alarm kolektiv!..Ç`po ndodh me ne shqiptarët?!.. Mos vallë ajo liri e cunguar e Kosovës, (duke harruar ,,Kosovat tjera”) na ka krijuar eklips mendor?!.. Mos vallë vetëmashtrimi na prapaktheu në vitet e L.D.B.-së (Luftës së Dytë Botërore), kur ,,baballarët” e kombit i mësonin disa të mjerë t`i duartrokisnin  Duçes e Hitlerit!..Mendoj që duhet të përsërisim në çdo situatë amanetin e Abdyl Frashërit:,,NUK KA PSE TË MËRZITEMI PËR PAQEN E EUROPËS, PËRDERISA S`KEMI PAQE NË SHTËPINË TONË”…


 22.01.13


Unioni Gjithëshqiptar,,Vëllazërimi Ynë”


Drejtues: Lebit Murtishi


Tetovë


Republika e Shqipërisë


 


,,Veteranë patriotizmash”!


 


    Çdo njeriu të ndërgjegjshëm, që përcjell me sy kritik zhvillimet politike në vend dhe manovrimet donkishoteske, vetë-mashtruese,  të kësaj kaste prapakthyesish që rrezikon fatet e kombit, ndjenja e vetpërgjegjësisë ( kush e ka patur ndonjëherë nuk mund ta ketë humbur rrugës) duhej t`i ketë dhënë alarmin…Duhej të vë në lëvizje, së paku pjesën e pa-pushtetshme, pjesën e ,,pa privilegjuar” në ,,sofrat e demokracisë”…Përgjegjësia historike është pa kohë dhe pa hapësirë; armiku është armik në secilin kënd të botës ,dhe ushtari është ushtar në secilën kohë dhe moshë…Në këto raste, të mos mashtrohemi, nuk ndodh ndryshimi i karakterit, por ndodh zbulimi i karakterit, ndodh çjerrja, demaskimi i asaj mostre…Nuk mund të ketë ecur drejt, vertikalisht, madje edhe nëpër dyer burgjesh, ai që sot tërhiqet zvarrë pas potureve të pushtetit!..Natyra është e pamëshirë, të sprovon gjersa të ikësh, të vdesësh, me turp ose me nder…Në popull thuhet:,,Bora nuk e vdes natyrën, por zbulon gjurmët e bishave”!..Ndërsa gjuha e etikës secilit ,,vepër-madhi”, që harron të përkulet në baltën e Atdheut, i thotë hipokrit!..


     Atdheu ka nevojë, Atdheu edhe më tej mbetet i copëtuar, për ç`shkak dhe janë flijuar dhe do të flijohen bijtë më të devotshëm…,,Pushimi” është dezertim!..Ç`do bëhej ,për shembull, me ushtarin partizan poqe se hidhte armët nga dora përpara se të përfundojë lufta!..Ç`do bëhej me ushtarin e UÇK-së poqe se ,,lodhej” gjer digjej Kosova!..Edhe në rastin e parë edhe në rastin e dytë dënohej me vdekje, me plumb…


     Keni parë e keni dëgjuar të dashur lexues!..Keni parë e keni dëgjuar e më mirë të mos kishit parë e të mos kishit dëgjuar, tek ,,rrëfehen veteranët” kafeneve e konaqeve për ,,bëmat e jashtëzakonshme” nën vitet e robërisë!..Për ata me ndërgjegje të perënduara gjithçka duket e perënduar, ose së paku është dëshirë…


 


21.01.13


L. Murtishi


  


 


Letër miqësore qeverisë së Republikës Turke


 


Miq të nderuar!


 


Me të drejtë na quani edhe vëllezër në takimet tuaja me ,,udhëheqësit” e institucioneve përkatëse, si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë…Na gëzon afria juaj, na gëzon gjithashtu dhe kurrë nuk do ta harrojmë ndihmën tuaj në çlirimin e Kosovës!..Kemi jetuar pesë shekuj bashkë, por me raporte jo aq miqësore siç pretendoni ju, aq më pak vëllazërore. Megjithatë, sot jemi vëllezër, dhe dëshira e popullit shqiptar për të qenë vëlla me të gjithë popujt e botës është shumë e lashtë. Ndërsa kohëve moderne, si simbol planetar të paqes dhe vëllazërimit, ne populli juaj vëlla, ia falëm Gonxhe Bojaxhiun-Nënë Terezën…Por për të qenë vërtet miq dhe vëllezër, dhe për hir të kësaj ndjenje të dyanshme, duhet të plotësoni reciprokisht detyrat ndaj shqiptarëve që janë në Turqi. Disa mijëra qytetarë të pakicës turke në Kosovë kanë të drejta të barabarta me dy milion shqiptarë. Nga ana tjetër, disa milionë shqiptarë, që kurrë nuk i lejuat të deklarohen për identitetin e tyre, trajtohen si raja, si argatë stinorë që kanë ardhur të vdesin tek ju, pavarësisht se janë qindra vjet mes rrugës së tyre të ikjes nga Atdheu dhe ardhjes tek ju…Kërkojmë miqësisht dhe vëllazërisht të pranoni identitetin kombëtar të shqiptarëve, të lejoni regjistrimin e tyre, dhe të lejoni urgjentisht hapjen e shkollave shqipe!..Vetëm mbi këto themele mund të ngrihen urat e vëllazërimit. Në të kundërtën, duhet të llogaritni mirë ,se Shqipëria dhe të gjitha viset shqiptare në Ballkan, as kanë qenë dhe as do të jenë prona të z. Berisha dhe ndonjë tjetri si ai, që mund t`i shesë e mund t`i blejë në pazare të huaja…


Me shumë respekt presim përgjigjen tuaj!


 


20.01.13


Unioni Gjithëshqiptar,,Vëllazërimi Ynë”


Drejtues: Lebit Murtishi


Tetovë


Republika e Shqipërisë


 


 


Disiplina , nëna e sukseseve!..


 


   


  Disiplina , kjo vlerë e mbivlerësuese shumë-kulturore  dhe shoqëruese e pazëvendësueshme e të gjitha arritjeve dhe sukseseve të historisë njerëzore, duke mos përjashtuar për asnjë çast ndikimet e faktorëve objektiv dhe subjektiv, në vetëdijen e shumicës shqiptare është ,,absorbuar” mekanikisht, pa forcën e mjaftueshme të ndjenjës së përgjegjësisë njerëzore dhe qytetare. Mungesa e përgjegjësisë, mungesa e llogaridhënies , si ndaj vetes dhe kolektivit, (dhe anasjelltas detyrimisht) i hap rrugë të pashmangshme anarkisë dhe kaosit. Dhe ky kaos, kjo anarki, këto  dështime dhe rënie-ngritje historike, pa dyshim, që emërues të përbashkët kanë faktorin : disiplinë. Nëse nuk ndryshojmë mënyrën e qasjes ndaj problemeve kruciale, nëse nuk ,,harrojmë” se çështja kombëtare nuk ndan ,,pensione” dhe as mirënjohje ( siç ndodh në këto kohë) për njerëzit që ( dezertojnë) lodhen në gjysmë të rrugës, nëse tolerojmë të ndajnë leksione njerëzve të saloneve, nëse nuk ndëshkohet, së paku moralisht ,(meqë mekanizmat tjerë akoma s`ekzistojnë) secilit dezertor i rrugëve të bashkimit ,do të vazhdojmë t`i paguajmë faturat meritore …Nuk është e lehtë sot, teksa përballemi me një vërshim të paparë informatash e dezinformatash, me një propagandë bizare e çnjerëzore por duhet  të qëndrohet më këmbë dhe vertikalisht…Por s`është më e vështirë se momenti kur e shtrojmë kurrizin!..


   Sigurisht që fenomeni disiplinë ngërthen në vete një varg pyetjesh e pikëpyetjesh që kërkojnë një analizë të thellë dhe profesionale, pa të cilën vështirë është të vendosen në vendin e vet shkaqet e vërteta të rënie dhe ngritjeve të rrugëtimit tonë historik. Por, Akademitë Shqiptare, ato që janë të thirrura të largojnë këtë mjegull, janë shndërruar në fenomen në vete që duhet studiuar në një kohë tjetër… Prandaj i është dhënë mundësia, madje duke qenë rehat secili shpirtshitur që hedhë përpara nesh,, fakte e analiza”, pengues e dekurajues, që errësojnë edhe më tepër mendjet e qytetarëve që po mbajnë mbi supe secilin mallkim…Megjithatë, kjo situatë është e përkohshme dhe do të frymojë ,,ligjërisht” gjersa disiplina të bëhet pjesë e pandashme e vetëdijes sonë individuale dhe kolektive…


 


19.01.2013


 


 


Diktatet s`janë dialog!..


 


    Bashkësia ndërkombëtare me mënyrën e ,,menaxhimit” të zonave të krizës, çdo ditë e më tepër po i zhvlerëson parimet bazë të humanizmit, që aq shumë proklamohen e hyjnizohen nga të gjitha institucionet relevante që vetë kjo Bashkësi i ka ngritur e i kontrollon.


Zvarritja e problemeve të Kosovës, duket si një qëllim më vete i kësaj Bashkësie për t`i vënë,,Pikë” çështjes shqiptare tek Ura e Ibrit. Nuk mund të kuptohet ndryshe lutja dy a trembëdhjetë vjeçare që i bëhet banditëve serbë, të cilët vetë kjo Bashkësi, bashkë me forcat e UÇK-së, i gjunjëzoi për pesë-gjashtë javë. Për çka luten serbët në të vërtetë, kur vazhdimisht porositen të mos e pranojnë Kosovën si shtet! Për ndarje të Kosovës, për ndërrim territoresh, apo për ndonjë ,,moratorium” të përkohshëm. Të tre variantet e mësipërm, janë të mundshëm përderisa mbahen aq larg dhe aq fshehtë takimet ( nuk bëhet fjalë për bisedime). Dhe si mendon kjo Bashkësi të ndalë uraganet e zemërimit shqiptar nëse ndodh të nënshkruhet ndonjë akt i turpshëm nga përfaqësuesit shqiptarë!..Kosova është paguar shumë shtrenjtë nga shqiptarët, dhe kushdo që bën llogari të marra do marrë përgjigjen e merituar.


    Diktatet s`janë dialog, diktatet janë agresion, janë dhunë, nënshtrime; janë ura kaluese të interesave të të fortëve mbi kurrizet e  ,,të vegjëlve”; janë kriza të zhvendosura që shpërthejnë në kohë të tjera. Diktatet janë skenarë me haraçe tragjedish si  në kohë dhe në hapësirë. Historia e Ballkanit do duhej të ishte bërë mësuese për lordët dhe për carët e Moskës që diktojnë fate popujsh si përpara 100 vjetësh; do duhej të ishte bërë këshillë për mentorët e agjendave, që i quajnë bisedime takimet e panatyrshme mes Kosovës dhe Serbisë. Bisedimet janë nevojë, sidomos mes dy fqinjëve, që luftojnë me njëri-tjetrin tash e njëqind vjet të shkuara…Por agjendat, parimisht, nuk i bëjnë agresorët, as miqtë e paragjykuar e as ndërmjetësuesit , agjendat përgatiten nga pala e dëmtuar, nga pala që fitoi lirinë !..Agresorët paguajnë çmimin, paguajnë dëmet…


 


08.01.13


L.Murtishi


 


Gjurmë dhe iluzione kohësh…


 


     Pas L.D.B-së(Luftës së Dytë Botërore), Gjyqi i famshëm që dënoi mbetjet e nazifashizmit hitlerian, ose,,Gjyqi i Nyrnbergut” siç u quajt, që u duk se dha sinjalin e një ere të re demokratike, humaniste dhe paqësore për të gjithë popujt e shtypur të botës, shumë shpejt konsumoi veten! Shumë e shkurtër qe ëndrra e paëndërruar e njerëzimit-


U mund fashizmi, u mund murtaja e përbashkët që mori rreth 5o milion jetë njerëzish të pafajshëm, u mund makineria e tmerreve dhe holokausteve! Por ndodhi ajo që s`duhej të ndodhë: aleatët e deridjeshëm, tashmë të ndarë në dy blloqe ushtarake, ideologjike dhe politike, pak ,,më ndryshe” nga Hitleri, hapën një front shumë të rrezikshëm, të njohur si ,,Lufta e Ftohtë”,pasojat e së cilës i ndjejmë edhe sot e do t`i ndjejmë në vazhdimësi. Filluan garat e armatimit mes dy rivalëve më të fuqishëm që njeh historia e njerëzimit:,,Pakti i NATO”-s në njërën dhe ,,Pakti i Varshavës” në tjetrën anë. Arsenalet bërthamore që ngriti kjo periudhë, me potencialet e jashtëzakonshme shkatërrimtare, mund të përflakin me dhjetëra herë të gjithë planetin në rast të ndonjë konflikti të mundshëm… Luftërat s`pushuan, vazhduan e po vazhdojnë, ndonëse u shemb blloku i lindjes, u shpërbë ,,Pakti i Varshavës”, pas mbeti një Rusi e fortë ushtarakisht, siç ishte vetë ,,Pakti i Lindjes”…Prandaj, përpjekjet, shantazhet dhe kërcënimet për vendosje marrëdhëniesh të reja, që do të thotë sfera të reja interesi, sunduese, influencuese, ushtarake dhe politike, vazhdojnë duke marrë miliona viktima me vete, pa dhënë llogari askush ndaj askujt. Rusia e djeg Kafkazin në heshtje të plotë nga Bashkësia Ndërkombëtare, në anën tjetër, fuqitë perëndimore, me zjarr e hekur, përpiqen, në ,,stilin e tyre” të ,,demokratizojnë” vendet arabe…Në këto kontura  interesash lundron edhe anije dymijë – vjeçare e fatit tonë kombëtar, në këto blloqe interesash ndodhet Shqipëria jonë. Mendohet se kanë ndryshuar kohët, por pak mendohet në ç`drejtim kanë shkuar ndryshimet.


    Shqipëria anëtare e NATO-s…


    Për popullin shqiptar, që ndodhet mes armiqsh tradicionalë, ishte një ogur i mirë ky akt i qeverisë shqiptare. Ishte ogur i mirë, ngaqë mendohet gabimisht, gjykohet gabimisht nga politika ditore. Sipas këtij ,,interpretimi”,vendet anëtare të këtij subjekti ushtarak, me të gjitha dispozitat ligjore mbi të cilat qëndron dhe funksionon ky subjekt, janë (barabarësish) të mbrojtura nga çdo lloj agresioni mbi kufijtë e tyre. Së paku tekstualisht kështu duket, por kur shohim ç`ndodh me marrëdhëniet brenda vet subjektit, atëherë le shumë për të dëshiruar. Mjafton problemi turko-qipriot të njihet, mjafton zhvendosja e kufijve grek në ujërat shqiptare vetëm me një nënshkrim të Sali Berishës (duke shpërfillur gjykatën kushtetuese), për të reflektuar më drejtë!.. ,,Toleranca” kundrejt të fortit brenda Paktit-Nato,  (të mos flasim për dominimet hierarkike) është edhe një sinjal shqetësues, por është dhe motiv më shumë për të këmbëngulur frontalisht për Bashkimin e Shqipërisë. Vetëm Shqipëria e Bashkuar,( brenda strukturave euroatlantike) do jetë garant  stabiliteti dhe do ketë peshë respektuese…


 


Unioni Gjithëshqiptar,,Vëllazërimi Ynë”


Drejtues:Lebit Murtishi


10.01.13


Tetovë


Republika e Shqipërisë


 


Një Hero i Heshtur!..


 


    Vargut të gjatë të burrave të kombit, që herë ,,harrohen“ e herë ,,mallkohen“, prej kohësh i është bashkuar edhe emri i madh i luftëtarit të të gjitha fronteve të rezistencës, Kadri Labënishti. E ,,harruan”,,historianët” ndonëse bëjnë ushtri me numër, shoqatat e të përndjekurve, unioni i ,,intelektualëve”, dhe të gjitha asociacionet tjera shqipfolëse në Strugë dhe më gjërë. Përgjigjen, pse ndodh kështu, e ka dhënë Ali Asllani: ,,Koha është e maskarenjve, Shqipëria e shqiptarëve “…Që të mos i hyjmë në hak të gjithëve, kjo garniturë politikbërëse, kjo turmë e mjerë analfabetësh, që ,,bashkëqeveris“ ,,Maqedoninë“ me ,,armiqtë“ e deridjeshëm, duhet të thuhet, sa për mall, se e kujton ndonjëherë, e kujton sa herë i duhet të vjelë votat në Ladorisht.


    Xha Kadriu, as rruga e tij, nuk ka nevojë të gradohet, nuk ka nevojë as të kujtohet, mjafton që kurrë s`e harrojnë kohët e rënda që i jetoi, mjafton që kurrë s`e harrojnë shokët e shumtë që bashkëveproi. Por kanë nevojë gjeneratat, ka nevojë secili brez të mësoj historinë e të parëve të vet. Nderi i xha Kadriut është ,,Fronti i Sremit”, plagët e luftës, golgota e Goli Otokut, burgjet e gjatë të 81-shit, burgjet e gjatë të 92-dyshit, dhe dy vite burg që i mori në varr, ngaqë Zoti nuk i dha më shumë jetë që të jetonte nëpër burgje…(rreth 17 vjet gjithsej).Është rast i rrallë që një plak 80-vjeçar të varroset i dënuar…Mbase vetë rasti i rrallë i tremb më shumë dhe kalemxhinjtë, ata që mblidhen ditë për ditë i thurin lavde njëri-tjetrit. Historia i merr të gjithë: edhe atë që humbi punën, edhe atë që humbi shkollën, edhe atë që humbi kokën, por gjithmonë me një renditje, me një rregull të pathyeshëm.


    S`mund të shkruhet historia, siç veprojnë sot kalemxhinjtë, s`mund të ,,zhvendosen” emra e ngjarje nga të duam e si të duam.


Nëse koha që jetojmë është e denjë për marifete, historia do flasë ndryshe, sot a nesër, nuk prish punë…


     Xha Kadriu iku i heshtur, i heshtur si një vullkan që në dukje është i heshtur, por tërë qenien e ka zjarr…Ai foli kur nuk flitej, kur zot ishte gjuhë e heshtjes, kur frika nga një fjalë e vetme ishte zot e përmbi zot, kur malli për një fjalë të vetme kishte mbytur çdo qelizë…Atëherë foli xha Kadriu, atëherë shkeli perënditë; shkeli edhe ato gradë që i fali fronti i luftës, gjaku i luftës…Dhe provoi mbi kurriz një jetë të tërë burgjesh…Kjo ishte jeta e burgjeve e njeriut të madh të ,,heshtur” që s`heshti asnjëherë, kjo ishte jeta e luftëtarit që nuk diti të pushojë, që nuk provoi kurrë paqen për të cilën luftoi e derdhi gjak gjer ditën e fundit…


    Fati im si bashkëfshatar, si shok, si mik, si gjak, si bashkëveprimtar, si bashkëvuajtës dhe si mësues që e pata përherë, më jep të drejtën dhe privilegjin t`i bëj thirrje bashkëvuajtësve të xha Kadriuit, dhe të gjithë struganëve të mi: të mos e përdorin emrin e tij nëpër mitingje partiake, por të ngrejnë një këshill punues që do t`i gjejë vendin  bustit të xha Kadriut në brigjet e Drinit të Zi, përkrah Ibrahim Temos, Dervish Himës, Nuri Mazarit dhe të tjerëve kolosë të kombit…


10.01.13


Lebit Murtishi


 


Kosova gjerdan i Shqipërisë…


 


    Mbase s`mjafton kjo simbolikë për t`i dhënë  me një dorë fjalësh të gjithë kuptimin meritor përmasës të kësaj toke ; mitit dhe realitetit, dhe gjithsesi vendit që zë kjo tokë në shpirtin e madh të shqiptarëve!..Mbase  është mjaft vetëm një heshtje!..Ndryshe nga bandat piromane që i thonë djep edhe e djegin, shqiptarët nuk folën kurrë, shqiptarët s`i thanë djep, por u dogjën në djep të saj, u dogjën për nderin e saj, madje edhe me djepin e fundit…


Kjo copë e lashtë Shqipërie,  mbajti me nder mbi supet e saj barrën e fatit më të rëndë; barrë që tejkalonte disa herë kapacitetin e saj njerëzor, ekonomik dhe të të gjitha fushave tjera. Edhe pse e gjendur për ballë pozicionit (gjeostrategjik e gjeopolitik ), edhe e gjendur për ballë  (çmendurisë) patologjisë kolektive serbomadhe kundër shqiptarëve, Kosova qëndroi stoike. Kosovës nuk i lejoi historia ta zhvillojë ekonominë, arsimin, kulturën! Kosova me krahët e saj, nga Tivari në Manastir, luftoi për mbijetesë, ( dhe mbijetoi me sukses) luftoi e  derdhi gjak që një ditë të jetë e lirë dhe e bashkuar me trungun e Atdheut të Lashtë, Shqipërinë…Sa më shumë hedhim pas krahësh historinë e pambaruar, historinë që ricopëtoi edhe një herë tokat shqiptare, aq më tepër trimërohen ,,krajlët e rinj” serbosllavë…Dhe paradoksi shkon më tej: edhe fuqitë perëndimore që ia njohën pavarësinë (të sakatuar), çdo ditë e më tepër mundohen të gjejnë ,,balancën”, mundohen të gjejnë mesin e një problemi që nuk ka mes…Problemi shqiptaro-serb ka zanafillën dhe fundin e vet, ka pushtimet, vrasjet, dëbimet, dhe ka kryengritjet në tjetrën anë. Duke mbështetur verbërisht çdo çmenduri të palës serbe, duke i bërë zinxhir lëshimesh kësaj pakice (shumica me prirje kriminale) , duke u fshehur kërkesa absurde për ngritjen e statusit të kishës serbe në nivel të Vatikanit, Bashkësia Ndërkombëtare po i dërgon sinjal të keq edhe shqiptarëve ,,të përçarë”…Shqiptarët,, e përçarë” dinë edhe të bashkohen, shqiptarët e ,,përçarë” kurrë nuk do të pranojnë asnjë pazar mbi Kosovën…


 


12.01.13


Unioni Gjithëshqiptar,,Vëllazërimi Ynë”


Drejtues:Lebit Murtishi


Tetovë


Republika e Shqipërisë


 


Presheva provon shqiptarët…


 


    Sprova e këtij Janari është jeta a vdekje, mbase dhe përcaktuese për rrjedhën e mëtejme të zhvillimit të ngjarjeve në hapësirat e Shqipërisë. Në dyert e Preshevës shqiptare po troket edhe një herë kërcënimi i zjarreve të luftës… Shovinizmi serbomadh, pas përkëdheljeve përgjëruese të bashkësisë ndërkombëtare përsëri kërcëllon dhëmbët… Provokimi ironizues:,,o shembni bijtë tuaj nga Lapidari o ju shembin ne me tanke”,siç duket është afër ndodhjes, afër ndezjes të një zjarri që do ta përfshijë të gjithë rajonin. Por pak më ironizuese tingëllojnë deklaratat shumë të njëanshme dhe antishqiptare të të gjithë atyre faktorëve që disa herë kanë përsëritur, se çështja në fjalë është punë e brendshme e institucioneve të Serbisë…Që do të thotë, për hesape të pa-pastruara të akëcilit faktor të jashtëm duhet dikush të flijohet…Dhe ky kurban do jenë shqiptarët, si përherë gjatë historive.


    Paragjykimet nuk janë fakte, dhe për këtë duhet kujdes…Megjithatë, sido që të jetë qëllimi i fundit, nuk është etike të trimërohen kasapët e Beogradit, kur ende nga ajo dorë gjak e plagë rrjedh trualli shqiptar, i Bosnjës, Kroacisë…Shqiptarët nuk kanë nevojë t`u jepet zemër, se u mjafton zemra e vet, por s`do pranojnë të vetëflijohen për hesapet e ,,të mëdhenjve”. Shqiptarët e njohin mirë vetveten, i njohin mirë forcat e veta, dhe e dinë mirë se në këtë breg që po qëndrojnë e nuk i ka sjellë mëshirë e askujt. Shqiptarët vështirë lëvizin, por lëvizin, dhe kur lëvizin dinë të qëndrojnë, dinë të luftojnë… Askujt mos i gënjehet mendja se me shembjen e Lapidarit të Kombit në Preshevë do mbesë lapidar-çetniku në Kosovë… Askujt mos i gënjehet mendja se Preshrva, Medvegja e Bujanoci do të jenë prè e izoluar e banditëve serbomëdhenj… Pavarësisht qëndrimeve, apo sjelljeve aq të vakëta të politikës së Prishtinës, Tiranës dhe dikujt tjetër, shqiptarët dinë dhe do të mobilizohen .Presheva është tokë shqiptare,  dhe gjithë Kosova Lindore është tokë shqiptare dhe Shqipëri… Dhe do përballet me Shqipërinë secili aventurier që do të vërë dorë mbi ato troje…


 


14.01.13


Unioni Gjithëshqiptar,,Vëllazërimi Ynë”


Drejtues:Lebit Murtishi


Tetovë


Republika e Shqipërisë

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …