Dje u nda nga jeta poeti, atdhedashësi e njeriu i mirë që la emër të shquar në poezinë shqipe dhe në folklorin e Labërisë dhe të gjithë Shqipërisë, por ai nuk vdes kurrë se vepra e tij, puna e tij dhe të gjitha fjalët e tij, të shprehura në këngë e në vepra letrare, në televizione e gazeta, dashuria e përkushtimi i tij njerëzor e atdhetar e bëjnë të përjetshëm për familjarët e tij e për ne të gjithë si bashkatdhetarë e njerëz që e vlerësojmë e duam e nderojmë punën e veprën e tij madhore. I paharruar qoftë për jetë e mot! Kështu së bashku ta kujtojmë gjithmonë bilbilin e këngëve labe, polifonike!
PËR KOSOVËN PRAPË DO NGRIHEM
poemë
KËNGA E DHJETË
Nëse unë vërtet për Vlorën
Më besoni, për Kosovën
Dhe të vritem do të ngjallem
Dhe në varr i bërë baltë,
Po qe se thërret Liria,
Për të gjallët ngrihem prapë,
Të këndoj këngët e mia.
Sepse kënga qenka shpirti
Shpirt i bukur përmbi penë,
Gjaku është shqiptarizmi
Që në zemër ka folenë,
Kur t`i shoh burrat e Vlorës
Në Deçan e në Drenicë,
Do t`i flas me zë Europës:
Pa shih bijtë e Shqiptarisë
Se jemi të etur
Merak na ka mbetur
Me buzë të qeshur
Të mbyllet ky shekull.
Dilni ta presim Lirinë!
Akademia e Shkencave e Shqipërisë/Academy of Sciences of Albania
Ndahet nga jeta pas një lufte të gjatë me sëmundjen poeti Lefter Çipa
Komisioni i artit dhe trashëgimisë njofton me dhimbje në zemër se u nda nga jeta pas një lufte të gjatë me sëmundjen poeti Lefter Çipa.
I shprehim ngushëllimet tona më të ngrohta familjes dhe jemi pjesë e dhimbjes së saj.
Me ikjen e Lefter Çipës nga jeta, bota shqiptare e artit, poezia lirike, trashëgimia popullore, humbën një personalitet të rrallë, një njeri me karakter të fortë dhe me qartësi qytetare në të gjitha kohërat.
Pak njerëz kanë fuqinë shpirtërore dhe ndikimin e fuqishëm të Lefter Çipës, i cili u bë identitet i Bregdetit. Emri i tij u shkri me atë të vendlindjes, duke u shtrirë kohë pas kohe në gjithë Shqipërinë.
Lefter Çipa erdhi në rrethin e vështirë të poezisë përmes një tradite të shkëlqyer të artit popullor të Bregdetit, të lartësuar prej vjershëtorësh e këngëtarësh të denjë, që nga Nestor Muka Himarioti, që i dha njohje e nder krahinës së tij dhe gjithë Shqipërisë, përmes regjistrimeve të para disko-grafike të këngës popullore bregdetase. Lefter Çipa shumë prej krijimeve të tij të bukura bujarisht ia la emrit të popullit.
Njohës i rrallë i vjershërimit popullor dhe i shpirtit të popullit në këngë, ai lartësoi vetveten duke përsosur artin e krijimit, herë sipas gjurmëve të poezisë arbëreshe, herë në stilin e Naimit, herë-herë duke e konkurruar me të njëjtat mjete mikun e tij të zemrës Dritëro Agolli, herë sipas poezisë klasike greke e herë sipas modeleve dhe kodeve të vjershërimit klasik pers.
Lefter Çipa arriti të shkëputet nga rapsodia dhe të krijojë profilin e vet origjinal si poet lirik, me shkëndijime figurash befasuese.
Në një histori të ardhshme të letërsisë shqipe, emra të tillë si Lefter Çipa, Dhori Qiriazi, Gjok Beci, Hamit Aliaj dhe shumë të tjerë, që krijuan me frymëzim të vetvetishëm pa e vrarë shumë mendjen nëse arti i tyre do t’u shfaqej me emrin vetjak apo me atë të popullit, do të kenë një vend të veçantë.
Shumë vitë më parë, edhe atëherë në kushte të luftës me sëmundjen, Lefter Çipa botoi librin me titull domethënës “Dheun tim përsipër mbaj”. I qoftë i lehtë dheu i tokës mëmë!
Disa nga titujt e librave të botuar nga Lefter Çipa:
“Bejkë e bardhë”;
“Shqipëri moj ballëhapur”;
“Bilbilat e vendit tim”;
“Dheun tim përsipër mbaj”;
“Polifonia dhe vjershërimi i polifonisë”;
“Bilbili që këndon vetëm”;
“Për Kosovën prapë do ngrihem”;
“Kënga që tret lotin”, I-II-III;
“Këngët e Akroqeranit”;
“Këngët e Ruzanës”;
“Princi i dashurisë”.
Përgatiti për Radion-Kosova e Lirë, Isuf Ismajli