Lekë Mrijaj: Librit “Lidhje etnologjike Mirditë, Kurbin dhe Lugu i Drinit (Kosovë) i studiuesit, Pjetër Nikolla

Lekë Mrijaj: Librit “Lidhje etnologjike Mirditë, Kurbin dhe Lugu i Drinit (Kosovë) i studiuesit, Pjetër Nikolla

Ky libër i autorit, Pjeter Nikolla, studiues dhe krijues letrar i cili ka botuar mbi 20 e sa libra të zharneve të ndryshme në prozë e në poezi, shkrimtar dhe publicist i njohur, i kushtohet gjenealogjisë dhe etimologjisë të ngjarjeve madhore historike, të Mirditës, Kurbinit dhe Lugut të Drinit Kosovë. Ndërmarrja e këtij studimi dëshmon prirjen dhe përkushtimin e tij për t’u marrë me fenomene tejet të rëndësishme historike dhe etnokulturore që i bashkon dhe i vëllazëron njerëzit. Ky libër është strukturuar në disa kapituj përmbajtësor që ruajnë një kronologji ngjarjesh historike, të lidhjes etnologjike të tre krahinave, një fenomen i pa studiuar e hulumtuar nga studiuesit e historianët tanë.

Autori, Pjetër Nikolla, është ndër të rrallët studiues e historian, i cili arrin të zgjedhë tema me subjekte me peshë dhe me vlera të pakrahasueshme. Kështu ka zgjedhur e shkruar librat me subjekte: ”Mirdita dhe Identiteti kombëtar” (i përkthyer anglisht), librin: “Trojet e Dardanëve”, (i përkthyer anglisht), “Lidhja Gjenealogjike Kosovë-Mirditë”, “E vërteta e mitologjisë Pellazgo-ilire” (pjesa e I dhe II), etj. dhe tani, librin me subjekt, “Lidhja Etnologjike, Mirditë, Kurbin dhe Lugu i Drinit Kosovë”. Kjo tregon thellësinë e mendimit të autorit për të përzgjedhur subjekte të arrira shkencore, duke vizionuar dijet me lustrim anatomik, nisur nga kreativiteti si produkt i shënuar nga imagjinata! Drita Pelingu, aktore, që është Ikona e teatrit dhe kinemasë shqiptare shkruan: “Aktori nuk ka ç’të bëjë në një film pa skenarë të mirë. “Kështu nuk mund të arrihen vepra të mëdha të shkruara, pa një subjekt të gjetur mirë. Sa më i zgjedhur subjekti, aq më hapësirë ka autori për të ndërtuar një vepër me të vërtetë të dobishme e madhore. Këtu është veçantia e këtij libri, këtu janë vlerat e jashtëzakonshme dhe tejet të dobishme që nëpërmjet këtij libri bëhet e njohur lidhja e gjakut që i bashkon njerëzit, dhe ndërlidh ndihmën e bashkëpunimin reciprok, vëllazëror dhe miqësor që është vlerë e shtuar njerëzore. Duke ndjerë thellë vlerat shumëdimensionale të këtij libri dhe ndërtimin studimor në mënyrë shkencore, të vërtetuara me referime nga studiues dhe historian, albanolog tanë dhe të huaj, bazuar edhe në gjetjet arkeologjike dhe në mendimin shkencor të historianëve në Shqipëri e në Kosovë, arrimë në konkluzionin se, libri i autorit Pjeter Nikolla është një monument i vlerave historike dhe etnkokulturore të lidhjes së gjakut e vëllazërive në trojet tona shqiptare. Ky libër është i ndarë në tre kapituj: Lidhje vlerash dhe gjaku të Mirditës, Kurbinit dhe të Lugut të Drinit Kosovë.

Në kapitullin e parë, “Mirdita Krenari Shqiptare”, për të realizuar e zbardhur gjithçka i është dashur autorit t’i shkelë e të shtegtojë të gjitha fshatrat e Mirditës për të zbuluar gjenealogjinë e mirditorëve që janë fisi i famshëm i Pirustëve, i cili që para erës së re njihet për guxim, trimëri e mos nënshtrim ndaj romakëve, ishin të fundit Ilirian që i rezistuan romakëve deri në shek. IX të erës sonë, nën udhëheqjen e prijësit të tyre Bato i Disidiatëve. Autori pasqyron në këtë libër vlerësimet e jashtëzakonshme të personaliteteve të larta të kulturës shqiptare siç janë: Lidhje etnologjike Mirditë, Kurbin dhe Lugu i Drinit (Kosovë) shkrimtari i madh Ismail Kadare, Prof, Dr. Lisien Bashkurti, Dr, Moikom Zeqo, Prof. Dr. Jorgo Bulo, Ernest Koliqi, Abati i Mirditës, Pjetër Zarishti, i madhi poet, At Gjergj Fishta etj. Mbishkrimi epigrafik i gjetur në Gëziq të Mirditës tregon se Dhimitri i Arbërit ndërtoi një katedrale të madhe që e la si trashëgim e që në atë mbishkrim thuhet se ishte Komb i Denjë, thënie kjo e një rëndësie të jashtëzakonshme! Në vazhdim të këtij kapitulli, autori ka argumentuar prejardhjen e pirustëve të cilët janë dardan dhe mirditor, me referime, duke filluar nga Ptolemeu, gjeograf i njohur i shek II-të, që i vendos Pirustët në lindje të Durrësit, e që i përket territoreve të Kurbinit, Lezhës, Mirditës, një pjesë e Matit, vazhdon në Kukës dhe deri në Gjakovë. Ky është edhe sot territor i njohur i Pirustëve. Shtjellohen gjithashtu lëvizjet e banorëve të Mirditës, për një jetë më të mirë, nga Mirdita në Lezhë, në Kurbin, në Rrafshin e Dukagjinit e veçanërisht në Lugun e Drinit në Kosovë.

Në kapitullin e dytë të librit “Popullsia e Kurbini, pasardhëse e fisit të Pirustëve” që sipas të dhënave studimore autori prezanton etimologjinë e popullatës dhe historikun e Kurbinit, ku pjesa më e madhe e popullsisë së Kurbinit janë pasardhës të fisit të pirustëve, ashtu sikurse, Mirdita. Treva e Kurbinit është e banuar që në Lashtësi e që quhej Misia, më vonë u quajt Kurbin. Evidentimi i shumë Kalave të kësaj krahine, si Kalaja e Sebastes me qytetin e Divasve, Kalaja e fshehtë të Skënderbeut, Kalaja e Pervizit në Skuraj, e cila quhet edhe kalaja e Skënderbeut dhe Kalaja e Kokë Malçit në Skuraj, ndërtimi i tyre tregon përpjekjet e popullsisë së Kurbinit për tu mbrojtur nga pushtimet e huaja e veçanërisht nga pushtimi osman. Këtu pasqyrohen vlerat etnologjike dhe etnokulturore, të kësaj krahine, fiset e familjet më në zë të Kurbinit dhe përbërjen e popullsisë me të ardhur nga Mirdiata.

Në kapitullin e tretë, “Lugu i Drinit në Kosovë, zë një hapësirë të konsiderueshme në vepër, që do të thotë se autori ia kushton të kaluarës historike dhe autoktonisë e popullatës së Rrafshit të Dukagjinit, kryesisht ajo e Klinës e Gjakovës e shumë fshatrave dhe lokaliteteve të këtyre vendbanimeve. Aty janë trajtuar karakteristikat pozitive në këtë trevë të luftës së popullsisë kundër pushtuesve romakë, turq, sërbo-malazez etj, popullsi e cila ruajti pastër traditat, gjuhën, folklorin dhe etnografinë shqiptare, sfidoi asimilimin nga serbët, islamizimin nga turqit dhe mbijetoi krenar në trojet e veta shumëshekullore. Sllavët dhe otomanët autori i paraqet si pushtues të egër dhe shumëshekullor të këtyre trevave, të cilët kanë dhunuar, vrarë dhe persekutuar popullsinë, duke e dëbuar nga tokat e veta, dhe duke kolonizuar serbë e malazez për ti asimiluar, për të zhdukur gjuhën, besimin dhe traditat shqiptare. Autori në këtë libër jep disa të dhëna historike të trevës së Rrafshit të Dukagjinit, pasqyron disa fakte dhe dëshmi rreth Lidhjes shqiptare të Prizrenit, më 1878, formimin e Qeverisë së përkohshme shqiptare në Prizren më 1881, Lidhjen e Pejës më 1899 etj. U intensifikuan përjekjet për arsim e dituri, të cilat prezantohen në mënyrë të denjë si akte me rëndësi për historiografinë shqiptare, për lidhjen dhe vëllazërimin e banorëve të një gjaku, të ndarë me kufij nga shovinistët serbë. Prezantohet gjithashtu një studim etimologjik për 22 fshatra dhe 15 familje më në zë të Lugut të Drinit që kanë lidhje gjenealogjike me vëllezërit e tyre të një gjaku në Mirditë, ardhjet e tyre nga Mirdita, ruajtjen e mbiemrave dhe lidhjet me vendorigjinën e tyre.

Ky studim nxjerrë në pah të argumentuar me shifra konkrete: periudhën më të zezë, (pas pushtimit osman dhe islamizimit të popullsisë) për Kosovën, që ishte kolonizimi serbo-malazez midis dy luftërave botërore, për dëbimin me një plan racist terrori të popullsisë nga tokat e veta dhe asimilimin e saj! Nga ana tjetër dalin me shifra konkrete rikthimi masiv i dyfishuar i popullsisë në tokat e veta dhe largimi i serbëve e malazezëve i dyfishuar në kohën e sundimit të qeverisjes së Titos, duke evituar ndikimin negativ europian të vazhdimit për të coptuar dhe aneksuar tokat shqiptare fqinjëve shovinistë! Në Lugun e Drinit, pothuajse të gjitha fshatrat që gravitojnë në këtë krahinë, si Krusheva e Vogël, Krusheva e Madhe, Zllakuqani, Radulloci, Ranoci, Leskoci, Budisalci, Stupa, Jagoda dhe fshatra të tjerë janë të populluar kryesisht me popullatë të “ardhur” nga Mirdita dhe sot këtë krahinë e kanë shndërruar në një “Mirditë në miniaturë”, Mirdita e dytë. Autori librin e përmbyll me arritjen e frymës së lirisë në këtë trevë dhe në Kosovë dhe perspektivën e kësaj popullsie pas shumë shekujsh vuajtje dhe përpjekje për mbijetesë.

Në fund mund të konstatojmë se ky libër kushtimisht plotëson pjesë të rëndësishme të historisë që ka munguar deri me sot dhe hap shtigje të reja në lidhjen e bashkimin e trojeve etnike shqiptare. Fotot japin interes dhe i shtojnë bukurinë librit. Autorit Pjetër Nikolla i urojmë suksese të mëtejme në vazhdimësi të punës së tij në fushën e historisë dhe të krijimtarisë letrare.

Vlerat shumëdimensionale të këtij libri meritojnë vëmendje të posaçme dhe mbështetje nga institucionet kulturore shtetërore të Kosovës dhe të Shqipërisë, është me vlera që të përkthehet edhe në gjuhë të huaja. Ky libër mjaft i çmueshëm shpresojmë se do të mirëpritet nga lexuesit, jo vetëm të dy anëve të kufirit, por edhe në gjithë hapësirat tona mbarë shqiptare.

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …