Anadolu Agency ka bërë të ditur se sot janë shpërndarë tekstet e para shkollore dhe materialet mësimore të përgatitura nga Ministria e Arsimit e Turqisë për lëndën e gjuhës shqipe, e cila u fut në planprogramin mësimor si lëndë zgjedhore. Ato iu janë shpërndarë nxënësve. Ministria e Arsimit dhe Universiteti i Thrakisë më 21 tetor të vitit të kaluar kishin firmosur protokoll bashkëpunimi për mësimin e gjuhës shqipe dhe asaj boshnjake në kuadër të lëndës zgjedhore Gjuhë dhe Dialekte të Gjalla. Për këtë rast planprogrami për gjuhën shqipe dhe boshnjake për klasat 5, 6, 7 dhe 8 të shkollave të mesme të ulëta (sipas sistemit arsimor në Turqi) u pranua për t’u zbatuar si lëndë zgjedhore duke filluar nga viti akademik 2017-2018, pas miratimit të Bordi Edukativ Arsimor i Turqisë.
Muajin e kaluar, mes Ministrisë së Arsimit dhe Rektoratit të Universitetit të Thrakisë u nënshkrua marrëveshje për dhurim lidhur me përgatitjen e teksteve dhe materialeve shkollore për lëndën e gjuhës shqipe dhe asaj boshnjake.Tekstet dhe materialet shkollore të gjuhës shqipe, të përgatitura nga një komision në kuadër të Rektoratit të Universitetit të Thrakisë, janë miratuar edhe nga ministria.
Lënda e gjuhës shqipe është zgjedhur nga 44 nxënës në Shkollën “Alija Izetbegoviç” në Kemalpasha të Izmirit. Nxënësve të kësaj shkolle librat e gjuhës shqipe u shpërndanë pa pagesë. Nxënësit do të kenë mundësi të mësojnë lëndën e gjuhës shqipe për dy orë në javë, duke u mbështetur me kurse shtesë gjatë fundjavës. Po ashtu, Drejtoria Lokale e Arsimit në Kemalpasha dhe Shoqata Kulturore Shqiptare në Turgutlu këtë muaj kanë firmosur protokoll për hapjen e kursit të gjuhës shqipe. Ligjërimi në këto kurse mbështetëse të fundjavës do të bëhet nga një mësimdhënës i lindur në Shqipëri.
Ndërkohë, së shpejti pritet edhe shpërndarja e teksteve për lëndën e gjuhës boshnjake, të cilat aktualisht janë në procedurën e shtypjes, ndërsa ende vazhdon përgatitja e materialeve mësimore për këtë lëndë.