Lënda gjyqësore kundër zëvendës-kryeministrit, Besnik Bislimi dhe deputetëve Hajdar Beqa, Bekim Haxhiu dhe Mërgim Lushtaku, lidhur me përleshjen e 13 korrikut të vitit 2023 në Kuvendin e Kosovës, ka shkuar në ndërmjetësim me pajtim të palëve në procedurë. Këtë propozim e dha gjyqtari Eroll Gashi, i cili tha se nëse arrihet një marrëveshje aktakuza hidhet poshtë. Avokati i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, avokati Florent Latifaj, tha se pajtohen që kjo lëndë të shkojë në procedurë të ndërmjetësimit Po ashtu edhe mbrojtësi i të akuzuarit Hajdar Beqa, avokati Hajzer Salihu tha se do t’ia japin një shans procedurës së ndërmjetësimit. Për shkuarjen e kësaj lënde në procedurë të ndërmjetësimit u pajtuan edhe avokatët e Hajdar Beqës dhe Mërgim Lushtakut. Po ashtu, që kjo lëndë të shkojë në ndërmjetësim u pajtua edhe i dëmtuari, ministri i Financave, Hekuran Murati si dhe prokurorja Nebahate Salihu. Pas përfundimit të seancës gjyqësore, nuk pranuan të flasin zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministri Hekuran Murati. Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, pasi u pyet nga gazetarët, tha se kualifikimi i kësaj lënde në ndërmjetësim nuk ka të bëjë me ndonjë koalicion të mundshëm me Vetëvendosjen.
