leoni

Leon Trocki, 100 vjet më parë raportoi gjerë e gjatë për maskrat serbe kundër shqiptarëve në Kumanovë, Shkup dhe në trojet e tjera shqiptare gjatë Luftërave Ballkanike

Leon Trocki, marksisti i njohur rus, revolucionari e më vonë kundërshtari i regjimit të Stalinit, i njohur në literaturën shqiptare si revizionist, ka lënë dëshmitë më autentike gjatë Luftërave Ballkanike, lidhur me plojën, masakrat dhe spastrimin etnik që ndërmori Serbia dhe Aleanca pan sllave kundër shqiptarëve, turqve dhe Hebrenjve në trojet e Shqipërisë etnike. Duke qenë reporter i luftës në Kumanovë e Shkup, ai ngriti zërin e tij të ndërgjegjes, zërin e njeriut të drejtë kundër mizorive që ushtronin monarkitë sllave sidomos kundër shqiptarëve. Po kështu edhe poeti revolucionar rus, Vladimir Majakovski, në një poezi të botuar në vitin 1917, ngriti zërin kundër copëtimit të tokave të Shqipërisë. Në poezinë protestuese “Përgjigjuni” ai shprehte revoltën me pyetjen:

Deri kur?

Dikush,

Diku,

Do të majmet me tokat e Shqipërisë?

Zërin e vetmuar të protestave kundër barbarive mbi shqiptarët asokohe i kishte ngritur edhe kreu i socialdemokratëve serbë, Dimitrije Tucoviq, pastaj Kosta Novakoviq e ndonjë tjetër.

Rrëfimet tronditëse të Leon Trockit për dhunën dhe gjenocidin sllav kundër shqiptarëve në vitet 1912-1913

Raportet tronditëse të luftës, për dhunën dhe gjenocidin sllavo-serb kundër shqiptarëve të shkruara nga marksisti i njohur rus, Leon Trocki. Ato janë raportime nga fronti i Luftës së Parë Ballkanike, 1912 – 1913, ku Trocki kish ardhur si korrespondent për gazetën e majtë më të popullarizuar në Rusinë Jugore, “Kijevskaja misl”.(Mendimi i Kijevës). Ato janë rrëfime autentike të tmerrshme dhe të llahtarshme, të para nga sytë e gazetarit Leon Trocki, të cilat përshkruajnë vrasjet mizore, masakrimet dhe shfarosjen e shqiptarëve gjatë Luftërave Ballkanike.

Kam pasur rastin, për fat apo fatkeqësi ta vizitoj Shkupin, disa ditë pas Betejës së Kumanovës. Qysh në fillim isha i irrituar nga autoritetet e Beogradit lidhur me lejen për qarkullim. Nga pengesat që m’i ka bërë Ministria e luftës, kam filluar të mendoj se njerëzit, të cilët e udhëhiqnin luftën nuk e kishin ndërgjegjen e pastër dhe që atje poshtë, ata po kryenin veprime krejt ndryshe nga sa paraqitej në shtypin zyrtar. Kjo përshtypje ose parandjenjë më është përforcuar me rastin e takimit me një oficer, i cili kishte qëndruar në Shkup me ushtarët të Shtabit të Përgjithshëm.

Ky oficer, të cilin e kam njohur për një kohë të gjatë, ishte njeri i ndershëm. Mirëpo, sapo ai e mori vesh se unë po shkoja për në Shkup, meqë realisht edhe e kisha marrë lejen për të shkuar atje, ai me një qëndrim të hapur armiqësor më tha se nuk duhet të shkoja atje dhe nuk e kuptonte se çka po bënte Beogradi, sipas tij, kur i lejonte “të huajt” të shkonin në Shkup. Në Vranjë, në kufirin me Serbinë, kur e kuptoi se nuk do ta ndërroja vendimin, oficeri serb e ndërroi zërin dhe filloi të më përgatitë për pamjet që do të shikoja kur të arrija në Shkup. “Këto janë gjëra të pakëndshme, por fatkeqësisht janë të paevitueshme”, më tha ai. Krejt kjo më duhet të pranoj se më bënte edhe më shumë të dyshoja. Kjo do të thotë se veprat e liga, për të cilat ishte dëgjuar deri në Beograd, nuk ishin të rastësishme, nuk ishin raste të veçanta e të izoluara, përderisa një oficer i trajtonte si “nevoja të shtetit”.Dikush duhej të kishte të dhëna për këto. Kush? Ushtria? Apo Qeveria? Përgjigjen në këto pyetje e mësova sapo arrita në Shkup. Trishtimi filloi porsa e kaluam kufirin. Në orën 5 pasdite i jemi afruar Kumanovës. Dielli po perëndonte dhe terri tashmë ishte lëshuar. Sa më shumë errësohej aq më tepër shiheshin flakët e zjarrit që shkonin përpjetë. Po digjej gjithçka përreth nesh. Të gjitha fshatrat shqiptare, të afërta dhe të largëta, ishin kthyer në shtëllunga zjarri, deri te hekurudha. Ishte ky një shembull i veçantë i një lufte të tmerrshme shkatërruese, që kam parë në zonat e luftimeve. Për një çast pasuria e atyre njerëzve, e trashëguar nga gjyshërit e stërgjyshërit dhe e fituar me mund, po kthehej në flakë. Kjo monotoni zjarri na ka përcjellë gjatë tërë rrugës deri në Shkup. Zbrita nga vagoni me të cilin pata udhëtuar. Tërë qyteti ishte i heshtur, në rrugë nuk shihje njeri të gjallë, Vetëm para stacionit të trenit ishte një grup ushtarësh, nga ku përhapeshin zëra të dehurish. Secili shkonte në rrugën e vet, ndërsa unë mbeta i vetmuar në stacion. Shkova te grupi i ushtarëve. Katër ushtarë mbanin bajonetat në gjendje gatishmërie. Në mesin e grupit të ushtarëve qëndronin dy të rinj shqiptarë, me plisa të bardhë. Një ushtar, çetnik i dehur, mbante në dorë thikën, ndërsa në dorën tjetër shishen e rakisë. Çetniku i urdhëroi shqiptarët të shtriheshin për tokë. Ata, gjysmë të vdekur nga frika, u ulën në gjunjë. Pas urdhrit tjetër ata ngihen. Këtë ai e përsërit disa herë….

Pastaj çetniku, duke sharë dhe duke i kërcënuar, u drejtoi majën e thikës edhe viktimave të tjera. I detyron të pinë raki, pastaj… i puth. I dehur nga forca, rakia dhe gjaku, ai argëtohej, duke luajtur me ta ashtu si macja e egër me minjtë. Të njëjtat veprime, e njëjta psikologji. Të tre ushtarët e tjerë të dehur qëndronin duke ruajtur se mos shqiptarët po iknin ose do të kundërshtonin, derisa çetniku të argëtohej. “Këta janë arnautë”, më thotë një ushtar, “tash do t’ i ther”. Prej frikës u largova nga grupi. Nuk kishte kuptim të mundohesha të mbrojtur shqiptarët. Ata mund të shpëtonin nga këta ushtarë vetëm me një forcë të armatosur. Krejt kjo skenë po luhej në stacionin e trenit, kur sapo erdhi treni tjetër, ika për të mos dëgjuar britmat e tmerrshme dhe thirrjet e shqiptarëve për ndihmë…

Në rrugët e qyteti dhe në vet qytetin ishte aq qetësi, sa dukej sikur ishte shkret. Të gjitha dyert ishin mbyllur qysh nga ora gjashtë pas dite. Me të rënë nata, çetnikët fillojnë punët e tyre. Futen dhunshëm nëpër shtëpitë e shqiptarëve dhe turqve, duke kryer veprat e tyre të vrasjes dhe plaçkitjes. Shkupi kishte 60 mijë banorë, nga të cilët gjysma ishin shqiptarë e turq. Disa nga ata sigurisht që kishin ikur, por shumica kishte mbetur. Dhe tash, gjatë natës kundër tyre kryhen krime. Dy ditë pas arritjes sime në Shkup, e para gjë që do të shihej në mëngjes ishte grumbulli e kufomave të shqiptarëve me koka të thyera nën Urën e Vardarit, mu në qendër të qytetit. Disa thoshin se ishin shqiptarë, të cilët ishin mbytur nga çetnikët, të tjerët thoshin se ata i kishte sjellë uji i lumit. Vetëm një gjë dihej: ata njerëz nuk ishin vrarë në luftime….Shkupi ishte kthyer në një kamp të rëndomtë ushtarak. Popullata, sidomos shqiptarët dhe myslimanët fshiheshin nëpër rrugë për të mos u parë nga ushtarët serbë. Në mesin e masës së ushtarëve dallohen edhe fshatarë serbë, të cilët kanë ardhur këtu nga vende të ndryshme të Serbisë. Duke rrëfyer se kanë ardhur për të gjetur bijtë dhe vëllezërit e tyre, ata kalojnë nëpër Kosovë duke plaçkitur. Kam biseduar me tre prej atyre “torbarëve”. Më i riu prej tyre, një burrë i shkurtër, i sojit të “trimave”, lavdërohet sesi me pushkën e tij ka vrarë dy shqiptarë, por dy të tjerë i kishin ikur. Bashkudhëtarët e tij, fshatarë të moshuar, e vërtetonin rrëfimin e tij.

“Një gjë nuk është e mirë”, ankohen ata. “Nuk kemi para me vete. Këtu mund të marrësh sa të duash qe dhe kuaj. Paga e ushtarit është dy dinarë ( 75 kopejkë). Ushtari shkon në fshatin e parë të shqiptarëve dhe e merr kalin e parë që gjen. Përmes ushtarëve mund të marrësh një pendë qe për 20 dinarë. Serbët nga rrethina e Vrajës, në mënyrë masive janë nisur drejt fshatrave shqiptare me qëllim për të rrëmbyer gjithçka që gjejnë. Gratë serbe kanë ngarkuar në shpinë edhe dyer e dritare që kanë marrë nëpër fshatrat shqiptare.

Ndërkohë erdhën dy ushtarë. Ata bëjnë pjesë në çetat, të cilat çarmatosin shqiptarët. Një ushtar pyet ku mund ta këmbejë një lirë. Kërkova të ma tregojë lirën, meqë nuk kisha parë monedhë turke. Ushtari fillimisht shikon anash, pastaj e nxjerr floririn nga qesja, duke rrëfyer se ka edhe të tjera, por nuk dëshiron të rrëfejë sasinë. Një lirë turke këmbehet me 23 franga. Erdhën edhe ushtarë të tjerë. Po dëgjoja bisedat e tyre. “Nuk e di sa shqiptarë kam vrarë”, thotë njëri, “por te asnjëri prej tyre nuk kam gjetur diçka të vlefshme për ta marrë. Dhe, kur ia kam hequr kokën një nuseje të re, te ajo kam gjetur 10 lira”. Për bëmat e tyre ata flasin krejt lirshëm. Kjo është e zakonshme për ta. Njerëzit nuk e kuptojnë se sa ndryshime të brendshme kanë sjellë vetëm disa ditë të luftës. Mund të shihet se deri në ç’nivel varet njeriu nga rrethanat. Në kushte të organizmit barbar të luftës, njerëzit shpejt brutalizohen dhe këtë ndoshta edhe nuk e kuptojnë. Një tog ushtarësh po marshonte rrugës kryesore të Shkupit. Një i dehur, sipas të gjitha gjasave, një turk i marrë, filloi t’i mallkonte. Ushtarët ndaluan. E mbështetën turkun tek muri më i afërt dhe e pushkatuan në vend. Togu vazhdoi tutje, ashtu sikur edhe popullata që ishte në rrugë. Atë mbrëmje në një pijetore kam takuar një oficer, të cilin e njihja. Njësia e tij ka qenë e stacionuar në Ferizaj në qendrën e shqiptarëve, “Serbia e vjetër”. Me njerëzit e tij rreshteri ka tërhequr një top të madh të rrezikshëm, gjatë marshimit nga Koçani deri në Shkup. Ky top to t’i dërgohet ushtrisë, e cila ka rrethuar Edrenenë.

-“Ç’ka po punon tani në Ferizaj mes shqiptarëve?”, e pyes.

Po pjekim zogj dhe po vrasim arnautë. Jemi lodhur tashmë”, thotë, duke bërë grimasa dhe hapur gojën nga lodhja.

-“Ka shumë njerëz të pasur mes tyre. Afër Ferizajt kemi hyrë në një fshat të pasur me shtëpi sikur kështjella. Pronari ishte një njeri i pasur, i cili kishte tre bij. Ishin katër meshkuj dhe shumë gra. Të gjithë i kemi nxjerrë nga shtëpia, i kemi radhitur gratë dhe para syve të tyre u kemi prerë burrat. Gratë nuk kanë qarë nga frika. Na kanë lutur të futen në shtëpi dhe të marrin rrobat e tyre. I kemi lejuar. Ato pastaj na kanë dhënë nga një dhuratë. Pastaj i kemi kall zjarrin tërë vendit…”

-“Si mund të veproni në mënyrë kaq brutale?”,- e pyes i tmerruar nga rrëfimi i tij.

“Nuk e di as vetë – mësohet njeriu. Në një kohë tjetër, nuk do të kisha qenë në gjendje ta vrisja një plak apo një fëmijë të pafajshëm. Në kohë lufte, sikundër e dini, komandanti iu urdhëron dhe ju duhet ta zbatoni urdhrin.

-Shumë gjëra si këto kanë ndodhur jo moti. Gjatë bartjes së atij topi deri në Shkup, gjatë rrugës takuam një qerre, në të cilën ishin shtrirë katër burra të mbuluar deri në brez. Përnjëherë kam nuhatur erën e jodit. Diçka ishte e dyshimtë, po mendoja. E kam ndaluar qerren dhe i kam pyetur kush ishin dhe ku shkonin. Heshtnin, duke u arsyetuar se nuk dinin serbisht. Me ta ishte vetëm qerrexhiu, një magjup, i cili na tregoi se katër të plagosurit kishin marrë pjesë në luftime në Merdar. Ishin plagosur dhe tani po ktheheshin nëpër shtëpi. E kuptova çka ishin.

“Zbritni”, urdhërova.

Kuptuan çka po u them, por hezitonin.

Çka të bësh? E kam vendosur bajonetën në pushkë dhe i kamë therur të katërtit….”

E kam njohur atë njeri. Ka qenë kamerier në Kragujevc. Njeri pa ndonjë kualitet. Jo luftarak nga natyra, kamerier, ashtu sikur të gjithë kamerierët në vendet e tjera. Një kohë ishte edhe në Sindikatën e Kamerierëve. Ishte madje edhe sekretar, por u largua… Dhe shikoni tash se në çka është kthyer!

-“Përse veproni si banditë, po vrisni dhe po plaçkitni, pa bërë asnjë dallim!”, bërtita, duke ndier një neveri për njeriun me të cilin kisha biseduar.

Eprori u gjend në një situatë të vështirë. Duket sikur diçka i kishte rënë ndërmend. Pastaj duke u munduar ta arsyetojë vetveten, i bindur dhe serioz, kumtoi një frazë, e cila hidhte edhe më shumë të zeza sesa kisha parë dhe dëgjuar.

-“Jo. Kjo nuk është ashtu. Ne, ushtria e rregullt, i përfillim në mënyrë rigoroze rregullat, asnjëherë nuk vrasim njeri më të ri se 12 vjeç. Për çetnikët nuk të them asgjë me siguri. Ata janë krye më vete. Unë mund t’u siguroj për ushtarët”. Rreshteri nuk siguronte për çetnikët. Dhe me të vërtetë, ata nuk pranonin asnjë kufizim. Të rekrutuar nga mesi i të papunëve, të paaftëve, elementë të liqj dhe të pa vlerë, nga turma më e ulët, argëtoheshin me egërsinë e tyre me krimet, plaçkitjet dhe dhunën. Veprat dëshmonin shumë kundër tyre. Edhe ushtria e shteti ndihej jo mirë nga banalitetet e tilla të përgjakshme të çetave të degjeneruara. Ata u detyruan të ndërmarrin masa dhe ende pa mbaruar lufta, i çarmatosën dhe i kthyen nëpër shtëpitë e tyre.

Nuk isha në gjendje ta duroja edhe më tej atë atmosferë, nuk kisha stomak për t’i duruar ato. Interesi politik dhe vetëdija morale, për të parë me sy se si bëhen gjërat e tilla, u fundosën. Tashmë kisha vetëm një dëshirë: Të kthehesha sa më parë. Sërish u gjeta në vagon. Po shikoja fushat e gjëra rreth Shkupit. Çfarë bukurie, çfarë gjerësie!. Njerëzit mund të jetonin mirë këtu. Çfarë dobie ka të flasë kur ju vetë i dini këto ide, vetëm ato në atë vend më tingëllonin dhjetë herë më fortë. Pesëmbëdhjetë minuta nga nisja e trenit, hodha vështrimin jashtë dhe pashë në një largësi prej 200 jardë nga stacioni një kufomë me plis në kokë, më fytyrë përdhe dhe duar të shtrira. Rreth 50 jardë kah hekurudha po qëndronin dy rojtarë serbë, pjesë e forcave që po e ruanin hekurudhën. Me siguri se kjo ishte vepër e tyre. Tutje, tutje, vetëm të largohem sa më parë nga ky vend.

Jo larg nga Kumanova, në një livadh, afër hekurudhës ushtarët po hapnin një gropë të madhe. I pyes për çka po hapej ajo gropë. Më thanë se gropa po hapet për mish të prishur, që ndodhej në dhjetë apo 15 kamionë, të cilën ishin stacionuar anash rrugës. Ushtarët nuk e kishin marrë mishin që u kishte takuar. Krejt nevojat e tyre ushqimore ,madje edhe më shumë, ata i merrnin nga shtëpitë e shqiptarëve: djathë, qumësht, mjaltë. Në atë kohë kam ngrënë më shumë mjaltë, i cili u merrej shqiptarëve, sesa kisha ngrënë gjatë tërë jetës sime, më thotë një ushtar, të cilin e njihja. Për çdo ditë ushtarët serbë thernin qe, dele, derra, pula, të cilat i hanin dhe i hidhnin mbetjet anash. “Neve nuk na duhet mishi. Sa e sa herë u kemi shkruar atyre në Beograd të mos na dërgojnë mish, por ata e bëjnë këtë sipas do rregullave”. Kështu qëndrojnë gjërat kur shikohen nga afër. Mishi po prishet, si mishi i njerëzve ashtu edhe i kafshëve, fshatrat janë bërë shkrumb e hi, njerëzit po dëbohen. “njerëzit mbi 12 vjet”… të gjithë janë brutalizuar, duke humbur fytyrën e tyre njerëzore..

Lufta po del në sipërfaqe si kryesorja dhe më e rëndësishmja, do t’i shihni krimet nëse shpalosni pak perden, e cila ri varur para veprave të “trimërisë” së ushtarëve…

Marrë prej “Kievskaya Mysl” No. 355 23. dhjetor, 1912.

Trocki: Një pyetje jashtëparlamentare z. N. Milukov

Zotëri deputet! Ju jeni njëri nga inspiruesit e asaj që njihet si “Lëvizje pansllave”, e cila bazohet në principet e përgjithshme të qytetërimit, humanizmit dhe çlirimit kombëtar. Ju shumë shpesh si në shtyp ashtu edhe foltoren e Dumës, i keni bindur aleatët, dinastitë dhe klikat e tyre, të cilat e sundojnë Ballkanin, lidhur me simpatitë që ata kanë për shoqërinë ruse dhe për fushatën që ata kanë ndërmarrë për “çlirim”.

Jo moti, pas ndërprerjes së zjarrit ju keni ndërmarrë një udhëtim politik nëpër Ballkan. Keni vajtur nëpër krahina, dhe çka është më e rëndësishme, keni vizituar krahinat, të cilat janë pushtuar nga aleatët.

Gjatë udhëtimeve Tuaja a thua a nuk keni dëgjuar për këto akte të mizorisë dhe brutalitetit, të cilat i kanë kryer disa nga aleatët në zonat Tuaja të luftimeve, jo vetëm kundër ushtarëve të paarmatosur turq, kundër robërve dhe të plagosurve, mirëpo edhe kundër popullatës paqësore myslimane, kundër pleqve e plakave dhe kundër fëmijëve. Nëse keni dëgjuar, dhe nuk mund të mos keni dëgjuar, atëherë përse heshtni. Përse hesht fjala juaj?

Faktet e pamohueshme a nuk ju kanë detyruar të kuptoni se bullgarët në Maqedoni dhe në Serbinë e Vjetër, në turrin e tyre kombëtar për të përmirësuar të dhënat për statistikat etnografike, të cilat nuk janë sipas shijes së tyre, ata thjesht po angazhohen për të shfarosur në mënyrë sistematike popullatën myslimane nëpër fshatra, në qytete dhe në rrethe.

Çka keni për të thënë lidhur me këto metoda për të siguruar fitoren e elementit sllav? A nuk do të pajtoheni se heshtja nga i tërë shtypi juaj shtetëror, nga gjarpri i patriotizmit “Novoje Vremja” , pastaj “Ruskaja Molva”, “Ruskoje Slovo” dhe “Reç” të cilat gjithnjë vazhdojnë të tregohen më të përkushtuara, dhe kjo marrëveshje e brendshme e të gjithë juve për të heshtur, a nuk iu bën juve bashkëfajtorë për këto akte shtazarake, të cilat do të lënë damka të zeza për tërë epokën?

Në rrethana të tilla, protestat tuaja kundër veprimeve të shëmtuara turke, të cilat nuk i mohoj, a nuk janë të njëjta me veprimet fariseje: që rrjedhin jo nga principet e përgjithshme të kulturës dhe humanizmit, por nga kalkulimet lakuriqe imperialiste?

A thua a nuk e keni të qartë se heshtja e tillë e “partive udhëheqëse të Rusisë” kundrejt veprimeve çmeritëse serbe e bullgare, tani kur aleatët ballkanikë kanë rifilluar operacionet ushtarake, i lehtëson këto të fundit që të angazhohen në veprat e tyre Kainiste, në masakra të tjera kundër popujve të “Gjysmëhënës” në interes të “kulturës” së Krishtit?

A mund të përgjigjeni në këto pyetje të qarta dhe të thjeshta, zotëri deputet?

Apo ndoshta ju jeni mësuar të llogaritni vetëm sa bëjnë dy e dy, dhe të konstatoni se prijësit janë fajtorë… Kjo letër proteste e Trockit është botuar në Gazetën “Luç” Nr. 34 (110) 30. Janar, 1913.

* Pavel Nikolajeviç Miljukov (1859-1943), ka qenë historian, i njohur për orientimin e tij sllavofil dhe figurë politike. Themelues dhe udhëheqës i Partisë kryesore Liberale Ruse, redaktor i gazetës “Reç” dhe udhëheqës i delegacionit të Kadetëve në Dumën e Katërt, në kohën kur Trocki i ka drejtuar këtë protestë.

Disa të dhëna biografike për Leon Trockin

Duke gjurmuar në literaturën komuniste të kohës, zbulojmë se Leon Trocki ( Lev Davidovic Bronshtain) ka qenë marksist, i cili ka ndihmuar shumë në realizimin e Revolucionit të tetorit të vitit 1917.

Ai lindi në vitin 1879, në Ukrainë.

Në vitin 1898 arrestohet nga policia ruse dhe dërgohet në zonën famëkeqe të Siberisë, por ne vitin 1902 arrin të arratiset nga Siberia dhe vendoset ne Londër. Atje njihet me një grup social demokratesh rus përfshirë dhe Vladimir Leninin, me të cilin në vitin 1902 botojnë gazetën “Iskra” (Shkendija) .

Ne vitin 1903 në Kongresin e dytë të Partisë së Punës Social Demokrate të Rusisë, socialdemokratet u ndanë ne dy grupe: “bolshevikët” ( partia e shumicës ) te cilët udhëhiqeshin nga V.I.Lenin, e orientuar si parti revolucionare dhe partia “menshevike” ( parti e pakicës) e cila udhëhiqej nga Martov.

Në këtë kongres Trocki vendosi të bashkohej me menshevikët por shumë shpejtë pati mosmarrëveshje me kreun e partisë për shkak se idetë e Trockit nuk përputheshin me idetë e kreut të menshevikëve.

Pas kësaj Trocki largohet nga partia dhe vendos te jete i pavarur. Mirëpo gjatë revolucionit të vitit 1905 ai bëhet organizator i shumë demonstratave. Bie në sy të policisë ruse, e cila e arreston dhe e dënon me një vit burg.

Në vitin 1906 ai shkruan librin “Rezultate dhe perspektive” i cili bazohej në idetë e Marksit. Trocki argumenton se klasa e punëtorëve do te zhvillohet, vetëm po të mos ekzistojë më klasa imperialiste. Kjo teori propozon se revolucioni rus do të shënonte fillimin e një revolucioni global. Trocki argumentonte se suksesi i socializmit në Rusi do te ndiqet edhe nga shume vende të Evropës, parashikim i cili u realizua sidomos pas luftës së Dytë Botërore, pas vdekjes së tij.

Ne qershor te vitit 1917 Trocki bëhet anëtar i Partisë Bolshevike, e cila kishte për qëllim ta përmbyste Qeverisë e Përkohshme dhe të vendoste Diktaturën e proletariatit. Më 26-27 tetor te1917, ishte njëri ndër organizatoret e Revolucionit të Tetorit, i cili përmbysi Qeverinë e Përkohshme cariste.

Pas revolucionit Trocki u emërua sekretar i Punëve te Jashtme të pushtetin sovjetik. Ai luajti një rol vendimtar në negocimet me Gjermaninë.

Mirëpo në Traktatin e Brest-Litovskit, ku Rusia u detyrua te linte gati 1/3 te territorit të saj, për te dalë nga Lufta e Parë Botërore, Trocki kundërshtoi këtë vendim, i cili ishte pranuar nga Partia Bolshevike. Për këtë shkak ai u detyrua të japë dorëheqje.

Me pas u emërua Komisar Suprem i forcave ushtarake te Rusisë, të cilat u shndërruan me pas në një ushtri te forte e të stërvitur, e cila u quajt, “Ushtria e Kuqe”.

Trocki u shqua për aftësi organizative dhe shume shpejt fitoi respekt dhe admirim nga trupat e tij ushtarake.

Mbas vdekjes se Leninit, në vitin 1924 në Partinë Bolshevike pati mosmarrëveshje, se cili duhet te zinte vendin e tij. Gara, në këtë parti, zhvillohej midis Trockit dhe Stalinit, mirëpo në këtë garë fitoi Stalini, i mbështetur nga Grigor Zinoviev dhe Lev Kemeniev. Me pas Stalini e detyroi Trockin te largohej nga Bashkimi Sovjetik. Ai largohet nga Rusia dhe mbas shumë udhëtimesh në vendet evropiane vendoset, në Meksikë.

Trocki u vra, më 20 gusht 1940, nga Ramon Merkader, agjent i shërbimeve, të cilat i kishte drejtuar vetë. Dëshmitarët tregojnë se Merkader kishte dëshmuar në gjyq, se kishte përgatitur hekur dhe se e kishte goditur Trockin, ndërsa ky po lexonte gazetën. Motiv për vrasjen kishte qenë shkaku, se gjoja Trocki, nuk ishte martuar me të bijën e Merkaderit. Ky version është hedhur poshtë nga historianët, të cilët mendojnë se Trockin e ka vrarë shërbimi sekret rus, i drejtuar nga Stalini.

Nga ana tjetër, Trocki urdhëroi rojet që të mos e godasin vrasësin, në mënyrë që ky të tregonte historinë dhe ngjarjen. Vetë udhëheqësi nuk vdiq menjëherë, por nga hemorragjia, pasi ishte goditur në enën kryesore të gjakut në qafë.

Kjo është historia e shkurtër e jetës së Trockit, e njohur për publikun shqiptar, ku nuk figuron fare pjesëmarrja e tij në Luftërat Ballkanike, ku ai mori pjesë si reporter i luftës dhe ku i përshkroi krimet e forcave serbe, të përkrahura nga Rusia kundër shqiptarëve, turqve dhe hebrenjve. Raportet e Trockit nxjerrin në sipërfaqe segmente rrëqethëse të mizorive që kishin punuar serbët, të përkrahur nga rusët, bullgarët e popujt e tjerë sllavë kundër shqiptarëve etnikë, por edhe kundër turqve dhe hebrenjve.

(Përktheu dhe përgatiti për botim, Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …