Leonard Dedë Palucaj (24.5.1978 - 19.4.1999)

Leonard Dedë Palucaj (24.5.1978 – 19.4.1999)

Leonard Palucaj ka lindur më 24 maj të vitit 1978, në Klinë. Në qytezën e lindjes mbaroi shkollimin fillor dhe atë të mesëm, në gjimnazin “Luigj Gurakuqi”. Në kohën kur ai ishte në shkollimin e mesëm, Serbia, në Kosovë kishte zbatuar segregacionin kundër shqiptarëve, prandaj edhe Leonardi ishte mbushur pezm e urrejtje ndaj këtij pushtuesi të urryer. Në një rast kërcënimi të policisë serbe ndaj nxënësve dhe mësimdhënësve shqiptarë që po zhvillonin mësimin në shtëpitë private, duke i urdhëruar ata me anë të një shkrese, që të mos mbajnë mësim në këto shtëpi, Leonardi kishte kundërshtuar këtë urdhëresë, duke grisur atë. Në kujtesën e shokëve të shkollës e të mësimdhënësve, ai ka mbetur ashtu siç ishte: një i ri flokëkaçurrel, plot energji e buzëqeshje, me shpirt e temperament të zjarrtë drejtësie e sakrifice.
Pas përfundimit të shkollës së mesme, Leonardi punoi në një dyqan tregtie në Klinë. Në këtë kohë, ai kishte arritur të krijojë rreth të gjerë shokësh. Meqenëse kishte afinitet muzikor dhe adhuronte zhanrin e muzikës së lehtë, me disa prej këtyre shokëve, pak vite para luftës, formoi grupin muzikor “Drini”, koncertet e të cilit u shfaqën në ambiente familjare, në Klinë e në rrethinën e saj, pasi shtëpia e kulturës dhe institucionet e tjera komunale të kulturës ishin të pushtuara. Ndonjëri prej këtyre koncerteve, siç është rasti me ato të mbajtuara për nder të ditës së shkollës së mesme “Luigj Gurakuqi”, ku kishte kënduar edhe Leonardi, janë gjiruar dhe ruhen edhe sot në familjen e tij. Në grupin muzikor “Drini”, bënin pjesë shokët e viteve të rinisë, të Leonardit, Sami Hereçi, nga Klina, Astrit Morina, Naim Boja e të tjerë. Prindërit e Leonardit, Deda e Dilja, vëllezërit, Viktori, Pjetri e Bernardi, motrat, Teuta e Manusha, por edhe anëtarët e tjerë të familjes, i ruajnë si një kujtim të çmuar malli, veglat e tij muzikore, (tupanat), ndonëse të dëmtuara nga pushtuesi serb, me rastin e bastisjes dhe të plaçkitjes së shtëpisë. Leonardi i binte edhe kitarës.
Dëshmori Leonard Palucaj kishte një histori tepër të ashpër të konfliktit të vëllazërisë familjare kundër pushtuesit serb, që prej kohës së Jugosllavisë karagjorgjeviqiane e deri tek ajo e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për shkak të rezistencës kundër saj, nga trungu i Palucajve, Jugosllavia mbretërore i kishte likuiduar Tunën dhe Ndrekën, nga fshati Dol i komunës së Gjakovës. Po nga ky trung i gjerë familjar, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Jugosllavia e Titos i ndoqi dhe i dënoi me burg, Pren dhe Hil Palucajn, nga fshati Trapeticë i komunës së Prizrenit, për shkak se ata kishin marrë pjesë në formacionet kryengritëse të lëvizjes kombëtare shqiptare, të prira nga kryengritësi i njohur, Ndue Përlleshi, i fshatit Paskalicë të Klinës. Po ashtu, në këtë kohë, nga ky regjim u vra edhe Mark Palucaj, nga Doli. Duke pasur familjen Palucaj, përherë në shënjestër, në vitin 1996, në afërsi të Kurshumlisë, në Serbi, sigurimi serb e vrau djalin e axhës së Leonardit, Agronin, i cili ishte duke u kthyer nga Austria për në gjirin familjar. Trupi i tij ishte hedhur në një lumë.
Në rrjedhën e rezistencës kombëtare kundër pushtuesit shekullor serb, rrethi i gjerë i familjes Palucaj, kontribut të çmuar i dha edhe luftës së fundit çlirimtare, të udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke mobilizuar në radhët e kësaj ushtrie, disa prej djemve më të mirë. Në pranverë të vitit 1998, nga mërgimi, ku ishte duke punuar, në Kosovë kthehet si ushtar i UÇK-së, Pal Palucaj, nga fshati Trapeticë. Ai ra në altarin e atdheut, duke luftuar heroikisht kundër forcave serbe, në Piranë, afër Prizrenit. Rënia e Palit, për Leonardin ishte edhe një shembull më shumë, në vargun e akteve të flijimit e të bashkimit të forcës familjare me atë të kombit, për çështjen e përgjithshme. Në radhët e UÇK-së, u radhitën edhe Leonard Palucaj, vëllai i tij, Viktori, djali i axhës, Luigji, dhe kushëriri tjetër, Ambrozi.
Lidhjet e para me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Leonardi i kishte vënë në pikën ushtarake të Shqiponjës (ish-Jabllanicë e Dushkajës), ku ai, së bashku me shokë, kishte shkuar shpesh për të parë organizimin e vijës së frontit. Ky organizim, këtë të ri e kishte entuziazmuar tejmase, kurse shpirtin e tij e kishte përvetësuar tërësisht pamja dhe qëndresa heroike e luftëtarëve të lirisë.
Me ashpërsimin e luftës, pushtuesi serb, sikurse edhe tërë popullatën civile shqiptare të qytetit të Klinës, e kishte detyruar të largohet nga vatra e saj, edhe familjen e Dedë Palucajt. Më 27 mars të vitit 1999, ajo kishte marrë rrugën drejt Tiranës. Mirëpo, Leonardi nuk kishte vazhduar rrugën përtej Kukësit, ku arrin më 29 mars, pasi kishte vendosur t’i kthehej Kosovës si ushtar lirie dhe si mohues kufijsh të dhunës e të copëtimit. Ai, së bashku me Ambrozin e Luigjin, shkoi në Kalimash, ku ndodhej qendra stërvitore e UÇK-së, dhe aty mobilizohet në njësitin ushtarak të komanduar nga komandanti Binak Gashi, të brigadës 138 “Agim Ramadani”. Në ceremoninë e dhënies së betimit, nga Tirana në Kalimash, kishte shkuar për të marrë pjesë edhe babai i Leonardit. Në atë rast, babë e bir kishin bërë disa fotografi solemne, të cilat kanë mbetur si një monument kujtimi.
Dy javët e para, pas mobilizimit, Leonardi, Ambrozi e Luigji, si dhe tërë brezi i tyre i rekrutëve, bënë stërvitjet e nevojshme me qëllim të aftësimit për vijat e frontit. Ato ditë, nga brigada 138 “Agim Ramadani” ishte planifikuar të ndërmerrej sulm i përqendruar mbi kufirin politik të Shqipërisë etnike, te vendi i quajtur Rrasat e Koshares. Ashtu siç ishte planifikuar, edhe u veprua. Sulmi mbi kufirin filloi. Pushtuesi serb u kundërpërgjigj në mënyrë dëshpëruese. Ai përdorte taktikën e zbrapsjes e të sulmeve sporadike. Ditën e parë të luftimeve, plagoset luftëtari Ambroz Palucaj. Atë arrin ta tërheqë nga vija e frontit, Leonardi, duke e bartur në shpinë deri në thellësi të tokës së lirë, ku ndodhej ambulanca ushtarake, ndërsa vetë kthehet sërish te vendi i luftimeve. Të nesërmen, luftimet vazhduan edhe më të ashpra. Ishte data 19 prill e vitit 1999. Beteja zhvillohej në distancë shumë të vogël. Armikut i arrinin përforcime të reja, por ato nuk mund ta mposhtnin heroizmin e ushtarëve të lirisë, të veshur me uniformën e UÇK-së.
Në këtë zjarr beteje, në simbolikën më të veçantë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, siç ishte rrënimi i kufirit të robërisë njëshekullore, te Rrasa e Zogut, në Koshare, më 19 prill të vitit 1999 hyri në përjetësi edhe dëshmori Leonard Palucaj. Në këtë betejë, përkrah tij ranë edhe dëshmorët Fatos Limani, nga Prishtina, Shukri Qorraj, nga Pemishta e Skënderajt dhe Fisnik Ibrahimi, nga fshati Shajne i komunës së Sharrit. Dy ditë më pas, trupat e dëshmorëve u varrosën nga bashkëluftëtarët, në varrezat e qytetit Bajram Curr. Për të shënuar simbolikën e vendit të rënies, më 23 gusht të vitit 1999, ata u rivarrosën në Koshare, si trupa të paidentifikuar, NN. Tre vjet më vonë, në gusht të vitit 2002, policia e UNMIK-ut zhvarrosi eshtrat e këtyre dëshmorëve dhe i dërgoi në morgun e spitalit të Rahovecit, me qëllim të identifikimit të tyre me metodën e testitimit të AND-së. Pas këtij testimi, në dhjetor të vitit 2002, u identifikuan edhe eshtrat e dëshmorit Leonard Palucaj, duke u bërë të ditura edhe plagët e marra gjatë luftimeve, nga armë zjarri, në kokë e në trup. Familja e këtij dëshmori, lidhur me rezultatet e testit u njoftua më 15 janar të vitit 2003, e cila, të nesërmen organizoi ceremoninë e varrimit të tij, në varrezat e fshatit Krushevë e Vogël të komunës së Klinës.
Me rastin e identifikimit, në trupin e dëshmorit Leonard Palucaj ishte gjetur stolia prej arit, qaforja, të cilën ia kishte dhuruar e ëma, Dilja. Qaforja e këputur nga plumbi, i është kthyer sërish asaj, si shenjë dëshmie e trimërisë dhe heroizmit të Lenit të saj e të mbarë shqiptarisë, siç e quanin Leonardin, në familje, në rrethin e shokëve dhe pastaj edhe në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Komanda e brigadës 138 “Agim Ramadani” e UÇK-së e ka dekoruar dëshmorin Leonard Palucaj me Pllakatën e Artë me stemë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …