Letër e hapur e Aziz Bicit, ish komandant i Batalionit të Parë të Brigadës 142, të Zonës Operative të Shalës

Përballë një gjendjeje tejet të vështirë në të cilën ndodhet populli shqiptar, si një ish aktivist i organizuar në struktura ilegale politike të kohës, si ish pjesëmarrës aktiv në luftë si dhe pas lufte i organizuar në struktura legale politike dhe institucionale deri në fund të vitit 2001 e ndjej për obligim që në cilësinë e qytetarit të thjeshtë t’i drejtohem opinionit me një letër të hapur.
Jam angazhuar me bindjen e plotë se me luftën tonë çlirimtare do të krijojmë kushte për ruajtjen dhe zhvillimin e dinjitetit të kombit shqiptar duke i respektuar edhe të tjerët kurse sot populli shqiptar ballafaqohet me mungesën e përfaqësuesve legjitim të interesave të tij kombëtare për të cilat kanë luftuar dhe sakrifikuar breza te tërë. Populli shqiptar i Kosovës sot trajtohet si një strukturë amorfe e papërcaktuar nga pikëpamja kombëtare. Në emër të gjoja pragmatizmit po i kërkohet popullit shqiptar nga vetë përfaqësuesit që flasin në emër të tij që të heq dorë nga identiteti i tij kombëtar.
Jam angazhuar me bindjen se pas çlirimit nga pushtuesi serb Kosova do të ketë zhvillim ekonomik, shfrytëzim të arsyeshëm të resurseve të veta, zhvillim social, kulturor, arsimor, shëndetësor, të drejtësisë, barazisë etj., kurse sot përballemi me një shkatërrim ekonomik të programuar, dëmtim të pasurisë pa çarë fare kokën për detyrimet që kemi ndaj brezave të ardhshëm, shkatërrim të vlerave kulturore, shkatërrim të shëndetit të popullsisë, shkatërrim të perspektivës.
Jam angazhuar me bindjen se populli ynë do të fitojë respektin e merituar nga të tjerët, kurse sot shohim me sytë tanë përpjekjet e turpshme dhe të papenguara të denigrimit të dinjitetit tonë kombëtar.
Jam angazhuar me shpresën e madhe që pas çlirimit do të vërshojë energjia popullore në drejtim të zhvillimit të shpejtë të Kosovës me vrullin energjik të entuziazmit të lirisë kurse sot shohim një situatë ku kemi përpjekje dëshpëruese të rinisë për të ikur nga Kosova. Është rrënqethëse dhe e tmerrshme për një popull që aq shumë sakrifikoi për lirinë e tij të korr këtë lloj lirie. 
Jam angazhuar duke pasur bindjen se partitë politike që do të krijohen pas luftës si dhe institucionet që do të themelohen, do të ndërtohen të bazuara mbi parimin se do të jenë shërbëtore të interesave të popullit kurse sot ballafaqohemi me realitetin se këto struktura ndërtohen vetëm për ta dëmtuar interesin e popullit dhe të ardhmen e tij. Ato e trajtojnë pasurinë e popullit si pronë të tyre me të cilën mund të bëjnë çfarë të duan dhe si të duan. 
Kam qenë i bindur se dëshmorët, por edhe viktimat e luftës, do të trajtohen me respektin e merituar nga institucionet dhe partitë politike dhe që nuk do të keqpërdoren nga askush për asnjë lloj motivi, por ballafaqohemi me një situatë ku dëshmorët përdoren për qëllime përfitimesh politike dhe materiale qoftë nga disa ish shokë të tyre të luftës që janë në pozita drejtuese të politikës dhe insitucioneve apo qoftë edhe nga politikanë të tjerë që dikur i kishin quajtur me lloj lloj epitetesh. Ballafaqohem me një situatë ku vërehet një përpjekje djallëzore e përfaqësuesve institucionalë dhe partiakë për të bërë fajtorë popullin, se gjoja populli nuk i paska dalë hakut dëshmorëve për punën e tyre. Në çdo fjalim, qoftë të përfaqësuesve institucionalë apo përkujtues nga nga disa ish shokë të dëshmorëve, dëgjojmë fjali të tilla sikur populli nuk paska bërë sa duhet për dëshmorët. Kategoria “popull” po tentohet të vendoset nën kategorinë “dëshmor”, sepse ata që sot zhvillojnë politikë nga pozita institucionale dhe partiake duan të krijojnë famë dhe të mira materiale për vete duke qenë aktiv për ta mbajtur një situatë që popullin ta vendosin në pozicion që gjithnjë të jetë në shërbim të tyre. 

Kam shpresuar se invalidët dhe veteranët luftës do të jenë një shtresë e respektuar e shoqërisë, e cila do të mbrojë vlerat e luftës për liri pa më shkuar kurrë mendja se disa nga përfaqësuesit e kësaj shtrese do të bëhen vegla të politikës, që dëmton rëndë qëllimet, për të cilat është luftuar. 
Kam shpresuar se pushteti nuk do te ketë mundësi qe te përdor pakicën serbe si mish për top kundër interesave te popullit shqiptar sot ballafaqohemi me një situate ku edhe me ndihmën e kastës politike shqiptare ruhet ky rol i pakicës. 
Asnjëherë nuk kam mundur ta çoj nëpër mend se përfaqësuesit e zgjedhur nga populli do të marrin guximin për ndryshimin e simboleve kombëtare, sikur ato të ishin pronë e tyre, pa çarë fare kokën se çfarë mendon populli. Armiku me gjithë përpjekjet e vazhdueshme që t’ia ndryshojë simbolet kombëtare popullit shqiptar nuk ka arritur ta bëjë një gjë të tillë për shumë shekuj robërie, ndërsa tash vetë përfaqësuesit e zgjedhur të shqiptarëve heqin dorë prej simboleve kombëtare pa asnjë arsye. Deri në këtë shkallë turpërimi askush nga përfaqësuesit e shqiptarëve nuk ka arritur në histori. 
Shqiptarët kanë pasur presion të shoqëruar edhe me ofertë nga regjimi titist për ta ndërruar identitetin e tyre kombëtar, por një gjë të tillë nuk e kanë pranuar me asnjë çmim. Përfaqësuesit e zgjedhur të popullit shqiptar para luftës nuk iniciuan ndryshimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve sepse kishin nevojë ta mbanin popullin pas vetes. 
Kurrë nuk kam mundur të besoj se fëmijët e mi do të mësojnë për historinë e popullit shqiptar shumë më pak se sa kanë mësuar nën regjimin pushtues titist apo atë të Millosheviqit. Nuk kam besuar kurrë se programet mësimore shkollore do të heqin dorë nga pjesa dërmuese e historisë së lavdishme kombëtare mijëravjeçare. Përkundrazi kam besuar se shqiptarët pas çlirimit do të hapin edhe më shumë dyer të arkivave botëror për të ndriçuar të kaluarën e lavdishme të tyre në funksion të zhvillimit kombëtar. 
Kam shpresuar se do të përfundoj një herë e mirë koha e mësimit të shqiptarëve në forma jashtë institucionale. Kam besuar se buxheti i arsimit do të jetë proporcional me nevojat reale të arsimimit të popullit. Nuk kam besuar se në arsimin publik do të detyrohem unë si prind të jap para për arsimin, jo vetëm nëpërmjet taksave dhe tatimeve, por edhe nëpërmjet kontributit direkt për plotësimin e kërkesave që bënë drejtoria e shkollës. Nuk kam besuar kurrë se mësuesi do të jetë personi më i denigruar i shoqërisë. 
Unë e kam pritur se pushtuesi bashkë me vete do të merr edhe gjurmët e administratës por nuk e kam besuar kurrë se përfaqësuesit e zgjedhur të popullit nuk do të kenë aftësi për të ndërtuar administratë të besueshme dhe që do të vijnë në situatë të mjerë për t’i kërkuar pushtuesit kthimin e dokumentacionit për bazë ligjore për vendosjen e administratës së re. 
Nuk kam besuar që pas luftës do të vazhdojë avazi i politikës së paraluftës duke përdorur si mjet politik pensionistët. 
Si luftëtar dhe si komandant batalioni në UÇK kurrë nuk kam besuar se luftëtarët çlirimtarë do të përballen me Gjykatën e Hagës, sepse këtë ushtri e ka financuar, e ka përkrahur populli shqiptar, të cilit i ka munguar liria me shekuj dhe ka zhvilluar luftë çlirimtare kundër një ushtrie serbe, e cila historikisht ka qenë mekanizmi i vetëm i politikës së Beogradit, që e ka mbajtur të pushtuar popullin tonë. Por aq më pak kam besuar që nga ish komandantët do të kërkohen para nga populli në emër të mbrojtjes së tyre apo të drejtësisë së luftës së UÇK-së. Nuk kam besuar që nga goja e drejtuesve të UÇK-së, do të dalin konstatime të shumta që e mohojnë hierarkinë apo peshën organizative të drejtimit të UÇK-së, përderisa populli shqiptar u ka shkuar prapa këtyre drejtuesve pikërisht duke u besuar thirrjeve të tyre në kohën e luftës dhe para saj. Vetëm kur detyrohen nga Haga të tregojnë të vërtetën del se nuk paska qenë hierarkia ashtu siç na është thënë por e paskan gënjyer popullin. Për asnjë çmim dhe sakrificë nuk kam besuar se për mbrojtjen e parimeve të luftës së UÇK-së do të kërkohen para për të paguar avokatë të huaj që fare nuk kanë pasur njohuri se për çfarë kishte luftuar populli shqiptar. Tash na del nevoja që të avokatët e huaj ta mbrojnë në emër të komandantëve drejtësinë e luftës çlirimtare. 
Qytetarët e Kosovës tashmë kanë fituar mjaftë përvojë të hidhur nga ata që drejtojnë në emër të tij. Tash kemi shumë prova se populli ua ka besuar fatet e tij njerëzve të cilët asnjëherë nuk kanë dashur të japin llogari për pasojat dhe dëmet që kanë shkaktuar me papërgjegjshmërinë e tyre. Jemi dëshmitarë edhe sot që grupe të ndryshme të interesave për qëllime përfitimesh të ndryshme, po përsërisin të njëjtat gjëra që kanë bërë edhe politikanët e viteve 90 të politikës paqësore dhe më vonë të asaj çlirimtare. Të gjitha shenjat janë që edhe politikanët e rinj qoftë ata të rrugës së demonstratave, apo ata që bëjnë organizime gjoja çlirimtare, janë në rrugën e atyre që kanë përfituar nga besimi i popullit në luftë për liri por që këtë besim e kanë keqpërdorur në format më kriminale. Të gjithë ata që po manipulojnë në emër të UÇK-së, qoftë hapur apo fshehtas nuk i përkasin interesave kombëtare shqiptare. UÇK-në e solli një moment i caktuar historik dhe nuk mund të përsëritet sa herë që kanë nevojë individët apo grupet për interesa të veta. Askush nuk ka të drejtë që ta konsiderojë pronë të veten UÇK-në qoftë edhe nëse janë nismëtarë të vërtetë të themelimit të saj. Populli është pronar i UÇK-së dhe asnjë grup apo individ. 
Politikanët shqiptarë që sot flasin në emër të popullit jo pa qëllim janë duke mos insistuar që të del në sipërfaqe e vërteta për dëmet njerëzore dhe materiale gjatë luftës në mes të UÇK-së dhe ushtrisë së Serbisë. Këta politikanë kanë arritur të instrumentalizojnë TMK-në dhe ta shtyjnë që të thotë se me marrëveshjen e Ahtisarit u arrit qëllimi i saj që të kthehet në një ushtri të vërtetë të Kosovës. Se cilat do të jenë detyrat e kësaj ushtrie nuk i trajtojnë se nuk u shkon për shtat argumenti i vërtetë. Se cili ishte vizioni i UÇK-së dhe cili është vizioni i kësaj ushtrie të ardhshme gjoja si vazhduese e TMK-së dhe UÇK-së, as për këtë nuk duan të thellohen, por me rëndësi për ta është forma. Dallimi në mes UÇK-së dhe TMK-së është se UÇK-ja u krijua si nevojë për çlirim nga pushtuesi. I kishte caktuar detyrë vetes që çlironte Kosovën nga pushtuesi serb dhe të mbronte të gjithë qytetarët, që jetojnë brenda saj pa dallim përkatësie kombëtare. Ndërsa TMK-ja u krijua nga një organizatë joqeveritare përmes një konkursi, që për kritere nuk pati mbrojtjen e interesave të popullit, sikur që kishte UÇK-ja. TMK-ja nuk u ndërtua për vazhdimin e realizimit të qëllimeve të UÇK-së, por u ndërtua për të mbajtur iluzionin në popull sikur e kemi lirinë sepse e kemi TMK-në dhe kjo i dha mundësi keqpërdorimit të mjeteve të popullit nëpërmjet Miqëve të TMK-së etj. siç bënë të njëjtit aktorë edhe me mjete të UÇK-së të grumbulluara nga populli në emër të luftës nëpërmjet fondit “Vendlindja Thërret”. Po kështu edhe Qeveria e Bukoshit krijoi pas luftës shoqata për të fshehur pasurinë e popullit, që kishte grabitur LDK-ja gjoja për pavarësinë e Kosovës. Asnjëra palë asnjëherë nuk i dhanë llogari popullit për paratë që ua kishin marrë. 
Serbët që jetojnë në Kosovë nuk janë fajtorë për gjendjen e tyre. Ata asnjëherë nuk i ka fajësuar populli shqiptar gjatë gjithë historisë. Periudha e viteve 80-ta të fushatës hegjemoniste serbe, e cila kishte mbështetjen e shqiptarëve që ishin në pozita udhëheqëse, po përsëritet edhe në vitet 2000-ta me po ashtu mbështetjen e lidershipit vendor. Politika e këtyre liderëve të cilët e fshehin identitetin e vet kombëtar shqiptar në radhë të parë i bënë të dyshojnë me të drejtë serbët dhe të tjerët se athua ata që fshehin identitetin e tyre për interesa të tyre të ngushta po çfarë do të bëjnë me të tjerët?!! 
Pozicioni i ndërkombëtarëve në Kosovë duhet të jetë real dhe i drejtë në vlerësimin e kërkesave të popullit shqiptar. Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet t’i lejojë vetës, të vjen në situatë të intervenimit me vonesë dhe pas shumë dëmeve të pariparueshme. Kërkesat e popullit shqiptar nuk janë ato që në emër të tij Grupi Negociator përpiqet t’i shfaq. Kërkesat e vërteta të popullit shqiptar janë të bazuara në ndërtimin e institucioneve demokratike që dalin nga një kushtetutë e cila bazohet në vullnetin lirë të popullit shqiptar dhe mbrojtja e të drejtave individuale dhe kolektive edhe e të tjerëve brenda të drejtës ndërkombëtare për pakicat. 
Bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë e vetëdijshme se ka lejuar një sistem në kundërshtim me interesat e vërteta që burojnë nga nevoja e zhvillimit të shumicës dhe për pasojë ky sistem është në kundërshtim edhe me nevojat e zhvillimit normal, brenda Kosovës, edhe të pakicës. Ky sistem është ndërtuar mbi mohimin e realitetit objektiv që ka ndërtuar politika pushtuese serbe dhe politika shqiptare e bazuar në interesa të ngushta grupore. Populli shqiptar do të jetë i detyruar nga nevoja jetike e zhvillimit të tij që këtë sistem ta zëvendësoj me një sistem tjetër të bazuar në parime të mirëfillta demokratike, zhvillim normal kombëtar të popullit shqiptar si kusht i zhvillimit normal të pakicave. 
Me gjithë faktin se popullit shqiptar po i imponohet, në radhë të parë nga vetë lidershipi që po flet në emër të tij, një gjendje që ia mohon të drejtën e vendosjes së popullit për fatin e tij, konsideroj se për të ardhur deri te ndryshimi i gjendjes në favor të plotësimit të kërkesave legjitime të popullit shqiptar. 
Kërkohet një politikë largpamëse dhe shumë e përgjegjshme që ende nuk është askund në horizont por ajo domosdo do të lind dhe zhvillohet si nevojë jetike e popullit. Një politikë të tillë mund ta zhvillojnë vetëm njerëz që e kuptojnë thellësisht rëndësinë e vlerave kombëtare si të shenjta, sepse vetëm këta janë në gjendje t’i kuptojnë si duhet edhe të drejtat e të tjerëve në kuptimin e mirëfilltë të tyre. Pa marrë parasysh fazën e zhvillimit organizativ, kushdo që mendon të merr përgjegjësi politike duhet ta kuptojë se nuk mund të shmanget nga përgjegjësia para popullit pa marrë parasysh shkallën e zhvillimit. Kështu e konceptoj unë përgjegjësinë politike e cila duhet të shtrihet deri edhe te qytetari i thjeshtë, sikur jam unë sot, që i drejtohet opinionit e të mos flasim për subjekte politike. 
Derisa institucionet dhe organizimet e tjera shoqërore janë krejtësisht të papërgjegjshme për hallet dhe problemet e popullit, bile ato janë bërë shkaktare të tyre, për të tejkaluar rreziqet, që shkaktohen nga ky kaos, popullit i duhet një vetorganizim për të mos lejuar që ky kaos të shkoj deri në konflikte me armë brenda shoqërisë, të cilat do të ishin katastrofave për popullin. Bartësve të institucioneve dhe partive politike aktuale u duhet një situatë kaosi deri në konflikte brenda shoqërore për të qëndruar sa më gjatë në skenë të papenguar. Për këtë jam plotësisht i bindur.

Kontrolloni gjithashtu

Ministrja, Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …