Kohëve të fundit janë intensifikuar vizitat e emisarëve të BE-së e të ShBA-së të ngarkuar me ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi.
Përveç kësaj, tanimë është e njohur publikisht edhe ekzistenca e një plani franko-gjerman për t’iu dhënë fund bisedimeve Kosovë-Serbi, me
synimin që të përmbyllej me një marrëveshje përfundimtare në mes të këtyre dy vendeve. Madje, u tha edhe publikisht se ka një marrëveshje në mes të palëve që ky plan të mos bëhet pubik.
Edhe pse Qeveria e Kosovës fillimisht e mohoi ekzistencën e këtij plani, tani e thotë hapur se ai plan ekziston, por nuk e ka thënë as edhe një
fjalë të vetme për përmbajtjen e tij.
Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Kurti sa ishin në opozitë i kanë kritikuar zëshëm rivalët e tyre pikërisht për mungesë të transparencës
në dialog, por tani e injorojnë plotësisht opinionin publik, madje edhe duke pohuar “pa frikë” se plani ekziston, por se nuk do ta bëjnë publik.
Ky injorim, këto bisedime të fshehta, kjo mungesë e “frikës” nga opinioni publik, – të gjitha këto e bëjnë të frikshme mungesën e transparencës në dialog.
LB konsideron që kryeministri Kurti duhet ta njoftojë opinionin publik për kornizën e ofruar të marrëveshjes. Ai dhe qeveria e Kosovës duhet ta shfrytëzojnë këtë moment që, duke e vendosur në qendër parimin e reciprocitetit, të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme edhe për Kosovën Lindore, dhe për veriun e Kosovës. Përndryshe, me këtë qasje të qeverisë, – ku një herë e trajtonte dialogun si prioritet të shtatë a të tetë, e tani e ka prioritet të parë, por duke e mbajtur në fshehtësi procesin, – mund të jemi dëshmitarë të marrëveshjeve të cilat nuk i zgjidhin problemet themelore në mes të dy vendeve, duke i shtyrë ato dhe, si pasojë, duke vazhduar ta mbajnë Kosovën në një gjendje të pafavorshme status quo-je.
Lëvizja për Bashkim
Prishtinë, 19.10.2022