Lëvizja Vetëvendosje ka adresuar dy interpelanca ndaj kryeministrit të vendit Isa Mustafa. Edhe pse ka kaluar një muaj Vetëvendosje nuk ka marrë asnjë përgjigje nëse shefi i qeverisë është i gatshëm që të paraqitet në Kuvend për të dhënë ose jo shpjegime rreth situatës politike në veri të vendit dhe për Kodin Telefonik. Zëdhënësi i qeverisë Abdullahu ka theksuar se kryeministri Mustafa do t’ju përgjigjet këtyre thirrjeve por nuk ka treguar datën se kur do të ndodh një gjë e tillë. Ai ka shtuar se për dy çështjet e ngritura si atë të kodit të telefonisë ashtu edhe të situatës në veri kohëve të fundit kemi zhvillime pozitive dhe shqyrtimi i tyre parlamentar në kuptimin e dialogut të pa tensionuar dhe pragmatik do të jetë ndihmesë për shtyrjen pozitive përpara të këtyre proceseve. Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e fundit ka vendosur që interpelancat të mbahen qysh në seancën e parë plenare.
