leoni

Libri i veprimtarit, Rrustem Statovci, “Rrëfime të kohës dhe gjenealogjia e pjesshme e Statovcëve” një vepër e mahnitshme

Libri i veprimtarit, Rrustem Statovci, “Rrëfime të kohës dhe gjenealogjia e pjesshme e Statovcëve” një vepër e mahnitshme

Libri i veprimtarit të njohur, Rrustem Statovci, “Rrëfime të kohës dhe gjenealogjia e pjesshme e Statovcëve”  është  një vepër e mahnitshme, është  një monografi, autobiografike  që të fascinon dhe të mallëngjen në të njëjtën kohë. Të mrekullon me punën dhe angazhim  e  “muhaxhirëve” për të mos harruar historinë familjare, të mallëngjen me faktin  se edhe 140 më pas, muhaxhirët e trojeve etnike të dëbuar dhunshëm nga vendbanimet e tyre, tani nën Serbi, nuk kanë harruar, as harrojnë  dot vendet e tyre, nuk kanë harruar as harrojnë se kush kanë qenë e kush janë, ku kanë qenë dikur e ku hetojnë tani në Atdheun e tyre të sotëm.

Biografia e Rrustem Statovcit, (1917-1990) është histori më vete, është një jetë e tërë me punë angazhime, veprime e vuajtje, pajtime të përkohshme me pushtetin, pastaj mospajtime, burg, izolim, dhunë, prapë punë dhe luftë të pandërprerë, gjithnjë në shërbim të kombit e atdheut.

Si luftëtar i NDSH-së, ai në vitin 1947 ishte dënuar me 20 vjet burg, 12 nga të cilat i kishte mbajtur.

Përveç sa e sa angazhimeve dhe veprimtarive ndër më ndryshmet, Rrustem Statovci ka lënë edhe shkrime të shumta dhe hulumtime ndër më të ndryshmet, si dhe një përpjekje, në pjesën më të madhe të realizuar,  për ndërtimin e drurit gjenealogjik të Statovcëve, muhaxhirëve të Toplicës të cilët 14o vjet më parë u dëbuan dhunshëm nga trojet e tyre dhe u vendosen në Kosovë dhe në pjesë të tjera të trevave shqiptare.

Muhaxhirët e Toplicës  sikur i quajmë me emrin e kohës, mendoj se janë i vetmi komunitet në botë që ka ruajtur kujtimin për gjenezën,  në mënyrën më të fortë e më të natyrshme të mundshme,  duke ruajtur për patronim emrin e  vendbanimit, emrin e fshatit, apo të qytetit, me qëllim për ta trashëguar brez pas brezi dhe  për të mos e harruar kurrë.

Kjo mrekulli ka ndodhur dhe është unike. Pavarësisht se shumë nga patronimet kanë prejardhje sllave, ato ruhen, për hir të gjenezës, për të mos e harruar se ku kanë qenë, nga cilat vende janë dëbuar, ku ndodhem  dhe ku janë vendosur për të jetuar përgjithmonë. Me muhaxhirët e Toplicës, forcat antishqiptare kanë shkaktuar të  njëjtin krim monstruoz krim kundër njerëzimit, ashtu sikur  edhe me çamët e Çamërisë. Të dy këto komunitete shqiptarësh janë   spastruar etnikisht, por në të dyja komunitetet jetojnë sivëllezërit e tyre, tani të asimiluar.

Libri i veprimtarit, Rrustem Statovci: “Rrëfime të kohës dhe gjenealogjia e pjesshme e Statovcëve” është një libër tërësisht i veçantë për të mos thënë i pari i kësaj tematike dhe kësaj përmbajtjeje.

Përpjekja për ta ndërtuar “drurin gjenealogjik, dikur të një familje apo vëllazërie, pastaj përpjekje për të lidhur  fijet e shkapërderdhura nga të gjitha anët, sado e pamundshme në dukje, në rastin e këtij libri, e pamundshmja është bërë e mundshme, falë vullnetit, punës këmbëngulëse të Rrustem Statovcit dhe të gjithë atyre që e kanë ndihmuar në punën e tij të palodhshme, dhe mjaft frytdhënëse.

Libri ka katër shtylla  kryesore, mbi të cilat është sistemuar  tërë lënda e vëllimshme dhe e pasur si me fakte, argumente, rrëfime e kujtime ashtu edhe me ilustrime të shumta të cilat në çdo faqe janë dëshmi e ekzistencës, dëshmi e rezistencës, dëshmi e mbijetesës.

Shtylla e parë është vetë autori,  Rrustem Statovci, kujtimet dhe rrëfimet e tij të shumta, të vërteta dhe realiste, të rrëfyera me një gjuhë të kuptueshme për të gjithë lexuesit, por edhe të shkruara me një gjuhë e pasur madje ka në këtë libër edhe rrëfime artistike.

Shtylla e dytë e librit është Mulla Hysen Statovci, një rilindës i vërtetë jo edhe aq i vonuar  i Kosovës dhe trojeve nën Jugosllavinë e kohës. Mulla Hyseni,  të cilin kam pasur fat dhe e kam njohur,  ka qenë sinonim  popullor i klerikut shqiptar islam, një burrë i përmbajtur i cili me kohë e kishte kuptuar më së miri dhe iu kishte përmbajtur misionit të tij si  hoxhë i popullit, hoxhë “revolucionar” në kuptimin popullor të fjalës. Në të kaluarën ka pasur edhe hoxhallarë të tillë të cilët në momentin  vendimtar kanë lënë detyrën e imamit kanë marrë pushkën në dorë dhe kanë rënë duke e mbrojtur vatanin. I tillë ishte Mulla Ymer Prizreni,  Mulla Irdiz Gjilani, Mulla Islam Spahia, Mulla Ilaz Broja, e shumë të tjerë. Mulla Hyseni nuk ishte vetëm predikues i fesë dhe i sharteve  të imanit e Islamit, por edhe mësues i besës  dhe i sharteve të Shqiptarisë dhe këtë e kishte dëshmuar sa e sa herë.

Shtylla e tretë e librit është gjenealogjia e Statovcëve, një degë e vëllazërisë shqiptare e cila u shkëput nga Trungu i dikurshëm i trojeve të Toplicës e Nishit dhe u vendos në viset e ndryshme të Kosovës e më gjerë,  ashtu sikur bënë edhe qindra vëllazëri të tjera, në gjysmën e dytë të shekullit 19-të,  kur kishte filluar  ploja gjakatare sllave mbi shqiptarët e trojeve të dikurshme autoktone.

Përpjekja mjaft e pasuksesshme që kanë bërë studiuesit e hartimit, sistemimit dhe përmbarimit të këtij libri, për të gjetur fijet shpesh herë të këputura të gjenealogjisë dhe të trungjeve të vëllazërive, që shtrihen gjithandej trojeve, është për lakmi, sepse si popull i shtypur, i mohuar për shumë kohë dhe i vonuar historikisht kemi ende shumë punë për të bërë, jo për ta kthyer të kaluarën, sepse ajo nuk bëhet dot,  por për të mos harruar kurrë kush ishim dhe ku ishim, ku jemi dhe ku pretendojmë të gjallojmë…

Shtylla e katërt e librit, është plotësuar me fakte, faksimile, foto, relikte e të tjera e pasuron dhe e kompleton këtë libër edhe me argumente vizuale, me foto e dokumente të shumta,  që dëshmojnë për tragjedinë por edhe mbijetesën, që dëshmojnë se një popull i cili ka rrënjë të thella, është si Rrapi shekullor, të cilin e rrahin erërat, stuhitë, ciklonet, ia thyejnë degët e shkundi dhe e trandin,    por nuk e shkulin dot  nga vendi, sepse rrënjët i ka shumë thellë në tokë.

Libri i veprimtarit, Rrustem Statovci” “Rrëfime të kohës dhe gjenealogjia e pjesshme e Statovcëve” është një vepër model që nxit  lexuesit e studiuesit për të bërë më tej në projekte të tilla, me qëllim për ta zbardhur të kaluarën tragjike por edhe heroike të mbijetesës shqiptare nëpër shekuj.

Ahmet Qeriqi

Prishtinë

  1. 10. 2022

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …