Ky libër i çmuar që i kushtohet në radhë të parë për veprimtarit, ushtarakut, luftëtarit dhe idealistit, Skënder Ibishi, familjes e të afërmve të tij, pastaj bashkëveprimtarëve dhe bashkë-vuajtësve nëpër burgjet e ish-Jugosllavisë, për nga përmbajtja, lënda e prezantuar, trajtimi metodologjik, përgatitja teknike dhe segmente të tjera, është një vepër e realizuar me sukses, si nga autori, Osman Osmani, ashtu edhe të gjithë ata që kanë dhënë kontributet e tyre për ndriçimin e jetës dhe veprës së Skënder Ibishit dhe periudhës kur ai ka jetuar dhe ka vepruar. Librin ka 364 faqe e botoi Prointegra.ch-Zurich. ISBN 978-3-9525622-0-8.
Libri publicistik, “Skënder Ibishi-Liria nuk ka çmim” i autorit, Osman Osmani, i kushtohet, veprimtarit, luftëtarit dhe idealistit, Skënder Ibishi. Ky libër, zbulon shumë segmente të jetës dhe aktivitetit jetësor të veprimtarit të palodhshëm, fjalë pak e punë shumë, Skënder Ibishi, i cili qysh në rininë e hershme ishte ndeshur me padrejtësitë e dhunën sistematike që ushtronte regjimi i ish-RSFJ-së, sidomos kundër shqiptarëve, të cilët në politikën zyrtare, verbale, të shtetit trajtoheshin të barabartë me të gjithë popujt e Jugosllavisë, por realiteti ishte ndryshe.
Ashtu sikur edhe shumë shqiptarë të tjerë liridashës, Skënderi qysh në rini, me qëndrim kritik kishte kuptuar realitetin dhe në rrugën e tij për arsimim, përparim dhe emancipim kombëtar, kishte rënë në kontakt me bashkëmendimtarë e më vonë bashkëveprimtarë, me qëllim për ta përparuar më tej çështje e pazgjidhur shqiptare në përgjithësi, e në veçanti në ish RSFJ.
Në këtë rrugë me rreziqe e të papritura, ai kishte njohur edhe veprimtarë të tjerë idealistë, për të cilët dinte se vepronin në kushte dhe rrethana ilegaliteti, ashtu sikur dinte se burgjet e Jugosllavisë ishin të mbushura me shqiptarë liridashës dhe në krye të të gjithëve ishte idealisti i paepur, Adem Demaçi me bashkëveprimtarë të tjerë.
Duke e njohur nga afër, duke qenë edhe bashkëveprimtar dhe shok besnik i tij, autori i librit, Osman Osmani, po ashtu veprimtar i mirënjohur i Lëvizjes atdhetare, në librin e tij për jetën dhe veprën e Skënder Ibishit ka arritur të mbledh, ta sistemojë, ta analizojë e ta mbarështrojë një lëndë reprezentative, të faktuar e të dëshmuar, e cila e parë nga shumë segmente dhe nga shumë kënde të vrojtimit, përmbush kërkesën për pasqyrimin besnik të jetës dhe veprimtarisë së tij, nga të gjitha anët për çka është qëllimi i autorit,
Libri, “Skënder Ibishi-Liria nuk ka çmim”, në shfletimin e parë duket heterogjen për nga përmbajtja dhe sistemimi i lëndës, por në tërësinë e vet kompozicionale, autori, bashkë me redaktorin, Bedri Tahiri, ka arritur ta kondenzojë tërësinë e librit, e cila përbëhet nga shkrime origjinale të Skënder Ibishit, intervistat e tij, botimet e artikujve dhe të poezive, mbrojtja para gjyqit ushtarak, mendime e vlerësime të miqve, të afërmve, të bashkëvuajtësve të tij nëpër burgje, pastaj shkrime e analiza që kanë të bëjnë me organizatën e quajtur Partia Komuniste Marksiste Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi, (PKMLSHJ) së cilës i takonte Skënderi, po ashtu edhe autori i librit, Osman Osmani bashkë me veprimtarët e njohur, si Abdullah Prapashtica që ishte në krye të Organizatës, së bashku me Enver Topallin, Rexhep Maqedoncin, Martin Çunin e shumë të tjerë.
Për ta kuptuar thellësinë e mendimit dhe gjykimit të tij dialektik, lidhur me këtë organizatë, për të cilën ende nuk kanë përfunduar debatet, Skënder Ibishi, në një shkrim të tij analitik lidhur me PKMLSHJ-në, e cila në vitet 70-të, 80-të e më vonë ka pasur një shtrirje dhe veprimtari të lakmueshme në Kosovë e më gjerë, ka arsyetuar veprimtarinë e saj dhe ka ngehur shqetësime të caktuara, të cilat edhe i ka shpjeguar me fakte e argumente.
Në një shkrim të tij lidhur me këtë temë ka shkruar: “Në kohët e fundit, në shkrime të ndryshme dhe libra të publikuar, hidhen disa hipoteza që përpiqen të venë në pikëpyetje ngjarje e veprime të faktuara e të dokumentuara, të cilat mund të vërtetohen edhe nga protagonistë pjesëmarrës të tyre, ende gjallë. Këta pretenduesit e të vërtetave të tjera, të paqena, të padëshmuara e të pa dokumentuara, edhe tani pas më se 30 e sa viteve, përpos interpretimeve subjektive, do të duhej të publikonin dhe të dokumentonin, që paska pasur edhe ndonjë bashkim tjetër”.
Skënder Ibishi ishte shumë konsekuent në mbrojtjen e së vërtetës, Ai ishte e ndërgjegjshëm se jo të gjithë të burgosurit kishin pjekurinë dhe njohurinë e duhur për të gjykuar drejt, sepse jo të gjithë ishin në nivel, arsimor dhe intelektual dhe në nivel moshe të kuptonin se një organizatë mund të kishte një qëndrim më liberal në dukje, sikur ishte kërkesa e PKMLSHJ-së për krijimin e një republike të Shqiptarëve në Jugosllavi, pa kërkuar fillimisht bashkimin me Shqipërinë.
Në parim dhe në veprim nuk kishte asgjë të dënueshme në atë koncept politik, edhe pse dihet se ajo nuk i kishte bërë fare përshtypje regjimit, përkundrazi kjo organizatë ishte trajtuar thellësisht armiqësore, nacionaliste e irredentiste, si gjithë të tjerat, madje edhe më e rrezikshme, sepse ajo rezervohej për fillim nga kërkesa për bashkim me Shqipërinë dhe këtë qëndrim do të kishte edhe më shumë anëtarë e simpatizantë.
Autori i librit, Osman Osmani, duke qenë edhe vetë në mesin e protagonistëve kryesorë të PKMLSHJ-së, është pa dyshim njohësi më i mirë i kësaj organizate, por edhe i jetës dhe veprës së Skënder Ibishit dhe këtë e ka dëshmuar me këtë libër, me punën dhe angazhimin e tij për ta pasqyruar sa më realisht e besnikërisht jetën dhe veprën e Skënder Ibishit, njërit ndër anëtarët kryesorë të organizatës, dhe në këtë drejtim e them me përgjegjësi se ia ka arritur me sukses.
Nxjerrja në dritë e këtij libri, plotëson mungesën që ka ekzistuar deri tani për jetën dhe veprën e Skënderit e po aq edhe të organizatës, e cila padrejtësisht nga grupe e klane të caktuara është vënë në hipoteka të dyshimit, edhe pse realiteti me kohë i ka demantuar thashethemet, ndërsa faktet e argumentet si gjithnjë janë baza shkencore e çdo studimi i cili mbështetet në realitetin e zhvillimeve të caktuara, të faktuara e të dëshmuara në një kohë apo periudhë të caktuar.
Duke qenë edhe vet i dënuar në kundër të këtij grupi, jo si anëtar i saj, por për faktin se një pjesë të aktivitetit tim ilegal e kisha zhvilluar në bashkëveprim me disa nga anëtarët e kësaj organizate, kryesisht me nxënësit e mi të asaj kohe si: Fatmir Z. Graiçevci, Lufti Maqedonci, Naim Mahmudi, më herët, Kadrie Gashi e të tjerë, pastaj gjatë vuajtjes së dënimit kam pasur rast të njihem edhe me shumë anëtarë të tjerë të kësaj organizate, si Vahedin Azemi, Shyqri Gjinolli, Fatmir Bajrami dhe me rastin e këtij vështrimi për këtë libër publicistik, ndiej për obligim të veçoj se kjo organizatë, pavarësisht si ka qenë trajtuar nga lakuesit e pretenduesit e së vërtetave të veta fiktive, ka qenë njëra ndër organizatat më masive dhe më me ndikim, në Kosovë, sidomos para dhe gjatë protestave e demonstratave të marsit, prillit e majit të vitit 1981.
Kjo organizatë me veprimet ilegale të Skënder Ibishit, që ishte edhe epror ushtarak, ka vepruar ilegalisht edhe brenda strukturave të ish “Armatës Popullore të Jugosllavisë”, ndërsa me Abdullah Prapashticën, që ishte kryetari i Organizatës, ajo ka qenë e shtrirë edhe në strukturat e caktuara të Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Kosovës, ndërsa me Rexhep Maqedoncin ka qenë e pranishme edhe në Policën e Kosovës së asaj kohe, me Martin Çunin ka qenë e njohur edhe në opinionin jugosllav, sidomos me letrën e hapur që ia kishte drejtuar redaktorit të gazetës “Borba”, në Beograd, ku kishte paraqitur dëshmi e fakte për krijimin e Republikës së Kosovës.
Fakti se disa nga krerët e organizatës kishin vepruar brenda strukturave të Shërbimit dhe të policisë së Jugosllavisë së kohës, ishte keqinterpretuar nga grupe e klane të caktuara, pavarësisht se organizatat ilegale kudo në botë synim primar kanë depërtimin në strukturat e Shtetit, me qëllim për të mbledhur më shumë informacione dhe për të maskuar veprimet, sikur kishte ndodhur me këtë rast.
Avdullah Prapashtica, i cili asokohe punonte në SPB, përmes të besuarve të vet kishte lajmëruar veprimtarët e caktuar, që cilët ishin në listat për arrestim, me këtë rast përmes Fatmir Graiçevcit e Lutfi Maqedoncit kam qenë i paralajmëruar edhe unë, pavarësisht se isha në arrati, prej 2 prillit të vitit 1981 deri më 1o maj të vitit 1982.
Veprimtaria e Abdullah Prapashticës, Osman Osmanit, Faton Topallit, Fatmir Bajramit e të tjerëve, në mërgatë, ka pasur ndikim dhe i ka shërbyer çështjes, pavarësisht mjegullës së dendur që ka mbretëruar në radhët e grupeve të ndara e të përçara, por kurrë nuk ka munguar gatishmëria për unifikim e bashkëveprim. Në këtë drejtim, me aq sa kam unë njohuri, PKMLSHJ, nuk ka qenë pengesë dhe nuk ka vepruar në dëm të Çështjes, përkundrazi.
Libri, “Skënder Ibishi-Liria nuk ka çmim” i autorit, Osman Osmani, është një vepër që hedh dritë mbi një periudhë të caktuar të zhvillimeve politike e shoqërore në Kosovë e më gjerë, përmes një protagonisti në krye të një organizate, që ka lënë gjurmë në historinë tonë më të re, sikur ishte Skënder Ibishit dhe organizata atdhetare, PKMLSHJ.
Tani e tutje, Skënderin, jetën dhe veprën e tij e të bashkëveprimtarëve të tij, do ta kemi pranë, kudo në mesin e librave nëpër bibliotekat tona, me qëllim për ta lexuar, për ta studiuar dhe për ta mësuar të vërtetën, sidomos ata që nuk kanë pasur rast ta njohin Skënderin, jetën dhe veprimtarinë e tij.
Ahmet Qeriqi
Prishtinë
Tetor 2021