Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka drejtuar kritika ndaj kryeministrit Albin Kurti. “A ka kryeministri ndonjë koment? 56000 qytetarë të Kosovës për një muaj kanë aplikuar për viza pune për të dalë jashtë vendi, vetëm në njërën nga ambasadat. Përse kjo heshtje? A nuk ishit ju qeveria e shpresës? Përse kaq shumë qytetarë ia mësyejnë ta lëshojnë vendin? Ata duan të ikin sepse qeveria nuk po tregon aftësi për ringjalljen ekonomike, përkundrazi, po e fundosë dita ditës edhe më shumë ekonominë edhe ashtu në krizë. Qeveria e këtij Kryeministri, me politika të majta ekstreme, frikësoi kapitalin vendor duke e nxjerrë jashtë dhe duke u ulur shuma e investimeve. Ajo përpos se nuk e përkrahu, krijoi armiqësi me sektorin privat. Qytetarët po ikin sepse po ndëshkohen me reduktime të energjisë e fatura të fryra për energjinë që qeveria e blenë po me paratë e tyre, përderisa qytetarëve në veri të vendit, iu paguan dhjetëra milionë për energji. Ata refuzuan dhe shkatërruan mundësinë e artë, që Kosova të bëhet fuqi energjetike në rajon, duke refuzuar edhe Kosovën e re edhe gazin amerikan, veç për të blerë energji me çmime dhjetëfish më të larta nga mafia energjetike”, ka shkruar lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.