Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, që është njëri nga ish-udhëheqësit e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, iu ka dërguar një letër shoqatave të dala nga lufta. Përmes kësaj letre Veseli ka rrëfyer sakrificën dhe luftën e lavdishme të UÇK-së, por edhe për përpjekjet e dashakeqëve që kanë dëmtuar statusin shpirtëror e moral të UÇK-së. Veseli ka ftuar shoqatat e dala nga lufta dhe gjithë veteranët që të kontribuojnë dhe të dalin guximshëm kundër falsifikatorëve të luftës Çlirimtare, duke krijuar një evidencë reale të numrit të veteranëve që vërtetë kishin qenë pjesë e luftës.
“Falsifikimet në listat e veteranëve, përbëjnë një turp të madh, të cilin nuk mund ta heqin hetimet e prokurorisë, por vetëm ndërgjegjja dhe guximi i secilit veteran për të treguar publikisht të vërtetën, pa marrë parasysh asnjë konsideratë apo lojalitet tjetër, përveç të vërtetës. E vërteta dhe vetëm e vërteta është instanca që garanton mos cenimin e UÇK-së si vlerë sublime kombëtare. Beteja kundër falsifikatorëve të brendshëm dhe atyre të jashtëm të së vërtetës së UÇK-së, është betejë për vet shtetin e Kosovës, prandaj, ne duhet ta fitojmë pa mëdyshje atë”, ka thënë ndër të tjera Veseli përmes një shkrimi në frrjetin social.