Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas lajmit se Qeveria e Kosovës ka refuzuar gazpërçuesin amerikan i cili ishte paraparë të kalonte nëpër territorin e Kosovës. LDK e ka quajtur paranojë të pashpjegueshme politik krahasimin me gazin rus dhe se shton se janë refuzuar 200 milionë dollarë nga Kosova për këtë projekt. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se Qeveria e Kosovës nuk do të vazhdojë tutje me projektin për kyçjen e Kosovës në gazsjellësin ekzistues në Maqedoninë e Veriut, projekt ky i përkrahur nga MCC-ja amerikane. Rizvanolli ka thënë se kanë nevojë për më shumë informacione rreth projektit të gazsjellësit për të ditur nëse është projekt adekuat për tranzicionin energjetik të Kosovës. LDK ka reaguar duke thënë se është refuzuar një projekt gjeostrategjik amerikan.“Sot, Qeveria e Kosovës refuzoi projektin më gjeostrategjik amerikan në Ballkan, atë të gazpërçuesit, që do t’i siguronte shtetit tonë furnizim me gaz e së këndejmi dhe tranzicionin e nevojshëm energjetik”, shkruhet në reagim. “Përveç se, në paranoizmin e pashpjegueshëm politik, e cilësoi të njëjtin si “gaz rus”, me këtë vendim, Kosova i refuzoi dhe 200 milionë dollarë, që Presidenti Biden, kohë më parë i kishte konfirmuar si grant – fonde falë – për Republikën e Kosovës dhe projektin në fjalë”, thuhet tutje në komunikatë.