Sipas raportimit të Kiks Kosova, Begaj ka përfituar nga marrëdhëniet e tij me zyrtarë të afërt të qeverisë, përfshirë Valon Hotin, shefin e stafit në Ministrinë e Infrastrukturës, gruaja e të cilit është kushërirë e pronarit të “Kosmonte Foods”. Një marrëveshje e vitit 2022 i dha kompanisë së Begajt të drejtën të shfrytëzojë tokën shtetërore në Harilaq për 99 vjet, me premtimin për hapjen e 300 vendeve të punës dhe zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe përpunimit të mishit të shpezëve. Raporti vë në dyshim përparimin e investimit, pasi tre vjet pas shpalljes së projektit, ai ende nuk është finalizuar. Një tjetër shqetësim i ngritur është lidhja e “Kosmonte Foods” me brendin slloven Perutnina Ptuj, e cila është blerë nga një oligark i dyshuar ukrainas me interesa edhe në Rusi. Mbetet të shihet se si do të reagojë qeveria dhe nëse do të ketë hetime mbi mënyrën se si Kosmonte Foods përfitoi këtë status të privilegjuar.
