Në ambientet e Shkollës së Mesme te Ulët “Dëshmorët e Vitisë”, sot është mbajtur një ligjëratë me temën “Mbrojtja kundër zjarreve dhe shpëtimi i jetës dhe pasurisë”, me pjesëmarrjen e nxënësve dhe mësimdhënësve të kësaj shkolle si dhe atyre nga Shkolla e Mesme Teknike “Jonuz Zejnullahu”.
Ky aktivitet u organizua nga Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjencë në Viti, në bashkëpunim me Agjencinë e Emergjencave, me qëllim të vetëdijesimit dhe edukimit të të rinjve rreth masave parandaluese dhe mënyrave të veprimit në rast të zjarreve apo situatave emergjente.
Ligjërues në këtë aktivitet ishin komandanti i Njësisë së Zjarrfikësve në Viti, Hetem Jakupi, dhe inspektori komunal i preventivës, Izer Salihu, të cilët ndanë me të pranishmit njohuri praktike dhe këshilla të rëndësishme mbi veprimet që duhet ndërmarrë për të shpëtuar jetë dhe për të mbrojtur pasurinë në raste të fatkeqësive natyrore, me theks të veçantë në zjarret.
Nxënësit patën mundësi të shtrojnë pyetje dhe të marrin përgjigje direkte nga profesionistët, duke e bërë këtë ligjëratë një përvojë të vlefshme edukative dhe praktike.
Ky aktivitet është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Komunës së Vitisë për të ngritur vetëdijen qytetare dhe për të përgatitur komunitetin, veçanërisht të rinjtë, për situata të mundshme emergjente.