Ministri i Arsimit dhe Shkencës Ramë Likaj është duke zhvilluar takim me drejtorët komunalë të arsimit rreth fillimit të vitit të ri shkollor. Me këtë rast u bë e ditur se viti i ri shkollor do të fillojë më 14 shtator, ndërsa Ministria e Arsimit ka ndarë buxhet shtesë për fillimin e mësimit prej 12.4 milionë euro. Ministri Likaj, tha se janë duke u bërë përgatitjet intensive që të organizohet mësimi në bazë të udhëzuesit që e kanë përpiluar. Në këtë takim është prezantuar edhe protokolli i reagimit ndaj pandemisë COVID-19 në shkolla, që do të përcaktojë mënyrën e reagimit të menaxhmentit të personelit të shkollave dhe drejtorive komunale të arsimit në rast të paraqitjes së rasteve të infektimit individual ose grupor të nxënësve ose personelit të shkollave.
