Zëvendëskryeministri i vendit, Fatmir Limaj, ka dhënë një intervistë të gjatë për mediet serbe. Numri dy i qeverisë së Kosovës ka folur për dialogun me Serbinë, taksën 100%, dhe tema tjera. Poashtu ka folur edhe për arsyet që çuan shqiptarët në formimin e UÇK-së dhe për kryetarin aktual të Serbisë, Aleksander Vuciq. Ai ka thënë se është koha që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës. Limaj i cili është votuar nga Kuvendi i Kosovës si bashkëdrejtues i Delegacionit Shtetëror për Bisedime me Serbinë ka thënë se në fazën finale të dialogut pret të arrihet një marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Kryetari i Nismës Socialdemokrate ka thënë se Kosova është shtet i pavarur, i njohur dhe pranuar nga më shumë se 100 vende të botës dhe nga të gjitha shtetet që rrethojnë Serbinë. Sipas, tij është koha që Serbia të bashkëjetojë me ketë realitet.
