Liria e pavarësia e Kosovës nuk është rezultat vetëm i masakrave që kreu Serbia në Kosovë, por në radhë të parë ishte lufta e UÇK-së dhe ndihma nga ajri e NATO-s.
Duke shkruar vetëm për masakrat, duke u ankuar vetëm për to, ne sikur po e harrojmë luftën dhe heroizmin e saj kundër Serbisë dhe me apo pa qëllim po bëhen përpjekje të zbehet forca e rezistencës, ajo forcë e cila është vënë në themele të çlirimit të vendit.
Gjaku i 2500 dëshmorëve tregon për luftën çlirimtare.
Ne kurrë nuk iu kemi ankuar Serbisë, as botës demokratike pse Serbia ka vrarë pjesëtarë të UÇK-së.
Të gjithë kemi qenë të vetëdijshëm se mund të vritemi dhe për këtë kurrë nuk jemi ankuar as kemi vajtuar, as jemi ndalur nga lufta dhe rruga deri në fitore.
Ashtu si Serbia edhe bashkësia ndërkombëtare vazhdojnë të jetë shumë indiferentë për masakrat, pasi ata kërkojnë pajtim mes viktimës e xhelatit, ndërsa përkëdhelin Serbinë.
Disa qarqe sikur po bëjnë përpjekje që të krijohet përshtypja se ne nuk kemi luftuar, por paskemi ikur nëpër male dhe Serbia ka vrarë sa ka dashur shqiptarë.
Kështu thonë ata që kishin ikur nga Kosova nuk kohën e luftës, pikërisht në kohën kur Serbia e Millosheviqit kishte filluar luftën për zhbërjen e UÇK-së, sidmos pas intervenimit të NATO-s në shenj hakmarrjeje.
Po cila është e vërteta?
Humbja e kuptimit të fjalës masakër dhe relativizimi i saj në publicistikën tonë
“Masakër, quhet vrasja e një numri të madh njerëzish, veçanërisht të atyre, të cilët gjatë një lufte që nuk janë përfshirë në asnjë luftim ose janë në pozitë që si të mbrohen. Një masakër përgjithësisht është antinjerëzore, moralisht e papranueshme, veçanërisht kur kryhet nga një grup aktorësh politikë kundër viktimave të pambrojtura”.
Kjo është esenca e kuptimit të fjalës masakër.
Në mediet shqiptare përgjithësisht, e veçmas në Shqipëri, kjo fjalë ka degjeneruar dhe lakohet në mënyrat më të çoroditura si: Babai e masakroi vajzën, (i ra dy shuplaka pas qafe). U masakruan votimet. Djali masakroi babanë, me dy grushte. Masakra zgjedhore etj, etj.
Nuk mund të quhet masakër qëndresa tri ditore e Adem Jasharit dhe Jasharëve çlirimtarë, në Prekaz, më 5.6. dhe 7 mars 1998, sepse nuk është masakruar asnjë kufomë, madje as ajo e Adem Jasharit. Për dallim nga kjo, që është rast i veçantë jo vetëm në historinë më të re të Kosovës, gjatë luftës në Kosovë, serbët kanë kryer qindra masakra, ndër më mizoret e brutalet që përmbushin të gjitha kuptimet e dimensionet e kësaj fjale.
Krejt ndryshe ka ndodhur në Reçak të Shtimes. Serbët, pas shpartalluan Togën e UÇK-së në Reçak, mblodhën pjesëtarë të popullatës civile, i rrahën brutalisht për së gjallë, disa i mbytën në tortura, pastaj i ekzekutuan dhe më pas ua deformuan kufomat, duke u prerë gjymtyrët e duke ushtruar mbi ta mizori të çoroditura. Dhe jo vetëm në Reçak serbët kanë kryer mizori të tilla, por edhe në shumë vende të Kosovës, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës e gjetkë.
Nuk mund të ankohemi gjithmonë për masakrat dhe ta lënë anash rezistencën historike, sidomos tri luftërat e tri ushtrive tona çlirimtare.
Le të botohen në libra të gjitha masakrat. Kjo është edhe detyrë, por jo nga dimensioni i masakrave që ka kryer Serbia, jo vetëm në Kosovë, të nxirren konkludime antihistorike, se gjoja bota përparimtare paska intervenuar për të mbrojtur shqiptarët dhe për të ndërprerë masakrat, kur dihet se kulmi i masakrave arriti pas intervenimit të NATO-s. Më 25. 26 dhe 27 mars 1999, vetëm në rajonin e Drenicës, Rahovecit e Therandës, serbët vranë e masakruan më shumë se 1200 shqiptarë, përgjithësisht nga radhët e popullatës civile shqiptare.
Dihet botërisht se NATO-ja kishte për qëllim të ndalte masakrat, por këtë nuk e arriti. Nuk arriti as të ndalonte qindra mijëra shqiptarë të iknin nga Kosova. Por në fund u arrit fitorja historike e luftës në Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e ndihmuar nga ajri nga avionët e NATO-s. (RKL)