leoni

Llazar Llazari: Duke kujtuar Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe dëshmorët e saj II

Llazar Llazari: Duke kujtuar Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe dëshmorët e saj II

   Mjeranët që numërojnë varret e dëshmorëve… 

I shkrojta këto rreshta, krah kush e di sa të tjerave, për ata mijra e mijra të rënë për këtë vend, për këtë popull, për lirinë e përparimin e tyre… Për mua nuk është punë nostalgjie e bindjesh. Nuk ka asnjë qëllim politik a përfitim personal. Por kam bindjen e shumicës dërrmuese, se për atë që ka dhënë jetën duke qenë në anën e duhur të historisë, nuk është kurrë tepër të nderosh, të flasësh e të shkruash.  Nga ana tjetër, si mund të heshtësh, para dikujt që me qëllime të caktuara, fillon e numëron varret e të rënëve në luftën për çlirim. Se nuk i dalin 28 mijë, por më pak, deri dhe disa mijë… Se kjo na qenka një mëkat i madh i historisë që duhet korrigjuar etj, etj…

Ja ç’ndodh me ne si me askënd shtet tjetër në Europë, që duam të zvogëlojmë dhe hedhim baltë edhe mbi kontributet që na nderojnë. Kreu i shtetit shqiptar Enver Hoxha, më 1946 në Paris tha për 28 mijë të rënë, por Mithat Frashëri nga Radio Londra përmendi shifrën mbi 30 mijë. Por edhe nëse s’janë aq të rënë, nga ata me armë nëdorë   në   përpjekje   me  nazifashistët,  po   gjaku   i  atyre   shqiptarëve  që  humbën jetën  në  rrethana të tjera e për hir  të luftës, nuk është gjak të rënësh?.. 

Kolonja ka aq dëshmorë sa ka, po gjaku i 107 borovarëve më 6 korrik 1943 dhe mbi 40 të tjerëve nga Kagjinasi deri në Leskovik një ditë më pas, nuk duhet llogaritur?.. Po kush e di sa të tjerë viktima nga raprezaljet, rrahjet, vrasjet e bombardimet, vdekjet në internime, etj, nuk duhen llogaritur?.. Duhet të fshihen nga historia? Po në shkallë vendi sa shkon kjo shifër, si ata të 4 shkurtit e kush e di  sa të tjerë… Ashtu siç eshtë sakrificë e s’mohoet gjaku i të rënëve të ‘Ballit‘ në luftë me pushtuesit, apo i atyre mbi 60 ballistëve të vrarë në rrethana të pajustifikuara në Lushnjë. Pse jo dhe e të tjerve në raste të ngjashme, që mund t‘u ishte kursyer jeta…

      Edhe diçka për Mehmetin…                

Rrethanat e kanë sjellë, që Mehmet Pepi të  jetë kujtuar shpesh nga unë, që kur jam bërë i përgjegjshëm e deri sot…

-Sepse ishte dëshmor i lirisë; 

-Se në Rehovë ndjehej si në fshatin e tij; 

 -Se në shtëpinë e Pali Priftit dhe në shumë shtëpi të  tjera ndjehej si djalë i tyre; 

 -Se aty punoi fort me të tjerë dhe e lidhën tërësisht fshatin me luftën N. Cl, me mbi 50 partizanë e dy dëshmorë; 

-Se  fati  e  deshi që  lufta  ta rrëmbente  atë djalë  të  veçantë, pikërisht në atë fshat;

-Së  fundi,  aty të kishte  lapidarin e të përkujtohej pa   harresë, gjithnjë me respekt e nderim. Por ka edhe më…

Në prag të 25 vjetorit të  çlirimit, nëntor 1969, në gazetën ‘Mësuesi‘ do të  kishte një faqe të veçantë me shkrime për Kolonjën, e shquar e me kontribute të mëdha në fushën e arsimit shqip. Mes tyre diçka për një mësues dëshmor. Pikërisht për Mehmet Pepin. Dhe autor i atij shkrimi modest do të isha unë, një mësues i ri në atë kohë në gjimnazin e qytetit. Shkrimi i parë  në gazetë, në një datë të shënuar, për një mësues të nderuar, për një dëshmor. Gëzimi i parë i një botimi në shtyp, që nuk harrohet… Po ashtu duke qënë në rrethin e shokëve e miqve të shumtë të djalit të vetëm të tij, mjekut të mirënjohur e të gjendur Prof. Gëzim Pepi, përsëri ai do të ishte i pranishëm shpesh në kujtime e biseda…

Mehmet Pepi lindi në Starje të Kolonjës më 14 shkurt 1915. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes dhe atë plotore në Ersekë. Në familje nga fjala e të parëve, në fshat e në shkollë, ai u edukua si një fëmijë me parime, me dashuri për vendin e popullin, me respekt për punën dhe njeriun e punës, me dashuri për jetën e për lirinë. Dhe Starja, ishte vendi i atdhetarëve, i luftëtarëve me pushkë por edhe me penë, me figura që kanë lënë gjurmë në historinë e vendit, si Hasan Zyko Kamberi, Shahin  Kolonja,  e  të  tjerë  nga  plejada  e derës  aq të dëgjuar të “Ypllarëve“… Shkollimi i mëtejshëm ishte qëllimi i jetës së tij…

Në verën e vitit 1938 përfundoi Shkollën Normale të Elbasanit, një nga më prestigjozet e kohës në vend. Ajo për Shqipërinë e asaj kohe kishte autoritetin, rolin dhe cilësinë gati të një universiteti, për përgatitjen e mësuesve, misionarëve të dijes e të kulturës. Njëherësh një qendër e rëndësishme ku u edukuan breza të tërë luftëtarësh idealistë për përparimin e vendit, për luftën kundër shtypjes, vuajtjeve, padrejtësive, injorancës e prapambetjes…Koha tregoi më vonë, se veç qindra e qindra kuadrove që kontribuan dukshëm në fusha të ndryshme të jetës në gjithë trojet shqiptare, nga kjo qendër e dijes dolën edhe dhjetra luftëtarë. Ndër ta, direkt nga bangat e shkollës në luftën me armë në dorë për çlirimin e Shqipërisë, mjaft prej të cilëve dhanë jetën pa e ushtruar asnjë ditë profesionin aq të nderuar të mësuesit …

Mehmeti i përket atij brezi të rinjsh, që u shkolluan e u formuan si veprimtarë të angazhuar, në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar. Ata ishin idealistë e luftëtarë për liri e jetë më të mirë, për mbarë njerëzimin dhe jo vetëm për një grusht njerëzish të pasur apo me pushtet. Ata nuk mund të pajtoheshin me sistemet e vjetra monarkike, apo me diktaturat që ishin shfaqur dhunshëm e po lulëzonin në disa shtete të Evropës. Pikërisht në këtë kohë, edhe si kundërpeshë e pikpamjeve  fashiste, intelektualë të  shumtë në mbarë botën  përqafuan  idetë  e  majta,  tek të  cilat  shikonin shpresën për një botë më të mirë…. Me përfundimin e shkollës ‘Normale‘, i riu Mehmet Pepi u emërua si mësues në krahinën e Kukësit dhe shërbeu për gati tre vjet në fshatrat Shtiqën e Bicaj. Edhe pse për një kohë të shkurtër, banorët dhe nxënësit e atij vendi, deri vonë ruanin të gjalla kujtime nga më të mirat.

      Një mik i ri nga Kukësi 

Kam pasur shok kursi në fakultet Beqir Beqirajn, me origjinë nga Bicaj, që më pas kreu detyra të rëndësishme në sektorin e arsimit në rreth, drejtor gjimnazi e shef arsimi për shumë vite. Pas viteve 90-të, si shumë të tjerë nga periferia, u vendos familjarisht në Tiranë. Kështu që takoheshim shpesh, bisedonim, çmalleshim, kujtonim…

Rasti e solli që një ditë pasi u kthye nga Amerika, Gëzim Pepi duke qënë me mua u takua për të parën herë me kuksianin e mirë, kuadrin e nderuar e njeriun fisnik Beqir, (tashmë larguar nga jeta). Pas prezantimit me emër e profesion nga ana ime për të dy miqtë, mbeta disi i habitur dhe nuk e kam harruar djalogun mes tyre:

-Të kam dëgjuar si doktor me emër dikur në spitalin ushtarak. Po mësoj sot, se je kolonjar e miku i mikut  tim. Po  me  Mehmet  Pepin,  mësues  dikur  në Kukës, ke të bësh?..

-Po… Është  babai  im,-u përgjigj Gëzimi, me një ndryshim të natyrshëm në fytyrë… Dhe pas një frymëmarrje të thellë, vazhdoi:

-Ka qënë mësues në Kukës menjëherë pas mbarimit të shkollës Normale. Ato janë vitet e vetme të mësuesisë që e donte, se më pas e rrëmbeu lufta…

-Ç’thua more doktor, djali i mësuesit prej Kolonje. Unë e njoh historikun e arsimit në rreth dhe më ka dalë emri i tij disa herë. Por për herë të parë kam dëgjuar për të, në shtëpinë time në Bicaj, se ai ka qënë disa kohë mësues atje, nga jam dhe unë. Ka njohur prindërit e mi, ka mësuar të afërt e bashkëfshatarë…

Gëzimi dëgjonte me respekt kuksianin që fliste për të atin që s’arriti ta njohë. Cilësitë e tij në kujtime njerëzish të thjeshtë, atje në Bicajn apo Shtiqnin e largët, kalonin brez pas brezi e rrëfeheshin ende. Ato ishin ngulitur në kujtesën e shpirtin e popullit. Beqiri foli më tej për to, për pasionin me të cilin punonte Mehmeti me fëmijët. Për dashurinë e sjelljen aq njerëzore. Për fjalën e mençur, që dinte t’i kuptonte e shpjegonte hallet e njerëzve e shkaqet e tyre. Që vinte gishtin në plagë dhe u hapte sytë jo vetëm nxënësve por gjithë banorëve të fshatit e më tej…

Para se të ndaheshim, Doktori i mallëngjyer e përqafoi me dashuri e mundi t’i thoshte vetëm kaq:

-U bëra dhe me një mik të ri!..

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …