Kapitalizmi

Luan Kurti: Globalizmi, kolonializmi i ri

Globalizmi në themel të vetë ka qarkullimin pa barrierë të mallrave dhe kapitaleve, akses të barabartë në tregje, krijimin e organizmave të posaçëm që do administronin krizat për të mos lejuar përhapjen e panikut tek publiku dhe shpërthimin e revolucioneve. “Qeveria globale”, nëse na lejohet ta përdorim si termë referencial, është një grumbull mekanizmash skarco, që nuk përputhen aspak me manualin dhe s’mund të krijojnë funksionalitet.

Këto janë përgjegjëse për krizat në çdo lloj kuptimi dhe po krijojnë një polarizim të skajshëm, në të pasur dhe të varfër si asnjëherë më parë në histori. Të pasurit në fakt, janë shndërruar në disa dhjetëra, qindra, kurse të varfrit miliona, miliarda. Madje nuk ka një masë të saktë, apo përgjithësim të termit “varfëri”. Vende të ndryshme kanë tregues të ndryshëm për minimumin jetik. Standardet shkelen dita-ditës në dëm të gjeopolitikës dhe kriza ekonomike mëtohet të përcillet dhunshëm nga kreu drejt periferive, duke krijuar taborret e plebejve që humbasin çdo lloj të drejte. Kjo sinkronizon shpopullimin jo vetëm në pakësimin e lindjeve, të martesës midis të rinjve, por edhe emigrimin ekonomik drejt vendeve më të zhvilluara, duke lënë territore të zbrazura.

Ekspansioni i kapitalit ka sjellë shfrytëzimin e pasurive të këtyre vendeve “për një copë bukë”, dhe ka krijuar një fluks të paparë të krahut të lirë të punës në perëndim, një përplasje me vendasit, duke minuar kohezionin social, një klimë urrejtjeje, dasie raciale në rritje, që manifestohet në programet politike izolacioniste të partive të ekstremit të majtë dhe të djathtë. Kësisoj globalizimi shndërrohet në kolonializim, qeveritë lokale në buratinë të trusteve dhe monopoleve, në aksesorë të domosdoshëm dhe popujt në një lloj mase amorfe pa sens të qartë lëvizjeje. Mund ta quani edhe skllavëri moderne, një lloj rrethi vicioz, ku kërkesa në rritje, po has një ofertë në rënie dhe po shton pasigurinë për të ardhmen. Sot është fakt që klasa e mesme nuk ekziston dhe roli i sindikatave është zbehur tejmase, është shtuar represioni dhe liria e mediave është vënë në rrezik.

Censura po merr trajtat e asaj që ishte gjatë Luftës së Ftohtë, madje edhe më keq: ajo operon jo vetëm nga brenda-jashtë, por edhe nga e kundërta, duke paguar shuma të konsiderueshme nën dorë që ta paraqesin situatën si idilike dhe progresive. Është bllokuar qarkullimi i elitave, pavarësisht zgjedhjeve, një herë në katër vjet, pushteti po kthehet i trashëgueshëm. Vendet kryesore që duhej të ishin promotor të zhvillimeve pozitive janë të gërryera nga problemet e brendshme, nga të njëjtët precedent dhe përkundër deklarimeve po zhvillojnë një luftë tregtare, diplomatike, revanshi për ndarjen e zonave të influencës.

Oligarkia dhe Off-shor-et janë sinonime të njëra-tjetrës dhe kanë krijuar një rezervë të frikshme valutore që mund të përmbysin çdo demokraci. Ekonomitë përtej të qenit prodhuese të të mirave materiale janë inflacioniste, konsumatore dhe sasia e parave të pista në qarkullim po gërryen të gjitha rezervat dhe resurset. Kësisoj realiteti po shndërrohet në virtualitet dhe ëndrrat, idealet e mëdha kanë humbur çdo sens.

( Sot)

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …