Edhe sivjet, siç është kthyer në traditë prej disa vitesh, politika në Shqipëri ka festuar e ndarë dy festat më të rëndësishme të kombit. Një ditë më parë, Dita e Pavarësisë u përkujtua me aktivitete në kryeqytet dhe në disa qytete të vendit. Kryeministri Edi Rama zgjodhi Vlorën, si kryeqyteti i Pavarësisë, për të festuar 103-vjetorin e shpalljes së Shqipërisë shtet i pavarur. Ndërsa opozita kujtoi në të njëjtën ditë ngritjen e flamurit dhe çlirimin e vendit. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha dhe ish-kryetari Sali Berisha bënë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve dhe pranë monumenteve të Adem Jasharit e Azem Hajdarit. Ndërsa sot, në ditën e 71-vjetorit të Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazi-fashistë, kryeministri Rama, presidenti Nishani, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj dhe përfaqësues të tjerë të shumicës kanë marrë pjesë në një ceremoni të organizuar tek “Varrezat e Dëshmorëve” në Tiranë.
Pas ceremonisë, Luan Rama u shpreh se nderimi për dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare në thelb është nderim për të gjithë ata djem dhe vajza që sakrifikuan jetën për çlirimin e atdheut. Është edhe detyrimi i brezave, është mirënjohja jonë ndaj sakrificës së tyre, por nga ana tjetër është ndërkaq edhe betimi ynë për të pasur gjithmonë ëndrrën e tyre, sakrificën e tyre shembullin e tyre busull orientimi për të bërë më të mirën për Shqipërinë antifashiste, për Shqipërinë evropiane”, – tha Rama. I pyetur se si e shikon faktin që politika shqiptare vazhdon të jetë e përçarë në këtë ditë, ai tha se kjo është shenja më tipike e pafytyrësisë politike dhe e sjelljes hipokrite që në ngjarje të tilla natyrisht nuk bëjnë asgjë tjetër, por nxjerrin lakuriq në sytë e popullit dhe në sytë e opinionit publik ata që vijnë këtu dhe e bëjnë homazhin për hipokrizi.