leoni

Fatmir Graiçevci: "Guri i Betimit", një roman për botën shqiptare në momentet vendimtare

Lufta e Kosovës, më 15 qershor të vitit 1389 , fragment nga romani, “Guri i Betimit” i autorit, Ahmet Qeriqi

Fusha e Kosovës prej Vicianumit e deri te Prishtina, lugina mes lumenjve, Sinisë dhe Llap, më 13 qershor të vitit 1389 i ngjante një bote konfuze,  ku ishin derdhur qindra mijëra luftëtarë nga vendet e Azisë dhe të Evropës. Vendi ishte mbushur me çadra, kampe të shumta laramane e gjithfarë ngjyrash, ku valëvitshin flamujt, radhiteshin formacionet luftarake të kalorësve, pastaj logjistika e luftës, topat e mëdhenj që ishin tërhequr me buaj të shumtë, që nga Azia, këmbësoria e cila lëvizte nga një vend në tjetrin, pluhuri që ngrihej si re nga kalërimi i kalorësve, nëpër rrugët që ishin tërë pluhur nga lëvizjet e pandërprera.

Qiellin e mbulonin si re të zeza edhe zhgabat, sorrat, lejlekët, që pinin ujë në lumin e Sinisë e të Allpit në atë verë me vapë e zallahi, ku dielli digjte si kupolë e skuqur nga zjarri. Dyndja e shpendëve kishte të bënte edhe me mbeturina e shumta, që derdhnin nëpër lumenj e kudo në tokë nga therja e bagëtive, mbetjet e ushqimeve lëvizja e pandërprerë e njerëzve e tregtarëve dhe bandave të ndryshme,  të cilat ishin përzier me ushtrinë e dyndur, në një pjesë të Fushës së Kosovë nga Ashania e dikurshme Ilire e deri te Kodra e Pirustëve, në Mazgit.

Përveç hungërimeve të kuajve, mushkave, palljes së qeve, e buajve që tërhiqnin peshat, dëgjoheshin edhe të thirrura me zë të lartë të kalorësve, pastaj sharje e fyerje të  sllavëve drejtuar turqve, që ishin vendosur në pjesën e epërme të vijës ndarëse veriore.

Gjatë natës, karaxhozët sllavë afroheshin deri afër kampeve dhe emetonin zërat e egërsirave, sharje, gërvallje, ulërima, zëra fëmijësh e grash të dhunuara, klithje orgazmash, e shëmti të tjera që nxirrnin nga gojët. Meqë ushtarët turq ishin sprovuar shumë herët me të njëjta gjeste, që i bënin mongolët, nuk reagonin edhe pse ulërimat e tilla ua prishin gjymin. Ndodhte kur ata zgjoheshin dhe i ndiqnin, por në të shumtën e rasteve duronin. Edhe ata prej fillimit të mëngjesit këndonin  ezanin e pastaj fillonin brambullimat me tupan e curle e lodër.  Kampet e të dyja forcave kishin rreth dy  mijë hapa fushë të demarkuar.

Kampi turk ishte krejtësisht uniform me shatorë e çadra të njëjtë dhe vetëm me një flamur unik që valëvitej kudo lartë mbi çadrat. Disa herë në ditë dëgjoheshin zërat e myezinëve, pastaj  në vendet para shatorëve të gjithë ushtarët luteshin e faleshin, duke u drejtuar nga jugu.   Po ashtu ushtria turke e kishte të sigurt edhe praparojën, meqë me kohë kishte vënë nën kontroll të gjitha rrugët nga ku supozohej se mund të vinin forcat e krishtera nga vendet e Evropës.

Herët në mëngjes, pasi falej sabahu, fillonte kërcimi  i valltarëve saqë krijohej bindja se tërë kampi  lëvizte nga brenda si një fuqi e madhe kozmike që priste nga çasti në çast, të shkulej nga toka dhe të shpërthente nga çdo anë.

Një ditë para fillimit të Betejës, Mirosh Danai kishte takuar Gjergj Ballshën dhe Gjon Kastriotin,  të cilët i shihte  për herë të parë, edhe pse të tre kishin dëgjuar për njëri tjetrin, ndërsa Gjoni dhe Gjergji njiheshin më mirë dhe ishin parë sa e sa herë. Pasi ishte përshëndetur me ta, Mirosh Danai u kishte bërë me dije se ai me luftëtarët e tij, edhe pse të pa mirëpritur nga Llazari dhe prijësit e tij, do të luftonte për tokën e vet,  të cilën e mbanin në rrethim edhe sllavët. Të tre ishin ulur në tavolinën e madhe të drurit, jo larg lumit të Sinisë, i cili kutërbonte nga duhma, hedhurinat, mbetjet që ishin derdhur në çdo vend,  dhe prishnin   freskun  e lumit të  asaj dite me vapë të padurueshme.

– Ne nuk kemi çka humbin as çka fitojmë. Kjo nuk është lufta jonë, por edhe anash  nuk mund të qëndrojmë,  sepse kemi fenë e të parëve që na bashkon, por edhe të gjitha  të tjerat që na ndajnë, kishte thënë në fillim të fjalës së tij Mirosh Danai.

– Kam dëgjuar shumë për ju prijës, por ta them të drejtën të krishterët e kësaj ane as të duan as të besojnë, madje ata të quajnë Millosh Kopiliq, e jo sikur ti e quan veten, përse është kështu, kishte pyetur Gjergj Ballsha, duke ngritur dolli për fitoren e të krishterëve.

– Është e vërtetë se kur rashjanët pushtuan trojet tona, ndaluan fenë tonë të burimit, që këndej është përhapur qysh në kohën apostolike, pastaj ndërruan emrat e fshatrave, ndërruan ikonat nëpër kisha, na i ndaluan shenjtorët tanë vendosën zakonin e tyre, që nuk pranon asnjë fe tjetër, asnjë kishë tjetër dhe asnjë besim tjetër. Kjo edhe na armiqësoi dhe për afër 150 vjet, ne kemi rezistuar, por edhe kemi humbur e jemi tretur, sepse ju njerëzit e gjuhës e të gjakut tonë më shumë bashkëpunonin ne sllavët sesa me ne. Unë kisha babanë tim prijës të kësaj treve të Dardanisë, të cilin e vrau tinëzisht  Kisha e tyre, meqë ishte caktuar të shkonte ne delegacionin e të krishterëve nga Ballkani, te Papa, në Avinjon. Edhe mbretin e tyre Dushan e helmoi patriarku Aleksej. Ju nuk i njihi sa duhet se çfarë mizorësh janë  dhe çfarë ligësish dinë të  bëjnë këta, shumica syresh, andaj edhe jeni miqësuar me ta.

– Po edhe këta bij të Krishtit janë, me ndarje që nënkuptohen, por nuk besoj të jenë aq të pa shpirt sikur i përshkruani ju?

– Nuk janë njerëz të besës sikur jemi ne, prijës Ballsha,  kishte thënë Gjon Kastrioti. Kam dëgjuar për shumë nga mizoritë e tyre dhe tash po bindem edhe më shumë, por fati e ka dashur, që sot të jemi aleatë kundër turkut dhe nëse e fitojmë luftën e përbashkët, duhet ta ruajmë më shumë njëri tjetrin në pikëpamje të gjakut, gjuhës e besës, pse jo edhe të fesë, sepse ajo u nda qysh më 1053 dhe ne nuk jemi fajtorë për atë ndarje, as kemi nevojë të heqim dorë nga feja jonë.

– Sot jemi bashkë në Flamurin e Krishtit, andaj duhet të luftojmë, por edhe të vdesim për të ruajtur  fenë e trojet tona kishte thënë, Gjergj Ballsha. Ju prijës Millosh keni qëndruar shumë kohë edhe në Turqi, madje edhe keni luftuar për ta, andaj edhe ju kuptojmë, por tani meqë keni vendosur të na bashkoheni,  do ta keni edhe përkrahjen tonë.

– Më ndje princ i nderuar. Unë në radhë të parë jam, Mirosh Nikollë Danai, dhe me ju po flas gjuhën tonë të përbashkët dhe jo  Millosh Kopiliqi, sepse rezidenca  jonë ka ruajtur emrin e kohës së moçme Korpilian, nuk e përfillë  trajtën e sllavizuar, Kopiliq.

Sa për atë që kam luftuar në radhët e turqve kam bërë njëjtë sikur edhe shumë prijës të tjerë, sepse ne, më shumë jemi rrezikuar e rrezikohemi nga këta mizorë, sesa nga turqit. Por ju këtë nuk e kuptoni as doni ta kuptoni, andaj  edhe mbani këtë qëndrim, Ndërsa sa për këta vëllezërit e miqtë tuaj, do t i provoni edhe vetë, kishte thënë Mirosh Danai dhe ishte ngritur nga tavolina për t’ u larguar.

– Mos u ngut Mirosh, i kishte thënë Gjon Kastrioti. Edhe mua Ivan Kastriotoviq më quajnë,  por nuk i jap rëndësi kësaj,  sepse tani kemi të tjera punë, jo si quhemi e si na quajnë, ndërsa këtë e quajnë Gjuragj Balshiq, është sipas gjuhës së tyre kjo!.

– Kjoftë lavduemun Krishti, vëllezër të mi, kishte thënë pa u përshëndetur me dorë dhe i kishte hipur kalit me një zhdërvjelltësi, sa i kishte lënë gojëhapur bashkëbiseduesit.

– U ngutëm të dy,  princ Ballsha, por ju më shumë se unë. Ky njeri ka diçka në shpirtin e tij që ne nuk arrijmë ta kuptojmë, sepse këto troje të dikurshme të arbrit dhe popullatën e kësaj ane  ne i njohim vetëm përmes rashjanëve.

– Është shumë i vrazhdë, por edhe mik i turqve, nuk na duhet kjo pjellë, Gjon. Të krishterët  kudo ku janë,  janë një dhe njëzëri  duhet të jenë përballë turqve, andaj të ngrihemi, kishte thënë Gjergj Ballsha dhe të dy ishin larguar.

Dita e përleshjes së dy botëve, dita e rënies së pamëshirshme  të dhjetëra mijëra kokave

Me agun e parë, afër tre çerek ore pa lindur dielli,  kishte filluar ezani i përforcuar me zërat shpërthyes të qindra myezinëve dhe kjo ishte krijuar rrëmujë në kampin e forcave të krishtera, të cilat sakaq ishin zgjuar dhe ishin vendosur në pozicione, që i  kishin sistemuar e planifikuar përballë turqve, në kohën kur ata do të ndodheshin përballë diellit, ndërsa atyre u binte në shpinë dhe u qartësonte goditjen me shigjeta. Kjo ishte strategjia e komandantëve të krishterë, në përpjekje për ta bërë diellin aleat të natyrshëm, pa mendur për kundër efektet.

Kampi turk i luftës kishte një gjerësi prej tre mijë hapave, ndërsa thellësia e taborëve të para, nuk shkonte as në dyqind hapa. Kontingjentet mes veti kishin njëqind  hapa  largësi nga njëri tjetri.  Në radhitjen e trupave, fillimisht kishin vendosur shigjetarët të kombinuar  me këmbësorë, pastaj kalorësit dhe në fund këmbësoria. Forca rezervë, ndodhej  te shatorët, ndërsa një pjesë e akinxhinjve ishte barrikaduar anash, me qëllim për të mbrojtur krahët nga ndonjë forcë befasuese e të krishterëve, që mund  të ishte stacionuar  gjatë natës, nga malet afër. Një pjesë e rezervës ishte brenda qytetit, Vicianum. Çadra perandorake ishte në mesin e shatorëve e ruajtur në çdo anë. Brenda çadrës e cila ajrosej me dhjetë shpërndarës të freskisë së ajrit, që e lëviznin shërbëtorët zezakë, rrinte në minderin e tij, Sulltan Muradi i Parë me Shejhul-islamin dhe trupa e rojave të brendshme. Djali i tij, Sulltan Bajaziti, ishte kryekomandanti i luftës. Ai vëllait të tij, Jakubit  i kishte dhënë detyrë speciale ta ruante babanë e moshuar, pasi nuk e kishte bindur dot të qëndronte në Edrene, jo vetëm sepse ishte i moshuar,   por edhe sepse do t’i kishte duart më të lira për komandimin e  luftës.

Kampi i forcave të krishtera ishte përafërsisht sa ai i turqve, por pa forca në prapavijë. Ata kishin shpërndarë rezervat larg vijave të frontit, për t’ ua marrë anën forcave turke  dhe për t’ i rrethuar, mirëpo nuk kishin llogaritur në shpërndarjen taktike, paraprake të forcave turke, të cilat ishin marrë vesh do të vepronin sipas zhvillimeve, meqë terreni ishte i rrafshët, ndërsa rojat vëzhgonin nga disa katapulte,  që i kishin vendosur turqit  gjatë natës në vende të caktuara.

Të krishterët kishin vendosur në radhën e parë kalorësinë e blinduar me mburoja hekuri e me pancirë, për të cilët e dinin se nuk e shponin dot shigjetat turke, madje disa nga kalorësit e njohur, po me pjesë metalike  kishin veshur edhe kuajt e tyre.

Pas kalorësisë ishte vendosur këmbësoria e madhe në numër,  por e ngarkuar me pancirë që vështirësonin lëvizjen dhe rëndonin trupin, në ditët me vapë të padurueshme, Shumica syresh nuk i kishin venë helmetat në kokë, sepse edhe kokat u  zienin nga vapa.

Në kohën kur dielli kishte ndriçuar horizontin, forcat e kalorësisë së krishterë kishin mësyrë me shpejtësi,  duke u përpjekur  që sa më parë të arrinin këmbësorinë, e cila gjatë natës ishte afruar edhe njëmijë hapa më afër kampit të krishterë me një lëvizje tejet të ngadaltë, që nuk ishte hetuar as  nga sytë e vëzhguesve   të krishterë,  gjatë natës.

Sapo kalorësit ishin afruar brenda rrezes pesëqind hapa, këmbësorët turq kishin drejtuar mburojat e metalit të lehtë që flakërinte si pasqyrë me pamje konkave e konvekse dhe që ua merrte sytë ushtarëve të krishterë, edhe pse ata  marshonin  me shpejtësi marramendëse.

Që në takimin e parë me rrezet e forta të diellit të ndeshura në mburojat e ngritura përnjëherësh, që flakërinin  në thyerjen e rrezeve të ditës,  kalorësia e krishterë kishte filluar të marshonte sa djathtas, aq majtas, pa arritur përqendrimin, ndërkohë që kishin rënë përdhe dhjetëshet e para duke penguar radhët në vazhdim.

Sapo ishin afruar në rrezen e goditjeve të shigjetave, harkëtarët turq, të vendosur së bashku me këmbësorinë  kishin goditur  kuajt dhe nga goditja e parë kishin rënë për tokë qindra kalorës së bashku me kuajt e tyre. Kalorësit e tjerë,  duke qenë se marshonin në radhët e ngjeshura, pengoheshin në kuajt e shtrirë përdhe dhe nuk bënin dot përpara. Po ashtu, ata  ndesheshin me rrezet e ashpra të diellit, që shpërndanin mburojat, të cilat vetëtinin dhe u merrnin shikimin. Duke parë se kalorësia po dëmtohej me shpejtësi të paparashikueshme, Komanda e krishterë kishte urdhëruar  prapakthimin e tyre, me qëllim për të pritur mesditën, kur nuk do të kishte efekt të ndriçimit diellor. Ata ishin befasuar me kundër përdorimin e rrezeve të diellit nga ana e turqve, metodë kjo e njohur nga luftëtarët e krishterë, por e pa menduar me kohë.

Në fushë të betejës  kishin mbetur disa qindra të vrarë e shumë më tepër të  plagosur. Përpjekjet për të nxjerrë të plagosurit i kishin bërë të pamundshme shigjetarët turq, më të stërviturit e kohës, të cilët nuk kishin lënë të afroheshin asnjë luftëtar të kampit armik në rrezen e veprimit të fuqisë së goditjes së shigjetave,  nga harqet e punuara sa me mjeshtëri, po aq edhe me materie të fortë metalike.

Mbreti Llazar ishte konsultuar me kreun komandues të luftës, veçmas me strategun polak, Nandor Pollanski, i cili ishte hutuar nga veprimi tejet inteligjent i forcave armike. Në kohën kur ai i kishte thënë mbretit se duhej pritur të kalonte dhe një orë,  kur do të anashkalohej efekti verbues i mburojave nga efekti i rrezeve të diellit, komandanti turk, Sulltan Bajazidi  kishte urdhëruar të gjitha kontingjentet të bënin para edhe për njëmijë hapa. Fillimi i marshimit të tëra kontingjenteve kishte krijuar një huti të papërshkrueshme në kampin e krishterë. Gjon Kastrioti i cili ndodhej në këshillin e luftës, ndërsa  Gjergj Balsha së bashku me Vuk Brankoviqin në forcat rezervë  të këmbësorisë e të kalorësisë, iu kishte afruar mbretit Llazar dhe kishte folur.

– Jo më kot kisha propozuar që turqit t’ i sulmonim gjatë natës, sepse ata janë ardhës dhe ende nuk e kanë mësuar terrenin. Në mëngjes do t’i kishim zhdukur ashtu sikur bënë turqit me ushtrinë  e Vukashinit në Marizzë, por ju nuk më dëgjuat.

– Ke të drejtë, prijës i nderuar. Unë mora mendimin e Vukut e të Gjergjit që donin të ndanin mejdan me turqit,  duke i besuar strategjisë së tyre,  dhe tani ende pa filluar  mirë beteja kemi humbur me shumë se njëmijë kalorës e po aq kuaj  ndërsa turqit na erdhën edhe njëmijë hapa më afër.

– Mbret i nderuar  propozoj të largoheni nga fusha e Betejës, sepse i kemi vetëm njëmijë hapa larg forcave armike. Nga të dyja anët kanë ngritur gjatë natës edhe katapulte dhe mund të godasin pikërisht këtu ku jemi. Edhe truproja i Mbretit Llazar, Bozhidar Nikoliq me disa luftëtarë të zgjedhur kishin propozuar që mbreti të tërhiqej në drejtim të Rezidencës, e cila ishte më afër malit, për çdo rast, madje nga atje përcillej më mirë zhvillimi i betejës. Mendimin  për largimin e Llazarit e kishte mbështetur edhe komandanti kryesor polak. Ai kishte ftuar  në konsultim krerët e luftës  për të marrë masa dhe për të mos lejuar  forcat turke të përparonin në fushën e betejës.

***

Në kampin turk ishte rritur shkalla e mobilizimit dhe vetëm priteshin urdhrat kur do të mësynte  këmbësoria e rregullt dhe në vend të saj të pozicionoheshin akinxhinjtë rezervë. Djali i Sulltan Muradit të parë, prijësi Jakub i kishte bërë të ditur babait, në tendën e madhe se forcat turke kishin përparuar  në pozicione, kishin verbuar këmbësorinë armike me mburoja fakfoni  duke i shkaktuar humbje të mëdha në kalorës e kuaj, ndërsa forcat turke kishin  vetëm disa të plagosur.

– Tani të sulmoni, të mos presim natën e errët se nuk dimë nga t’ ia mbajmë, Fitorja duhet të arrihet para perëndimit të diellit, biri im, dërgoja këtë lajm Bajazidit. Prijësi ishte larguar rrufeshëm ndërsa Sulltani iu kishte drejtuar shoqëruesve në shator.

– Kishim një lajm nga një qafir se do të na sulmonin natën dhe kësaj iu kam frikësuar më së shumti, sa as gjumin nuk e kam bërë, por ja që Allahu ua mori mendtë   dhe pritën ditën, kur do t’ i verbonim me mburojat tona, kishte thënë Sulltani i sigurt të fitore, sepse nuk kishte pësuar në asnjë nga ekspeditat e tij të deriatëhershme.  Kishte afër tridhjetë vjet në krye të Perandorisë

– Ashtu si ka shkruar Allahu  do të bëhet, Padishahu im i nderuar, kemi aq ushtarë sa ta pushtojmë gjysmën e Ballkanit kishte thënë shejhul-islami, i cili  rrinte shkujdesur duke menduar se lufta ishte fituar, ende pa filluar mirë.

Me rastin e përparimit të forcave turke, Mirosh Danai me njëqind  kalorësit e tij kishte qenë rezervë dhe asnjëri nga ata nuk ishte dëmtuar. Ishte pozicionuar në dalje të të kodrës dy mijë hapa afër lumit të Sinisë, me qëllim për të mos lejuar forcat  rezervë të akinxhinjve të përparonin në drejtim të vendit, ku po zhvillohej beteja. Me të rifilluar sulmi i përgjithshëm i forcave turke, fillimisht  me kalorësi e pastaj edhe me këmbësori, ai kishte porositur  Gjergj Alpushin dhe  Ndrenik Gashanin që të marshonin kur të jepej urdhri dhe të mos nguteshin me kuajt e tyre, meqë edhe ashtu ata ishin caktuar për të qenë forcë rezervë.

-Unë po largohem, dhe pasi të konstatoj humbësin,  të cilin edhe di qysh tani do të paraqitem para rojës së Sulltanit.

– Të marrësh një dhjetëshe këmbësorësh për çdo rast princ i nderuar.

– Në asnjë mënyrë. Kam me vete këto rroba dervishësh por të jetë nevoja do të futem në kampin turk dhe nuk më njeh askush. Nuk është kjo lufta ime, as lufta jonë, unë pres marrëveshje me fitimtarin për të shpëtuar njerëzit e mi. Në rast të fitores së Llazarit do të na  zhdukin të gjithëve, sepse më kanë shpallur tradhtar dhe “Kali të Trojës” në mesin e vëllezërve të krishterë.

– Dëgjo Gjergj nëse nuk kthehem gjallë i thuaj Fitoshit të kthehet në Korpilian, të ketë në kujdes Damjanusin dhe të marrin masa mbrojtëse, në të gjitha pikat bashkë me kalorësit e mi, sepse mbretëria rashjane po merr fund.

– Ashtu do bëhet prijës, por ti na duhesh i gjallë, ta kesh mendjen te ne,  i kishte thënë Ndrenik Gashani.

Në orët e mesditës kishin filluar përleshjet fyt për fyt të kalorësisë së dy ushtrive. Forcat turke kishin depërtuar me lehtësi në radhët e krishtera, sepse ishin stërvitur që gjatë kohës së galopimit të kalit të goditnin me shigjeta e me hanxhar sipas nevojës. Furisë së forcave turke nuk i kishin përballuar forcat e krishtera, të cilat ishin më të shkapërderdhura. Atyre  u kishte hyrë frika në palcë nga depërtimi i shpejtë i turqve, pastaj befasia që u kishin bërë me mburojat verbuese.

Në orët e para të pas ditës, forcat turke kishin hyrë  thellë në kampin e këmbësorisë së krishterë dhe lufta zhvillohej me shpata, hanxharë të gjatë, ushta e heshta me sëpata e mjete të ndryshme metalike. Veshjet me pancirë të luftëtarëve të krishterë kishin qenë aleati më i fortë i turqve, meqë ata sado që ishin të blinduara, lëvizjet për sulm e në mbrojtje i kishin shumë të ngathëta. Jo pak luftëtarë me kohë kishin hequr rrobat e mburojat metalike dhe ishin lëshuar furishëm në sulm kundër turqve. Shumë prej tyre kishin zhveshur edhe rrobat nga brezi e sipër.

10 mijë trupat e kalorësisë dhe të këmbësorisë së Vuk Brankoviqit ku bënin pjesë  edhe forcat e Gjergj Ballshës dhe të Gjon Kastriotit, duke parë përparimin e pandashëm të forcave  turke, kishin marrë vendim të prisnin, që turqit të pakësoheshin në numër dhe ata të ndesheshin, vetëm kur të konstatonin se fitorja ishte e sigurt.

– Nuk duhet të presim më shumë, Brankoviq, i kishte thënë Gjergj Ballsha.

– Kësaj i thonë tradhti ndaj mbretit e ndaj Krishtit iu kishte drejtuar, Gjon Kastrioti.

– Strategjisë, e cila çon në fitore nuk i thuhet tradhti, miqtë e mi të mirë. Unë dua  fitore të sigurt. Ka qindra mijëra ushtarë Evropa, pse nuk na i dërgoi sot. Edhe ata që na i dërgoi i verbuan turqit ende pa filluar beteja. Komanda iu dha një polaku, i cili nuk ka parë kurrë më parë ushtarë turq, as e di strategjinë e forcën e tyre. Tekefundit, nëse konstatojmë se do  të humbim do të dërgojmë një delegacion për bisedime paqeje te Sulltan Muradi i Parë dhe jo të lejojmë të na vrasin të gjithëve. Në luftë ka fitore, por ka edhe humbje, e cila pastaj mund të sjellë një fitore edhe më të madhe.

– Por ne nuk kemi hyrë fare në luftë, Brankoviq.

– Ne jemi rezerva, këtë rol do ta kemi deri në fund.

– Nuk do të dërgojmë delegacion pa hyrë në betejë dhe pa i provuar forcat, kishte thënë Gjon Kastrioti.

– Nëse futemi në betejë nuk ka më nevojë për të dërguar delegacion te Sulltani, por  këtu do të bëhet një mal me kufoma sa as lumi i Sinisë nuk do t i zë, kishte thënë me bindjen e dezertorit,  Vuk Brankoviqi.

– Atëherë unë po i marr forcat e mia dhe po iu bashkohem atyre që po derdhin gjak.

– Jo Gjon, jo, i kishte thënë prerë Gjergj Ballsha. Ne iu kemi bashkuar Aleancës dhe nuk do të ndahemi. Kryekomandanti ynë është Vuk Brankoviqi. Vetëm ai ka të drejtë të marshojë me forcat tona. Gjon  Kastrioti ishte zemëruar tejmase por nuk kishte rrezikuar më tej i vetëdijshëm  se mund të pësonte me humbje koke nga Brankoviqi.

– Do të na këndohet kënga e tradhtisë ndër shekuj, kjo është tradhti, ne erdhëm për të luftuar, jo për t u tërhequr ende pa mbaruar lufta, kishte thënë Gjon Kastrioti.

– Dëgjo mik, mund të marrësh forcat e t’i dërgosh në vdekje të sigurt, unë nuk të ndaloj, por dije ama se asnjë i gjallë nuk do të shpëtojë.  Më mirë rob, se varr, thuhet në raste të tilla. Shumica e prijësve të Bizantit janë vasalë të Sulltanit. Ata nuk erdhën të na bashkohen. Pse duhet të vdesim, kur nuk jemi as një për qind të sigurt se do të fitojmë, kishte pyetur Vuk Brankoviqi? Ku është Marko Kraleviqi, Konstandin Dragoshi, ku janë të tjerët?

Gjergj Ballsha iu kishte bindur urdhrit të kunatit të tij, ndërsa Gjon Kastrioti me një duzinë kalorësish iu kishte bashkuar radhëve për mbrojtjen e krahut të luftës ku gjendej Mbreti Llazar, i cili nuk kishte pranuar  të largohej nga balli, ku ishin zhvilluar luftimet fyt për fyt…

 

Kontrolloni gjithashtu

Një rikujtim i bukur për historinë e 28 Nëntorit të 1912-tës!

Një rikujtim i bukur për historinë e 28 Nëntorit të 1912-tës!

Me rastin e festave të nëntorit, si dhe në  shenjë të përkujtimit të datë së …