Me 28 nëntor 2022, në fshatin Petrovë të Shtimes do të zbulohet pllaka përkujtimore e luftëtarit të NDSH-së, Isuf Muharremi

Luftëtari i lirisë dhe dëshmori i NDSH-së, Isuf Muharrem Azemi (1898-1946) nga Petova e Shtimes dhe vëllai i tij, Hajdar Muharremi ( 1909-1979) II

Pas dhunës ushtarake që kishte ndërmarrë forcat partizane të Titos në Drenicë në Frontin e Sanxhakut, në Kosovës Lindore, në Gjilan, Tetovë e vende ë tjera, në pranverë dhe verë të viti 1945, forcat e NDSH-së kishin përforcuar radhët për t’ iu kundërvënë regjimit titist, i cili  Kosovën e kishte kthyer  në një autonomi nën republikën e Serbisë dhe në kuadër të federatës. Kjo kishte ndodhur në gusht të vitit 1945, në konferencën e Prizrenit, ku delegatët shqiptarë, nën kërcënimin për likuidim kishin pezulluar Rezolutën e Bujanit dhe kishin votuar që Kosova t’ i bashkohej Serbisë.

Shumica shqiptare në Kosovë, Maqedoni, e në treva të tjera të aneksuara nga  Jugosllavia nuk ishin pajtuar me regjimin okupator jugosllav  dhe iu kishin bashkuar radhëve të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, e cila mbulonte tërë territorin e vendit me grupe të armatosura, forca këto që luftonin në grupe e formacione kudo në fshatrat e lokalitetet  shqiptare.

Pas riokupimit të Kosovës nga Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, në pranverë të vitit 1945, në kushte të fshehta të veprimit kishin punuar dhe vepruar  politikisht dhe ushtarakisht komitetet e rretheve, të NDSH-së, me qëllim për t’ i konsoliduar dhe zgjeruar radhët. Në rrethin e Lypjanit, Shtimes e Ferizajt komitetet i bashkërendonin veprimet me qëllim të konsolidimit të radhëve.

Komiteti i Lypjanit kishte në krye dy personalitete të rëndësishme të Lëvizjes sikur ishin Kadri Beba dhe Sali Rexha, pastaj, Nezir Buja, Sadri Duhla, Januz Bajçinca me bijtë Ruzhdiun dhe Nebihun nga Rubovci, Zekë Luma e Rexhep Veli Ballbani, nga Kraishta,  Islam Dragusha e Shaban Dragusha nga Rufci, Islam Domaneku, Mustafë Domaneku, nga Gracka e të tjerë. Në Shtime me rrethinë, Jetë Hasani Plaku, Hamdi Tmava, Rexhep Hyseni  dhe Ali Kajtazi nga Godanci, Isuf Muharremi, Hajdar Muharremi, Heset Hamza  Rizah Metushi, nga Petrova, Bajrush Zuka dhe Mehdi Zuka nga Lloshkobarja e shumë të tjerë.

Më 25 korrik të vitit 1946, në Blinajë, ish Lypovicë, për herë të parë në historinë tonë kombëtare po shpalosej sintagma kuptimplote: Organizatë Nacional Demokratike Shqiptare. Ky orientim i forcave të vërteta atdhetare sfidonte regjimin komunist, i cili nuk pranonte konkurrencë në ndarjen e pushtetit, edhe pse gjatë luftës ata kishin premtuar se pas fitores do ta lejonin, vetëvendosjen,  pluralizmin politik dhe përcaktimin e lirë e demokratik të qytetarëve. Ideologët e kësaj Lëvizjeje të re, e cila nuk ishte komprometuar as në përkrahje të forcave nazi-fashiste, por as në forcat partizane komuniste, pretendonte barazinë, lirinë dhe marrjen e pushtetit me ndihmën e forcave anglo-amerikane dhe vendosjen e rendit demokratik.

Në përpjekje për të konsoliduar radhët, grupet e shkapërderdhura nacionaliste parashtrojnë nevojën e një takimi të përgjithshëm, i cili parashihej të mbahej në malet e Kozmaqit, në Qyqavicë apo në Lipovicë, tani Blinajë. Për të krijuar kaos në mesin e pushtetarëve komunistë, Arif Shala, përmes besnikëve të tij, kishte përhapur lajme se gjoja forcat nacionaliste do të tuboheshin në Qyqavicë, ku pa vonuar kishte filluar dislokimi i forcave policore dhe ushtarake jugosllave. Duke bashkërenditur veprimet me shumë kujdes dhe fshehtësi, përmes shokëve të tij besnikë, ai kishte caktuar vendin ku do të mbahej Kongresi i Lipovicës, në trekëndëshin mes fshatrave, Krojir, Shalë Risinovc. Edhe forcat komuniste kishin aktivizuar rrjetin e fortë të spiunazhit, për të hetuar me saktësi pozicionimin e forcave nacionaliste.

Vendimin për ta mbajtur Kongresin e Lipovicës e merr Ajet Gërguri përmes kryesuesit të LNDSH-së në Shkup, Qemajl Skënderi. Sigurimin e vendit dhe të terrenit ku do të mbahej Kongresi e marrin përsipër Azem Bellaqevci, Sokol Haxholli dhe Izet Murati. Disa pika mbrojtjeje i kishin siguruar paraprakisht edhe Salih Rexha, Islam Domaneku e luftëtarë të tjerë të sprovuar. Lidhjet kryesore mes grupeve i mbante Arif Shala. Ai i caktonte detyrat për anëtarët dhe ithtarët e Drenicës jugore… ( Dr. Muhamet Pirraku Për kauzën shqiptare, 1997-1999, Prishtinë 2000, f.110).

Kongresi merr disa vendime:

Organizata të quhej Lëvizje Nacional Demokratike Shqiptare.

Ushtria e formacionet luftarake të quheshin Ushtria Nacional Demokratike Shqiptare në malet e Lira të Kosovës. Profesor,  Ymer Berisha emërohet komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë dhe i LNDSH-së, meqë nuk dihej se ai ishte vrarë në pritë nga banditët e OZN-ës dy javë më parë. Disa nga pjesëmarrësit e këtij kongresi, pasi iu bënë analiza rrethanave tejet të pavolitshme, propozuan që, të gjitha forcat nacionaliste të fillonin tërheqjen nga Kosova drejt Greqisë, meqë qëndrimi në Shqipëri nuk ishte fare i sigurt. Si duket shumica e krerëve në heshtje e aprovonte këtë propozim.

Gjon Serreçi me Ajet Gërgurin, të përkrahur nga Islam Domaneku dhe Kadri Beba ishin për dalje në Greqi, kurse kundër tyre do të ngrihen: Osman Bunjaku, Hilmi Zariqi, Jetullah Rezalla, Imer Fazli Radisheva, Zeqir Lutani i Turiqecit, Shyt Mareci e të tjerë (Dr. Muhamet Pirraku, Mulla Idris Gjilani… Prishtinë 1995, f. 349). Kundër këtij propozimi ishte ngritur me pushkë në dorë, Osman Bunjaku, i cili kishte thënë: Të gjithë juve që po kërkoni të shkoni në Greqi iu kisha pushkatuar, sepse këtu duhet të luftojmë për lirinë e popullit shqiptar…

Në mesin e pjesëmarrësve në Kongres ishin edhe Isuf Muharremi, Hajdar Muharremi  si dhe luftëtarët e përkushtuar e të dalluar, si:  Sadri Duhla, Januz Bajçinca me bijtë Ruzhdiun dhe Nebihun, Zekë Luma e Rexhep Veli Ballbani,  Islam Dragusha e Shaban Dragusha, Islam Domaneku, Mustafë Domaneku, Jetë Hasani Plaku, Hamdi Tmava, Rexhep Hyseni  dhe Ali Kajtazi,  Heset Hamza  Rizah Metushi, Bajrush Zuka dhe Mehdi Zuka nga Lloshkobarja, e shumë të tjerë.

 Vëllezërit Isuf Muharremi dhe Hajdar Muharremi  ishin bashkuar me luftëtarët e rrethit të Shtimes dhe Ferizajt në rrethin e Neredimës dhe bashkë me disa nga luftëtarët e kësaj ane si Bajrush Zuka dhe Mehdi Zuka nga Lloshkobarja, Beqë Zeqiri nga Gjurkovci. Isufi, asokohe, meqë forcat  e UDB-së përmes njerëzve të vet i gjurmonin luftëtarët e NDSH-së,  kishte rregulluar një bunker në një pikë strategjike në vendin e quajtur Lugu i Gjytetit mbi Petrovë, ku me anën e rrasave kishte sajuar një strehimore inventive të pa mundshme për zbulim. Në ndërtimin e bunkerit kishte dhënë kontribut edhe Haxhi Mani nga Petrova e të njohur të tjerë.

Në trupën e pararojës në krye të formacionit ushtarak të NDSH-së. i cili në fillim të gushtit të vitit 1946 ishte nisur për në Shqipërim   bënin pjesë: Sadri Duhla dhe Qerim Ali Gashi, të cilët e njihnin  më mirë terrenin, pastaj Salih Rexha, Rexhep Salihu, Ismail Dragusha me bashkëshorten, Fetie Kelmendi Dragusha, Qerim Banulla, Isuf Muharremi, Fejzullah Emin Saraçi, Beqir Zeqiri, Ahmet Shipoli,  e të tjerë.

Sadri Duhla i cili i printe pararojës së formacionit të armatosur të NDSH-së, herët në mëngjesin e 8 gushtit i kishte raportuar kreut të NDSH-së, Ajet Gërguri, Gjon Serreçi, Azem Jashanica, Bellaçevci se forcat jugosllave i kishin përcjellë lëvizjet dhe kishin vënë prita. Fillimisht ishte marrë vendimi të sulmohej prita dhe grupet të taktizonin në rrugë të depërtimit  te Kodra e Billushës, mbi Hoqë të qytetit të Prizrenit.

Sulmin e parë e kishin filluar me breshëri armësh e mitralozash, Salih Rexha, Sadri Duhla, Islam Dragusha, Fetie Dragusha, Isuf Muharremi, Fejzullah Saraçi, Bajrush Zuka e të tjerë. Pas dy orë luftimesh forcat ushtarake jugosllave ishin tërhequr. Sadri Duhla kishte raportuar kreun e NDSH-së se prita ishte thyer por në vendin ku do të duhej të kalonin ishin vërejtur forca të shumta, nëpër pozicione. Krerët e NDSH-së, Ajet Gërguri, Gjon Serreçi, Azem Jashanica, Bellaçevci, Kadri Beba e të tjerë kishin arritur në përfundim se thyerja e pritës ishte bërë me qëllim për ta shtënë në kurth tërë formacionin, andaj edhe ishte kërkuar tërheqja e të rënëve dhe të plagosurve. Sapo kishte filluar tërheqja taktike: sulmo furishëm tërhiqu ngadalë forcat serbe kishin vënë në lëvizje minahedhësit dhe kishin goditur  kudo në pikat ku vëreheshin luftëtarët e NDSH-së.

Në luftimet e datës 8 gusht të vitit 1946, kundër forcave të ushtrisë jugosllave kanë rënë në altarin e lirisë në malet e Bilushës:

Isuf Muharremi, nga Petrova e Shtimes.

Fejzullah Emin Saraçi, nga Vushtrria.

Zeqir Beqiri,  nga Gjurkoci i Shtimes.

Janë plagosur rëndë, Ahmet Shipoli, Sadri Duhla, e disa të tjerë.

Nuk kishin arritur të tërhiqeshin trupat e Fejzullah Saraçit, as të Isuf Muharremit. Predha armike Beqë Zeqirit të Gjurkocit ia kishte shkurtuar dy këmbët e njërën dorë dhe të gjithë e dinin për të vdekur, por ai ishte kapur gjallë dhe më pas forcat jugosllave e kishin varrosur në varrezat e qytetit. Plagë të rënda kishte marrë Sadri Duhla të cilin e kishte tërhequr duke e bartur  mbi supe, Mustafë Kadri Beba, Rexhep Salih Rexha, Qerim Ali Gashi  e të tjerë. Disa luftëtarë i kishin tërhequr të plagosurit e tjerë.

Hajdar Muharremi nuk e kishte parë vëllanë, Isufin  që kishte  rënë, meqë nuk kishin qenë afër. Nga tollovia e krijuar si pasojë e breshërisë së pandërprerë të armëve armike shumica e luftëtarëve ishin  tërhequr ashtu si kishin  munduar pa pasur kohë të shikonin prapa, pasi nuk e njihnin as terrenin dhe mund të tërhiqeshin në drejtim të gabuar.

 …

Muharrem  Azem Hysenaj nga fshati Petrovë kishte lënë katër bijë: Isufin, Ademin, Hajdarin dhe Shabanin.

Isuf Muharrem Hysenaj nga fshati Petrovë me  bashkëshorten, Azize Emini nga Reçaku  lindën e rritën pesë bijë: Bajrushin, Ramadanin, Emrushin, Xhemajlin dhe Muharremin, i cili jeton në Gostivar.  Vëllai i tij Hajdari, ( 1909 1979)  pas përpjekjes së pasuksesshme  për të depërtuar në Shqipëri, me formacionin e NDSH-së,  në gusht të vitit 1946, kur edhe bie vëllai i tij Isufi, ishte kthyer në shtëpi, por pa vonuar ishte arrestuar nga oficerët e OZN-së. Regjimi jugosllav e kishte  dënuar 12 vjet burg si pjesëtar të NDSH-së. Hajdari  ka lënë djalin, Islamin, i cili ka vdekur  dhe bijën e vetme  Mihanën.

Në vitin 1982, nipi i Isuf Muharremit, Isufi, që mbanë emrin e gjyshit, është arrestuar  dhe ishte dënuar dy vjet burg për aktivitete antijugosllave, ndërsa Agimi  Sadiku, Isufi, Raifi, Muhameti, Basriu dhe Agim Hysenaj, kanë marrë pjesë në protestat e viteve 90-të dhe janë dënuar e persekutuar  nga regjimi jugosllav.

Në kohën e luftës së  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga kjo familje atdhetare kanë marrë pjesë në radhët e çlirimtarëve: Agim Hysenaj, Muhamet Hysenaj,  Ejup Hysenaj, Bekim Hysenaj dhe Fadil Hysenaj.

Literatura:

Ahmet Qeriqi: Luftëtarë të NDSH-së I(1944-1950).

Ahmet Qeriqi: Luftëtarë të NDSH-së II (1944-1950).

Sabile Keçmezi-Basha: Hasan Remniku me shokë dhe veprimtaria e tyre atdhetare). (RKL, 2. 2. 2016)

Muhamet Pirraku, Për kauzën shqiptare, 1997-1999, Prishtinë 2000, f. 110).

Aliriza Selmani:  VEPRIMTARIA PATRIOTIKE KOMBËTARE E NDSH-së NË VISET E ANAMORAVËS, botuar më 8. 1. 2017.

Ky shkrim është hartuar në saje të shënimeve që i disponon autori, nga luftëtarët e NDSH-së, derisa kanë qenë gjallë:

Mustafë Kadri Beba,

Sadri Sahit Çatani, (Sadri Duhla),

Bajrush Zuka,

Ahmet Salih Rexha,

Islam Salih Rexha…

 

Të dhënat për familjen i ka kompletuar dhe ia ka vënë në disponim  autorit të shkrimit, Agim Bajrush Hysenaj, nipi i Isuf Muharremit nga fshati Petrovë i komunës së Shtimes.

 

Ahmet Qeriqi

Shtime

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Naim Imeri sot herët është larguar në rrugëtimin e tij të përhershëm nëpër Blinajë. Elezi …