Kleriku atdhetar, Luigj Bumçi u lind në Shkodër, në vitin 1872 në një familje të moçme qytetare. Ishte i biri i Gjon Bumçit dhe i së motrës të Pashko Vasës. Mësimet e para i nxuri pranë Scuola tecnica commerciale e hapur nga jezuitët për familjet tregtare. I ati e dërgon në Durrës për çështje tregtare, kësodore kaloi mosha e rregullave jezuite për meshtari – urdhër ku i riu Luigj donte të ndiqte studimet në Seminar. Në sajë të ndërhyrjes së bërë nga kardinali Ledokovski me anë të një letre dërguar Guerinit arqip. i Shkodrës, pranohet në Seminarin Papnor më 17 gusht 1898. Kreu mësimet e filozofisë dhe teologjisë më 3 maj 1903 u shugurua meshtar, gjatë kohës së një qëndrimi të shkurtër në Romë.
Shërbeu ndër fshatrat Shkrel, Pentar, Juban dhe mandej në Shkodër. Më 10 dhjetor 1911 u shugurue ipeshkëv i Lezhës me qendër në Kallmet. Më 1911 qe anëtar i misionit për marrëveshjen midis malësorëve e qeverisë turke, duke shërbyer si ndërmjetës me diktim të Imzot Serreqit. Shkruajti memorandume tok me Fishtën dhe Dodën për autonominë e Shqipërisë. Kujtimet rreth kësaj ngjarjeje do t’i botoheshin tek organi i shtypit françeskan “Hylli i Dritës”. Për gjendjen e Malcís bashkëpunoi me Gurakuqin e me gjithë patriotët e aktivizuar në këtë kryengritje.
Mori pjesë në Kongresin e Durrësit, përzgjidhet ministër pa portofol në qeverinë e Turhan pashës dhe përtej qershorit të 1919 si kryetar i Dërgatës në Konferencën e Paqes në Versajë, Paris. Mbajti fjalimin e pergatitun nga Fishta “Të drejtat e Shqipnisë etnike” dhe shkruan “Mëvetësinë e tanësinë tokësore e Shqypnisë mbrenda kufijve ethnikë e respektim i të drejtave syprane të kombit shqyptar”. Në dhjetor ndërhyri pranë Papa Benediktit XV që Korça e Gjirokastra mos t’i shkëputeshin Shqipnisë siç e kishin planifikuar mes vetes Italia me Greqinë në paktin Tittoni-Venizelos, të nënshkruar në qershor të 1919 – gjatë periudhës tetor-dhjetor përpjekjet e tij me kontaktet e ndryshme në kler e politikë ku has edhe në tollovinë e dërgatave të ndryshme shqiptare[3]. Deklaroi bujshëm para autoriteteve të huaja, se «… me muslimanët jena vllazën». Lobingu i tij gëzoi mbështetje të fortë nga dërgata e Stambollit e prirë nga Halil pashë Alizoti, Fuat bej Dibra dhe Jul Bonati. Mori pjesë gjithashtu në Kongresin e Lushnjës, u zgjodh si përfaqësues i elementit katolik në Këshillin e Naltë të Regjencës së bashku me Aqif pashë Biçakun, Abdi bej Toptanin dhe Mihal Turtullin.
Përdori tërë ndikimin e tij për të bërë të mundur që Gurakuqi të zgjidhej në zgjedhjet e prillit 1921. Bashkë me Aqif pashën dhe figura tjera të politikës së kohës organizojnë grushtin e shtetit në javën e parë të dhjetorit 1921 me bindjen se u bë për të shpëtuar kombin, lëvizje që shtrëngon kryeministrin, Pandeli Evangjeli të japë dorëheqjen. Lirohet nga detyra në Këshillin e Naltë më 22 dhjetor, dëbohet nga qeveria e kohës prej kësaj pjesëmarrjeje dhe zëvendësohet nga Ndoc Pistulli në Regjencë. Jeton në mërgim nga 1922 gjer më 1924 – kohë kur i digjet edhe shtëpia[1]. Kthehet në atdhe dhe kujdeset për mbarëvajtjen e ipeshkvisë së tij prej të cilës do jepte dorëheqjen më dt. 1 shtator 1943. Vdiq më 1 mars të vitit 1945, në kohën kur regjimi komunist kishte filluar fushatën kundër klerit katolik duke e akuzuar pëpr bashkëpunim me fashizmin. Nuk ka qenë i arresuar por disa hetë është marrë në pyetje dhe kjo konsiderohet se ishte e rënë për moshën e tij të pleqërisë. Para kufomës së ipeshkvit fjalimin mortor e mbajti, Pjetër Meshkalla. Trupi i tij i varros në kishën e Kallmetit.