Luksi, korrupsioni e veturat e shtrenjta përballë varfërisë

 


Diferencat sociale në Kosovë dita-ditës po thellohen dhe po degjenerojnë drejt krijimit të një shoqërie me kundërthënie zhvillimore tejet të shprehura dhe shumë rrezikshme për të ardhmen e vendit.
Nëse para luftës në Kosovë diferencat e llogaritura në mesataren e të pasurve dhe të varfërve mund të kenë qenë 1 me 10 apo 1 me 20, aktualisht këto diferenca në mes të varfërve të këputur dhe të pasurve shqiptarë, në Kosovën e pas luftës, mund të jenë 1 me 100 apo edhe 1 me 200, ndërsa në raste të veçanta me dallime shumëfish më të shprehura.
Raportet e Bankës Botërore dhe të organizatave ndërkombëtare që përcjellin nivelin e varfërisë në botë kanë bërë të ditur se 17 për qind e familjeve të popullatës së Kosovës jeton me të ardhura nën një euro në ditë, në nivelin e varfërisë ekstreme, ndërsa 45 për qind e popullatës jeton në nivelin e varfërisë. Edhe pse nuk kemi fakte për të dyshuar në raportet e ekspertëve të Bankës Botërore, por qe se i bëjmë një analizë sipërfaqësore gjendjes së përgjithshme sociale, që mbretëron në Kosovë, do të bindemi se e vërteta është edhe më e hidhur sesa paraqitet në këtë raport, sidomos sa i përket kategorisë së familjeve të evidentuar në nivelin e varfërisë së skajshme.
17 përqindëshi i të varfërve që jeton nën një dollar në ditë është shumëfish më i shprehur, sepse në këtë kategori hyjnë edhe punëtorët e arsimit, të papunët, pjesa më e madhe e fshatarësisë së vendit, familjet e pensionistëve, të invalidëve të punës, invalidëve të luftës, familjet e dëshmorëve, të martirëve, veteranëve dhe kategori të tjera. Shumica e familjeve të këtyre kategorive, që përbëjnë 80 % të popullatës në Kosovë nuk arrijnë të realizojnë një euro në ditë, meqë familjet e varfra të Kosovës jetojnë në bashkësi prej 6 deri në 12 anëtarë të familjes, dhe jo në pak në raste edhe më me shumë anëtarë. Për të realizuar të ardhura në vlerë një euro në ditë për familjen prej tetë anëtarëve duhet rreth 240 euro në muaj, ndërsa për familjen me 6 anëtarë duhen 180 euro në muaj. Kjo shumë nuk arrihet me shumën që aktualisht ndahet për familjet e evidentuara si raste sociale, as për kategoritë e përmendura.
Ngado që analizohet gjendja sociale në Kosovë, arrihet në përfundim se kriza sociale po thellohet në mënyrë drastike, se pakënaqësia sociale një ditë do të shpërthejë vrullshëm dhe stuhishëm dhe fare lehtë mund të pritet një shpërthim jo edhe aq i befasishëm i revoltave, të cilat nuk do të ketë forcë që do të mund t’i pengojë.
Aktualisht, qeveritarët dhe liderët e partive politike po arrijnë ta mbajnë deri diku nën kontroll pakënaqësinë dhe revoltat e mundshme, duke e gënjyer popullin, gjoja me aktivitetet që po zhvillohen për statusin politik të Kosovës. Është kjo një e vërtetë e hidhur në këtë mes, meqë shumica e të varfërve të Kosovës, shpreson mbase edhe mendon me gjithë mend se pas zgjidhjes së statusit të Kosovës gjendja e tyre sociale përnjëherë do të përmirësohet. Janë të shumtë politikanët, analistët dhe gazetarët që përhapin këtë lloj opiumi te masat e gjera, për qëllime që janë fare të tejdukshme.
Krizën e rëndë shoqërore, hendekun e pabarazisë dhe të urrejtjes po e thellon edhe një segment i qeveritarëve, të cilët jetojnë në luks e pse jo edhe në degjenerim të skajshëm, në kohën kur rreth 400.000 banorë të Kosovës jetojnë në nivelin e varfërisë ekstreme. Dallimet marramendëse në mes shumë të varfërve dhe shumë të pasurve në Kosovë janë të një natyre tejet specifike dhe në shumë raste na përkujtojnë ngjashmërinë e gjendjes sociale të njëjtë me disa vende të varfra të Azisë, të Afrikës dhe të Amerikës latine. Në të njëjtën lagje në Prishtinë jetojnë çifte pensionistësh që marrin 80 euro në muaj, ndërsa familjet aty afër marrin apo fitojnë 6.000 deri në 8.000 euro në muaj. Ndodh që ballë për ballë jetojnë dy familje me diferenca në të ardhura 1 me 100. Mund të evidentohen dallime të tilla në të gjitha qytetet e Kosovës.
Një gjendje e tillë, me thellim rapid të diferencave, bëhet edhe më e padurueshme, kur këto shtresa njerëzish të varfër deri në palcë shohin e lexojnë se si një kryetar i Kuvendit blen veturë në vlerë afër 300.000 euro. Dhe si për çudi, aq shumë merret opinioni me këtë dhe vetura të tilla të shtrenjta, të cilat sikur i mbulojnë me vello të trashë e të padukshme fitimet dhjetëfish më të mëdha të disa zyrtarëve nga tenderet, nga tregtia me naftë, nga tregtia me drogë, e me çka jo. Nuk është sot në Kosovë ndonjë precedent blerja e një veture të tillë nga një prej qindra zyrtarëve të rangut të lartë, me të cilët aq bukur është “stolisur” Kosova. Janë edhe shumë të tjerë, që favoret e tyre i vjelin në mënyra ndër më të ndryshmet, më të palejueshmet dhe më të ulëtat. Ende në vendin tonë ekziston fenomeni i reketit, fenomeni i plaçkitjes me maskë në kokë, apo fenomeni i frikësimit të viktimës për motive ndër më të ndryshmet. Dhe kjo gjendje tashmë duket krejtësisht “normale”, sepse sistemi shoqëror kapitalist, që po instalohet në Kosovë, po funksionon mbi këto marifete, mbi këtë logjikë të përfitimit dhe të pasurimit. Nuk ka më “socializëm të dështuar”, nuk ka më program social të nivelit të trajtimit ekzistencial, nuk ka më pasuri të përgjithshme shoqërore apo shtetërore, e cila ka mbajtur mbi kurriz programin social të nivelit me një barazi të dukshme sociale. Të gjitha këto tashmë i përkasin të kaluarës, ndërsa te ne në Kosovë i përkasin kohës së pushtimit dhe kolonializmit serb.
Pabarazia e theksuar sociale në Kosovë dita-ditës po thellohet, ndërsa ato që dikur i kemi mësuar si antagonizma klasore, mos të mendojmë se i përkasin vetëm zhargonit të filozofisë marksiste leniniste, apo një kohe tashmë të perënduar. Këto kundërthënie zhvillimore, ky hendek gjithnjë e më i thellë në mes shumë të varfërve dhe shumë të pasurve, doemos se një ditë do të ndeshet në arenë, ashtu sikur janë ndeshur dhe do të vazhdojnë të ndeshen kudo këto dy klasë, me forma e metoda ndër më të ndryshmet. A. Q.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …