Ndonëse fushata zgjedhore zyrtarisht ka nisur të mërkurën më 3 shkurt 2021, partitë politike ka tash e sa javë që kanë nisur takimet me simpatizantët e tyre nëpër komuna. E duke pasur parasysh situatën me pandeminë dhe pavarësisht dënimeve nga ana e Inspektoratit, ajo çfarë kemi parë deri më sot është se subjektet politike nuk janë duke i kushtuar rëndësi shëndetit të qytetarëve, duke u grumbulluar kështu në masë të madhe pa i respektuar masat antiCOVID-19 që janë në fuqi. Lidhur me këtë ka folur mikrobiologu Lul Raka, duke e konsideruar shqetësuese. Ai ka thënë se grumbullimi i njerëzve në tubime partiake pa respektim të masave parandaluese, mund të jetë katalizator i fuqishëm, i përhapjes së rasteve të reja me COVID-19. Raka ka shtuar se qasja e tillë është e papranueshme dhe kërcënon shëndetin e qytetarëve, duke shtuar se liderët politikë duhet ta kenë të qartë që jeta e simpatizantëve të tyre është më e vlefshme sesa vota e tyre.
