Lulëzim ETEMAJ: Trilogjia “GJERGJAT NË DRITA PËRKRENARESH”, e shkrimtarit Avni Dehari

Lulëzim ETEMAJ: Trilogjia “GJERGJAT NË DRITA PËRKRENARESH”, e shkrimtarit Avni Dehari

Dragoi“, “Udhëkryqi”, “Flakadanët e lirisë“, janë romanet për fëmijë, të cilat autori Avni Dehari i ka përmbledhur në kuadër të trilogjisë me titull “Gjergjat në drita përkrenaresh”, të botuar nga Shtëpia Botuese “Orfeu”, këtë vit, në Prishtinë.

Siç mund të paramendohet edhe nga titulli i trilogjisë, boshti i saj është ndërtuar mbi figurën e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti. Koha që nga lindja gjerë tek vdekja e Kryetrimit, ky është çarku kohor i shtrirë së trilogjisë.

Në librin e parë, lexuesit, përmes rrëfimit të urtë të autorit, të pasur me shprehje dhe lehtë të kuptueshëm, të shoqëruar gjithsesi herë-herë edhe me tone epike e në raste të caktuara edhe me figurshmëri dhe ngjyresë të lehtë mitike, njihen me rrethanat e lindjes së Gjergj Kastriotit, të fundit prej katër djemve; Shini (Stanishi), Rrapi (Reposhi) dhe Konstandini si dhe 4 vajzave: Maria (Mara), Elina (Angjelina), Valka (Vllajka) dhe Vila (Mamica), që kishin Gjon Kastrioti, princi i Arbërisë, dhe Vojsa, siç e pagëzon artistikisht autori princeshën, Vojsava Kastrioti.

E, rrethanat e kohës, si familjare ashtu dhe ato të përgjithshme, në Arbëri, flisnin për gjithçka tjetër më tepër se sa për një fëmijëri, rini dhe jetë normale të Gjergj Kastriotit, i lindur më 6 maj 1405 në Dibër.

Përmes rrëfimit të mbushur përplot dramë, ku dhimbja dhe krenaria, si e prindërve dhe e motrave, e shokëve, rrethit të Gjergjit ashtu dhe e princave e komandantëve besnik të Gjon Kastriotit, sikur bëjnë luftë kokë më kokë mes vete, se cila po ngadhënjen mbi tjetrën, për të dalë në fund fitimtare dhe kthyer në forcë ndjenja e krenarisë për sakrificën që po bëhej për Arbërinë, duke e dërguar Gjergjin, në moshën 16 vjeçare, së bashku me tre vëllezërit e tij, peng në oborrin e Sulltan Muratit të II-të në Adrianopojë pas thyerjes që kishte pësuar prej tij Gjon Kastrioti, në vitin 1421.

22 vitet e qëndrimit të Gjergjit në Adrianopojë, përkatësisht jeta e tij, studimet për artin ushtarak si dhe stërvitja ushtarake e tij, fitoret e korrura në betejat në Azi si dhe Titulli “Skënderbej”, që i ndanë Sulltan Murati i II-të në shenjë mirënjohjeje për fitoret e arritura, e dominojnë rrëfimin e Deharit për Gjergj Kastriotin, të sjellë në librin e dytë “Udhëkryqi”.

“Udhëkryqi”, me të drejtë u paraqitet lexuesve nga autori si një udhëkryq i vërtetë, madje shumëdimensional. Në këtë udhëkryq na shfaqet me tone të larta dramatike jo vetëm e ardhmja e Gjergj Kastriotit, por, pas likuidimit të tre vëllezërve të tij nga ana e Sulltanit, edhe vetë jeta e Gjergjit.

E, për ta bërë më të plotë dramën historike, në ndërkohë atij i vdesin edhe babai, Gjoni dhe e ëma Vojsa, ndërsa në udhëkryq të paparashikueshëm ndodhet edhe vetë Arbëria, fati dhe e ardhmja e saj.

Lidhja e fuqishme me Arbërinë, të cilën Gjergjit ia kishte forcuar edhe më tej, pas largimit nga Arbëria, babai Gjoni, edhe përmes dërgimit të emisarëve të posaçëm për t’iu ndodhur pranë, fëmijëria, lojërat, shokët, ngrohtësia dhe gëzimi i familjes, përbëjnë një mori faktorësh psikologjik shtesë, të gërshetuar bukur edhe në libër nga autori Avni Dehari, të cilat ia ushqejnë dhe ruajnë të freskët, të pavyshkur, sikur ulliri, që e ruan gjithnjë të freskët blerimin, të cilin Gjergji së bashku me shokët e mbjellë në shpat, pranë murit të Kalasë së Krujës, para se të nisej për Turqi, e të cilit Gjeloshi i Kamanit madje ia vë emrin “Ulliri i Gjergjit”, kujtimin, shpresën dhe ëndrrën për t’u kthyer në Arbërinë e tij që e donte mbi gjithçka. Dhe, Arbërinë, Gjergji s’e donte dosido.

E donte të lirë. Të pavarur nga Sulltani dhe perandoria osmane.Rruga e kthimit në Arbëri, së bashku me 300 kalorës dhe ushtarë besnik, shpalosja e ndjenjave dhe emocioneve të tij të përjetuara si dhe marrja në dorëzim nga turqit të Kalasë dhe qytetit të Krujës, rrëfehet nga Dehari në librin e tretë, “Flakadanët e lirisë”. Jemi në vitin 1443. Tashmë Arbëria, me Gjergjin e kthyer në Krujë, kthim përmes të cilit Gjergji po përmbushte edhe një nga dëshirat dhe synimet kryesore si të tija ashtu dhe të babait, Gjonit, nënës Vojsës, motrës së shtrenjtë Manë, porosia e të cilëve jo vetëm që nuk i shqitej nga koka ditën, gjatë stërvitjes me shpatë, heshtë e mburojë, apo në fushëbeteja, i shfaqej edhe natën në ëndërr, po merrte frymë më lirë.

Qyteti i Krujës përjeton tri sulme të fuqishme nga ushtria osmane. Dy herë nga Murati i II-të dhe djali i tij Mehmeti dhe një herë nga ushtria e gjeneralit Evrenoz Pashës. Por Kruja nuk bie. Ushtria osmane në të tri rastet numëronte 100 mijë ushtarë. Nuk ra Kalaja e Krujës dhe as qyteti, falë trimërisë, organizimit dhe strategjisë ushtarake të Gjergj Kastriotit, komandantëve dhe bashkëluftëtarëve të tij.

Pjesë e librit të tretë është edhe përjetimi i fuqishëm, i dominuar nga epizmi, që Dehari i falë lexuesit përmes rrëfimit të tij kur e përshkruan artistikisht bukur atmosferën që e dominon mbajtjen e Lidhjes Kombëtare Arbërore, më 2 mars 1444, në kishën e Shën Kollit në Lezhë, të inicuar nga Gjergj Kastrioti, të princërve dhe fisnikëve shqiptarë, burra të mendjes dhe shpatës si Gjergj Arianiti, Andrea Topia me të nipin Tanushin, Gjon Muzaka, Lekë Zaharia, Gjergj Stres Balsha, vëllezërit Nikollë dhe Pal Dukagjini, Teodor Muzaka, Lekë Zaharia, Pjetërr Spani dhe burra tjerë të Arbërisë. Lapidar na paraqitet edhe fjalimi i Gjergj Kastriotit, që e mbanë në kuvend rreth domosdoshmërisë për t’u lidhë me besa-besë me njëri- tjetrin, për të bërë ushtrinë e përbashkët të rregullt, që do ta ruante të pa pushtuar Arbërinë.

“ I parë midis të barabartëve, burra! Me ju, në paqe, me ju në luftë! Faqebardhë për Arbërinë!”, janë fjalët me të cilat Gjergj Kastrioti ju drejtohet të pranishmëve, burra të kuvendeve dhe të shpatës, përmes të cilave autori shpalos dhe lartëson virtyte të larta si respektin, dashurinë dhe barabarësinë që kryetrimi, tashmë i zgjedhur si drejtues dhe komandant i ushtrisë së Arbërit, ndjenë ndaj bashkëluftëtarëve të tij.

Si rezultat i Besëlidhjes së Lezhës, bashkimit të parë të madh të shqiptarëve kundër një pushtuesi, nga 30 betejat që zhvilloi Gjergj Kastrioti, u fituan 29, kurse u humb vetëm 1, ajo e Beratit si pasojë e tradhtisë.

Është përmbyllje e natyrshme, brenda frymës kastriote, përmbyllja e librit, me të edhe të trilogjisë, që i bën autori përmes sjelljes së tregimit të thuprave dhe porosisë që përçonte Gjergji kur po jepte frymën e fundit, jo vetëm për princërit dhe bashkëluftëtarët arbërorë, që po i rrinin tek koka, por edhe për gjeneratat e tëra të shqiptarëve liridashës: vetëm bashkimi i hap rrugën pathyeshmërisë dhe fitores. Përçarja, veç thyerjes dhe humbjes, asgjë tjetër nuk mund të sjellë.

Duke i rrëfyer natyrshëm faktet historike dhe letrarizuar ato, përmes figurave të shumta artistike, fjalëve dhe shprehjeve të përzgjedhura, madje herë pas here të vjelura me kujdes edhe nga thesari ynë i pasur i krahinarizmave, autori ia arrin ta bëjë shumë konkrete, të prekshme për lexuesit, Epokën e Motit të Madh, të kryetrimit të Arbërisë, Shqipërisë së të gjitha kohërave, Gjergj Kastriotit- Skënderbeut.

Si rrjedhojë logjike, krahas njohurive të fituara historike, ndjenjës së kënaqësisë, që të dhurojnë librat që lexohen me një frymë, kategori në të cilën ia ka siguruar vendin trilogjisë së tij “Gjergjat në drita përkrenaresh”, autori Avni Dehari, lexuesi, jo vetëm i riu, por dhe ai i të gjitha moshave, pas leximit do ta ndjejë pulsimin më të fuqishëm të ndjenjës së krenarisë kombëtare dhe respektit ndaj të kaluarës së lavdishme historike, posaçërisht ndaj kryetrimit, Heroit tonë Kombëtar- Gjergj Kastriotit.

Përmes kësaj trilogjie, shkrimtari Avni Deharit, lexuesve iu ka bërë një nga dhuratat më të bukura të mundshme në Vitin e Gjergj Kastriotit, siç është shpallur ky vit në nderim të 550 vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar – përkrenares së Shqipërisë dhe shqiptarizmës.

Hyrjes së trilogjisë, i shkon përshtati përkushtimi atëror, mbushur me dashuri, i autorit, për të bijtë e humbur në rrethana të errëta. Ndërsa ia lëndon lehtë përmbajtjen dhe frymën e përbashkimit, besëlidhëse, puhiza partiake, të cilës sikur nuk ka mundur t’i shpëtojë ky përkushtim, falë rrethanave të kohës, dhimbjes që e ka goditur.

 

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …