Menjëherë pas rënies së bombave të para të Aleancës Veriatlantike mbi caqet serbe të vendosura në skuatat pothuajse më të fshehta të Anadrint, këmbësoria kriminele fillon aksionet e veta, si e tërbuar për shkak të humbjeve që i pësonte nga sulmet e njëpasnjëshme të Brigadës 124 “Gani Paçarizi”, që gjatë atyre ditëve të marsit vepronte prej “Urës së Fshajt” të Anadrinit deri te “Ura e Landavicës”. Me veprime të veta të karakterit ofansiv dhe defansive shkatërronte lëvizjen e lirë të bandave serboçetnike përgjatë aksit të magjistrales së vetme të Anadrinit dhe nëpër rrugët lokale e arterie rrugore përreth Prizrenit, Gjakovës dhe Rahovecit.
Pothuajse në çdo lug të Anadrinit që çonte në drejtimin prej aksit të magjistrales Prizren-Gjakovë në drejtim të Malishevës, luftëtarët e lirisë qëndronin të pathyeshëm në pozicionet e veta të formuara përgjatë harkut mbrojtës rrëzë Zatriqit, Shkozës, Grapit, Arave të Fangut e Biraçit, ose prej Bjeshkëve të Kocnikut, në Rahavec, e deri në Biraç të Therandës e së andejmi kah bjeshkët e Budakovës.
Banorët e fshatrave të Anadrinit, gjatë atyre ditëve kishin dy gëzime të mëdha: aktivizimin e forcave ajrore të NATO-s, nga njëra anë, dhe pritja e kurban-Bajramit, në anën tjetër. Dita e parë e pranverës dukej e qetë pothuajse në të gjitha vendbanimet e Anadrinit dhe të Hasit, mirëpo pas datës 24 mars, shumëçka ndryshoi sepse sa më shumë që përpiqeshin forcat serbe për ta ngushtuar rrethin, sa rrëzë Pashtrikut, ku vepronte Brigada 126 e Hasit, aq këtej Drinit të Bardhë, ku vepronin brigadat 123 e Therandës, 125 e Prizrenit dhe 124 “Gani Paçarizi” e Rahovecit e për arritjen e objektivave të luftëtarëve të lirisë në kodrinat përreth fshatit Qëndresë, jo larg Retisë dhe Mamushës, përjatësohen Rexhepët e Qëndresës: Lulëzim Rexhepi, i vëllai i dëshmorit Fetah Osman Rexhepi, axhë i dëshmorëve Osman e Nuhi Rexhepi.
Dëshmori i kombit Lulëzim Rexhepi është i lindur më 4 maj të vitit 1964 në fshatin Qëndresë (ish-Randubravë) të Anadrinit, rrethi i Prizrenit. Xha Osmani ishte një bujk i varfër i fshatit, por vreshtar i vyeshëm dhe burrë i shquar për vendosmëri dhe gatishmëri që përherë t’i qëndrojë gati dhe përballë dhunës që ushtronte pushteti serb. Modelet e atilla të dhunës e të torturave për të cilat kishin prirje barbarët serbë, e kishte sajuar gjatë luftës së fundit botërore ku kishte qenë luftëtar, ku ishte plagosur disa herë dhe ishte zënë rob, prandaj edhe kishte mjaft njohuri për luftën dhe marifetet shizofrene tipike për racën karpatoide. Por plagët e asaj lufte, i plagosur tri herë rëndë, nga njëra anë, punët e vështira bujqësore dhe skamja në anën tjetër, ia rrëmbyen jetën Osman Rexhepit dhe kështu vëllezërit Rexhepi, bri “Lugut të Qëndresës”, herët mbetën pa të anë. Nëna Zymrit, bijë e Gashëve të Leshanit, kishte dëshirë të madhe t’i shkollojë të bijtë, prandaj Lulëzimi, pasi mbaroi shkollën fillore në vendlindje, regjistrohet në Shkollën e Mesme Teknike “Gani Qafdërbasha” të Prizrenit, Dega e Makinerisë dhe përpiqej që të aftësohet për hidroteknik. Asokohe , si në Prizren, veçanërisht në teknikumin e përmendur, ashtu edhe në fshatin Qëndresë kishte filluar vlimi i ngjarjeve të mëdha, organizimeve të formave të ndryshme kundër dhunës të makinerisë serbe të instaluar në këto troje. Lulëzim Rexhepi, në fshat i bashkohet grupit të Nait Hasanit, ndërsa në Prizren vepron së bashku me “Djemtë e Tuszusit”. Pas arrestimit dhe burgosjes të Nait Hasanit nga Qëndresa, të Nait Thaçit nga Retia e të veprimtarëve të tjerë të Anadrinit, policia serbe i bjen në gjurmë edhe Lulëzim Rexhepit, të cilin e zë dhe e dënon me gjashtë muaj burg dhe këtë e vuajti në Burgun e Prizrenit. Edhe këtu Lulëzimi frymëzohet prej të burgosurve të shumtë që vuanin dënimin në burgun e Prizrenit, e që atyre ditëve vlente për kazermat ndër më të rrezikshmit në Kosovë, mirëpo këtu Lulëzimi nuk thyhet shpirtërisht por, përkundrazi forcohet dhe përgaditet për një rezistencë me armë në dorë.
Menjëherë pas daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Drenicë, Lulëzimi synon të shkojë në fushëbetejat e Drenicës, por sipas këshillës së shokëve nga fshati heroik, kyçet në grupin ilegal të vendlindjes dhe vepron në sektorin e logjistikës, ndërsa me shtrirjen e formacioneve të Komandantit Legjendar Adem Jashari, në fshatrat e Anadrinit, u bashkohet të rinjve të fshatit Qëndresë, Grupit të Afrim Haradinit. Kështu, “Luli” me të gjithë Rexhepët e Qëndresës, merr pjesë në të gjitha luftimet prej majit të vitit 1998 e deri në ditën e përjetësisë, më 26 mars të vitit 1999. Pas Betejës së Rahavecit, luftëtari i lirisë Lulëzim Rexhepi, sot dëshmor i kombit, i bashkohet Batalionit të Rahavecit me të cilin komandonte Xhelal Hajda-Toni. Me këtë batalion, në saje të gatishmërisë së pashoqe dhe sistemimit adekuat në harmoni me konfiguracionin e terrenit, nëpër lugshtajat e buta të Anadrinit, Lulëzimi u qëndroi forcave serbe në Betejën e Izbishtit, ndërsa pas rënies së Xhelal Hajdës, vepron në kompaninë e Qëndresës me të cilën komandonte Fatmir Dushaku. Por, në fundmarsin e vitit 1999, në harkun mbrojtës ndërmjet “Bajdolleve” dhe “Gërçillës” përjetësohet me amanetin që bashkëshortja Dritë t’ia rrisë të bijtë: Shqipëronin dhe Shqipdonën. Shqipëroni e Shqipdona, bijë dëshmori, motër e vëlla, bonjakë që rriten në prehrin e gjyshes Zymritë, sot janë nxënës të shkëlqyeshëm dhe po rriten me krenarinë për të anë dhe për mixhallarët e përjetësuar në betejat e Gërçillës së Qëndresës e për qëndresën heroike të Rexhepëve të Qëndresës do të flitet djalë pas djali e do të ruhen legjendat për “Lugun e Rexhepëve”.
Sot eshtrat e dëshmorit të kombit Lulëzim Rexhepi pushojnë në “Kopshtin e Dëshmorëve” të fshatit Qëndresë, në lapidrin e të cilit janë skalitur emrat e të gjithë Atyre që ranë gjatë luftimeve përreth Qëndresës, Nagacit, Hoçës së Vogël, Brestosit, Krushës së Vogël e Retisë. (S. C.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …