Lulëzim Shaip Guta (28.3.1980 - 28.9.1998)

Lulëzim Shaip Guta (28.3.1980 – 28.9.1998)

Lulëzim Guta u lind më 28 mars të vitit 1980, në Therandë (ish-Suharekë), në një familje me tradita intelektuale e patriotike. Shkollën fillore e kreu në Therandë, ndërsa të mesmen në Prizren, dega e mjekësisë së përgjithshme.

Në bankat e shkollës fillore, Lulëzimi ishte nxënës shembullor, me mësime e sjellje. Në vitin 1994/95 vazhdon mësimet në shkollën e mesme të Mjekësisë në Prizren. Edhe aty tregoi sukses në mësime.

Ishte i sinqert dhe me të gjitha virtytet e mira të një të riu të edukuar mirë. Për herë të parë kur filluan krismat e para për liri, Lulëzimin e gjetën të gatshëm për t’ju bashkuar luftës çlirimtare.

Familja e Lulzimit ishte përparimtare dhe intelektuale. Babai, Shaipi kishte punuar në arsim dhe është veteran i arsimit si dhe pjesmarrës i demonstratave më 1968, 1981, 1989, 1990.

Prindërit e Lulzimit, Shaipi dhe Elhamja mburren dhe janë krenarë me idetë dhe veprën e të birit Lulëzimit. Mburren me guximin dhe trimërinë që në moshën 18 – vjeçare ra dëshmor për vendin e vet. Gjithashtu edhe nëna e Lulëzimit është mësimdhënëse.

Në korrik të vitit 1998, Lulëzimi me një vullnet të madh u kyç në radhët e UÇK-së. Banorët e Jezercit, krahas shumë të rinjve që ishin rekrutuar në radhët e UÇK-së, ishin mobilizuar me të gjitha forcat në shërbim të atdheut. Ata u morën së bashku me ushtarët, në rregullimin dhe ndërtimin e sistemit mbrojtës të kanalizimit dhe bunkerizimit të pozicioneve, të furnizimit me gjëra të ndryshme ushqimore, të dhënies së mjeteve të punës në dispozicion të nevojave të ushtrisë dhe përgatitjes së bukës për luftëtarët e lirisë.

Organizimi i tillë ushtarak ishte treguar shumë i efekshëm, sepse pas hyrjes së forcave të UÇK -së në Jezerc, sulmet e pushtuesit serb, ishin të vazhdueshme, por falë guximit, trimërisë dhe vetëmohimit të çlirimtarëve, forcat armike asnjëherë nuk arritën t’i mposhtin luftëtarët e lirisë.

Duke parë qëndresën stoike të luftëtarve tanë, armiku e kishte të qartë se nuk mund të depërtonte lehtë në territorin e lirë të Jezercit, prandaj vendosi të mobilizonte forca të mëdha ushtarake policore si dhe tekniken e tij më moderne dhe armatimin modern.

Pushtuesit serbë, nga data 25-28 shtator 1998 filluan një ofensivë të fortë kundër forcave të UÇK -së. Aso kohe Jezerci ishte i rrethuar në tre rrathë prej forcave armike. Fillimisht sulmet serbe filluan prej granatimeve të ashpra prej vendpozicioneve të ndryshme, si nga bashkimi i lumenjve, nga “Maja e Buqes” nga “Podi i Gështenjave” dhe nga pishat e Shtimes, e nga Duhla, nga “Antena” që gjendej mbi fshatin Jezerc, pastaj nga pozicionet serbe të fshatit Sushicë, prej Livadheve të Burrnikut, prej Semajes, staneve të Doganit, nga “Ujësjellsi i Pleshinës” dhe nga kazerma ushtarake e Ferizajt.

Në këto kushte, i gjithë efektivi ushtarak i Nënzonës Operative të Neredimes, në bashkëveprim me komandën e Kaçanikut ishte i mobilizuar si asnjëherë më parë në luftë kundër forcave serbe.

Pas sulmeve me armë të artilerisë së rëndë, forcat serbe filluan të sulmojnë edhe me këmbësori, e cila mbështetej me makineri dhe teknikë të sofistikuar luftarake. Kështu që, më 27 dhe 28 shtator, forcat serbe me këmbësori dhe teknikë luftarake sulmuan nga drejtimi i Neredimës, pikat 1 dhe 2 nga drejtimi i Dremjakut dhe Mollopolcit. Forcat e këmbësorisë sulmuan drejt pikës 3 nga drejtimi i Budakovës dhe antenës mbi Jezerc. Me këmbësori dhe teknikë të rëndë luftarake u sulmua pika 6. Këto luftime të ashpra në mes forcave të UÇK-së dhe atyre serbe, u zhvilluan deri në momentin kur arsenali luftarak i forcave tona ishte shpenzuar dhe luftëtarët tanë nuk kishin me çfarë të luftonim.

Në një gjendje të tillë, shtabi i Nënëzonës Operative të Neredimës, komanda për Ferizaj dhe Kaçanik, vendosi të vërë në zbatim planin etërheqjes taktike, i cili parashihte që të gjithë ushtarët, nga pikat mbrojtëse të tërhiqeshin duke marrë me vete edhe popullatën civile, me të cilën do te depërtonin në drejtim të barakave të rojeve të pyllit, që gjendëshin në thellësi të fshatit. Prej ata duhej të lëviznin në drejtim të maleve të Sharanikut.

28 shtatori i vitit 1998, ishte dita e zhvillimit të një beteje të përgjakshme. Efektivi ushtarak i Nënzonës, i përbërë prej 400 ushtarësh dhe i pajisur me armatim të lehtë, luftonte kundër një ushtrie me mijëra militarë. Në këto luftime të përgjakshme, forcat armike pësuan humbje të mëdha në njerëz dhe në teknikë luftarake.

Armiku kishte njoftuar se në këto luftime ishin vrarë militarët: Nebojsha Jeftiq (30) nga Obrenovci, Sasha Simeunoviq (29), prej Beogradit, Zhelko Joviqiq (32) nga Sopoti. Këto dëshmi të cilat i ka pranuar armiku gjinden në librin “Zloçini Albanskih terorista 1995 – 1998”, “Jedinstvo”, Prishtinë, janar 1999.

Nga goditjet e luftëtarëve tanë në pikat mbrojtëse 1, 2, 3 dhe 6 u vranë me dhjetëra pjesëtarë të forcave armike dhe u plagosën shumë të tjerë.

Në këtë betejë të ashpër, në pikën e pestë mbrojtëse, bie ushtari Lulëzim Guta, si dhe bashkëluftëtarët e tij: Arsim Zeqiri dhe Sali Baliu, në pikën e Gjashtë, Gursel Sylejmani, në pikën e Tretë, Sejdi Sejdiu, Bashkim Vishi dhe Nazim Terziu në pikën e Dytë, Bajram Sylejmani dhe Kemajl Hetemi në pikën e Parë. Ndërsa, plagosen Daut Ilazi dhe Islam Hasaj. Nga radha e popullatës civile humbën jetën dy të moshuar, njëri prej tyre i paralizuar, i cili u ekzekutua, ndërsa tjetrin serbët e dogjën në shtëpinë e tij.

Pllaka përkujtimore për dëshmorin Lulëzim Guta është ngritur në Jezerc, në vendin e rënies, ndërsa trupi i tij pushon në varrezat e Dëshmorëve në Ferizaj. Familjes së tij i është ndarë mirënjohje nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës dhe nga Shtabi i Zonës. Lulëzimi pas vetes la babanë, Shaipin, nënën, Elhamen dhe vëllezërit: Zenelin e Ilirin. (H. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …