Luljeta Ademi ka lindur më 26.04.1987 në Prishtinë, Kosovë. Ështe balerinë që nga viti 2000. Luljeta është pjesë e gjeneratës së parë të balerinëve të shkolluar pas luftës në Kosovë dhe është njëra ndër solistet e para të Trupës së Baletit te Kosovës. Përveç baletit ajo mëson edhe gjeneratat e reja të fëmijëve ku mban mësim në studion e baletit Pirouette dhe në British School në Prishtinë. Shkollën e mesme e përfundoi në Prishtinë në Shkollën e Muzikës “Prenk Jakova”, dega balet. Ka përfunduar edhe fakultetin e pedagogjisë në Universitetin e Prishtinës në vitin 2009. Ajo e ka filluar baletin që në moshën 14 vjeçare dhe ka 20 vite që kërcen në profesionin e baletit. Në vitin 2002 u bë pjesë e Baletit Kombetar teë Kosovës. Është pjesëmarrëse në 40 shfaqje të kësaj trupe. Shfaqja e parë ka qenë “Trancion 2”. Në shfaqjen “Bukuroshja e fjetur” dhe “Carmen” në vitin 2009-2010 me koreografi të Sylvia Tomova, Luljeta Ademi u bë e njohur për performancën e saj spektakolare ku edhe pati rolin kryesor. Luljeta Ademi ka patur rolin solistik në shumë shfaqje si Zhizel, Othelo, Dasma, Shehrazade, La Sylphide, Sisters, Don Kishoti, etj. Gjithashtu ka patur rolin kryesor në shfaqet e njohura: Bukuroshja e fjetur, Carmen, La file mal gardée dhe Stravinsky & Ravel. Në vitin 2014 ka performuar me trupën e baletit në Napoli, Itali me premierën Shehrazade dhe në vitin 2018 me shfaqen Zhizel në Bullgari.
Kur u bëtë pjesë e Baletit Kombëtar të Kosovës? Si e konsideroni pjesëmarrjen tuaj në BLK?
Luljeta Ademi: Pjesë e baletit të Kosovës u bëra në vitin 2001. Pjesëmarrjen time në trupën e baletit e konsinderoj me fat që jam pjesë e saj pasi që kjo trupë është formuar pas luftës dhe me të gjitha vështirësitë e saj ka arritur të ketë një trupë profesioniste dhe të suksesshme, gjithmonë duke ju falenderuar profesorit tonë të ndjerë Ahmet Brahimaj, i cili bëri gjithçka që kjo trupë të ketë suksesin që e kemi.
Mund të na tregoni më tepër për shfaqen “Pushimi i Kalorsëve”? Cila është historia dhe roli juaj në këtë shfaqe?
Luljeta Ademi: Shfaqja “Pushimi i Kalorësve” është një shfaqje e baletit klasik që është punuar në mars të vitit 2020. Po pë fat të keq për shkak të situatës së Kovidit-19 nuk ka patur mundësi të reprizohet më shumë se dy herë. Po shpresojmë që do të kthehet së shpejti në repertorin e baletit të Kosovës. Roli im në këtë shfaqje ka qenë një vajzë e cila lufton me shoqen e saj pë të fituar dashurinë e të njëjtit burrë dhe kur e humbi ajo fillon e filtron me gjeneralin dhe kalorësit e tjerë.
Si e përshkruani jetën e një balerine në Kosovë?
Luljeta Ademi: Në kohën kur kam filluar baletin ka qenë vështirë sepse ishte periudha pas luftës dhe me iniciativë të profesorit tonë të ndjerë i cili dha gjithçka nga vetja e vet vetëm që baleti të ngritet dhe të avancohet nga dita në ditë. Mendoj që është privilegj të jesh balerinë në Kosovë ku ne jemi të vetmit balerinë që ka Kosova. Mirëpo kushtet nuk janë të mira dhe ne vazhdojmë ende të punojmë në këto kushte me shpresë që një ditë do të rregullohen dhe shteti do të punojë në këtë drejtim.
Çfarë është baleti për ju?
Luljeta Ademi: Baleti për mua është vetë jeta ime, sepse 70% të jetës ja kushtoj baletit ushtrimeve, provave, angazhimeve që i kam me fëmijet e vegjël. Nuk do e shihja veten në ndonjë profesion tjetër perveç baletit.
Ku jeni përgatitur si balerin?
Luljeta Ademi: Si balerinë kam përfunduar shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, dega balet dhe përgaditjet e mija kanë qenë gjithmonë në teatrin kombëtar me profesorin Ahmet si dhe bashkpunimi me koreograf të ndryshëm.
Si e përshkruani stilin tuaj dhe çfarë lloj vallëzimi ju pëlqen?
Luljeta Ademi: Mendoj që në baletin klasik e gjej veten më shumë. Por edhe në baletin modern neoklasik. Por më shumë më pëlqen baleti klasik sepse është i veçantë, ka rregullat e veta dhe e bën një balerinë të duket mirë në skenë në mënyrën më perfekte të mundshme.
Për cilin mentor ose profesor të baletit ruani kujtimet më të mira?
Luljeta Ademi: Profesori Ahmet ka qenë njeriu që vazhdimisht edhe pas përfundimit të shkollës dhe deri në momentet e fundit ai gjithmonë më ka motivuar. Ka qenë udhërrëfyes, profesor; ka qenë si prind për mua. Dhe sa të jetoj nuk do e harroj. Do të mundohem gjithmonë të jap më të mirën e mundshme nga vetja ime ashtu si edhe na ka mësuar profesor Ahmeti që mos të dorëzohemi asniëherë edhe përkundër sfidave që jeta na sjell. Jam me fat që në jetën time kam njohur një njeri me vlera njerëzore dhe me të gjitha virtyet që i ka poseduar profesori Ahmet. Gjithmonë falenderuese për të gjitha që ka bërë për mua dhe baletin e Kosovës.
A keni luajtur rolin kryesor në ndonjë shfaqe?
Luljeta Ademi: Shfaqjet që kam pasur rolin kryesor janë: Bukuroshja e fjetur, Carmen, La file mal gardée, Stravinsky & Ravel. Ndërsa role solistike në shume shfaqje si Zhizel, Othelo, Dasma, Shehrazade, La Sylphide, Sisters, Don Kishoti e shumë shfaqje te tjera.
Cilat momente do veçonit në performanca jashtë vendit? Si ju kanë pritur?
Luljeta Ademi: Gjithmonë secili prezantim para publikut jashtë vendit ka pas rëndësi për mua. Mirëpo do të veçoja premierën Shehrazade, të cilën e kemi pregaditur një muaj në Prishtinë dhe premiera ka qenë në Napoli të Italisë. Ka qenë një emocion i veçantë dhe me shfaqjen Zhizel në Sveti Vllas të Bullgarisë ku ka qenë për herë të parë prezentimi jonë me shfaqje klasike. Dhe gjithmonë publiku i ka mirëpritur shfaqjet tona kudo që kemi qenë.
Çfarë konsideroni si arritjet e juaja me të cilat krenoheni në karrierën tuaj?
Luljeta Ademi: Për çdo shfaqje jam krenare me veten time,dhe kontributi im nuk ka qenë vetëm si balerinë por edhe si profesoreshe e baletit për 5 vite dhe kam dhënë kontribut edhe në avancimin e gjeneratave të reja të cilat tashmë janë pjesë e baletit të Kosovës.
Me cilën shfaqe po angazhoheni tani?
Luljeta Ademi: Për momentin jemi në përfundim të premierës së re “Entre dos Aguas” dhe “Troy Game” ku jemi në prag të premierës e cila do të jetë me 15 prill dhe gjithçka po shkon mirë. Shpresojmë që do të japim më të mirën nga vetja secili balerin, që shfaqja të dalë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Përveç baletit, çfarë tjetër ju pëlqen?
Luljeta Ademi: Përveç baletit që na merr shumë kohë ne nuk kemi kohë të mjaftueshme për gjëra të tjera. Kohën e lirë mundohem t’ja kushtoj djalit tim Narit dhe ndërkohë mundohem të gjej kohë të lirë dhe të bëj ndonjë udhëtim.
Cilat janë ëndrrat e tua?
Luljeta Ademi: Ëndrra ime ështe që të krijohet Shkolla Kombëtare e Baletit në Kosovë sepse ne nuk e kemi. Fatkeqësisht shteti nuk është duke punuar aspak në këtë drejtim. Duhet të kemi dhe shtëpinë tonë Teatrin e Operas dhe Baletit, si dhe balerinë të performojnë në një teater më të mirë dhe me hapësirë dhe kushte të cilat i meritojmë ne si trupë. Kjo ëndërr ka qenë edhe e profesorit tonë të ndjerë, Prof. Ahemti, i cili shkoi nga kjo botë duke mos iu realizuar kjo dëshirë. Shpresojmë që të kemi përkrahjen e duhur që një ditë të realizohen për të mirë të kulturës dhe artit në Kosovë.
Intervistoi E.B., Nju Jork