(Recension për vëllimin poetik “Lëkundje lavjerrësish”, 2020, të autorit Mehdi Krasniqi)
Të shfletosh librin me poezi të Mehdi Krasniqit “ Lëkundje lavjerrësish” dhe të përfshihesh në jehonën shpirtërore dhe filozofike që përcjell me vargjet dhe tonet e forta të figuracionit dhe mesazheve realiste, padyshim se është një përpjekje e duhur. Një zgjedhje e bukur mes dilemash dhe alternativash, nga dita jote, nga koha në dispozicion, duke dashur të përfitosh diçka të vyer, e cila në fund të fundit të shmang përtesën dhe monotoninë e çastit dhe të jep një ndjesi të veçantë.
Eshtë si të shfletosh dhimbjen e kohës, të asaj që jetojmë, në raport me atë që kemi pritur dhe ëndërruar, me dilemat, mundësitë dhe shpresëthyerjen e mundshme në të ardhmen. Poezi me tharm të nxehtë, protestë që gati sa nuk thyen metrikën dhe çastin poetik, simbolikë e qëlluar dhe metafora befasuese, të cilat ta shfaqin lakuriq tablonë e realitetit aktual, absurdin mes vlerave dhe asaj çfarë shitet si e tillë, në tregun socialkulturor dhe në dritëhijet ekonomike që e kanë ndarë keqazi dhe aq padrejtësisht një shoqëri, që gjithsesi duhej të ishte ndryshe.
Në ciklin e parë të librit “Trillime” fati dhe dilema e atdheut paralelizohet me fatin e shtëpisë pa çelës të poetit, e cila për hatër e “ha vetveten” dhe kurrë fjalën e tij me peshë apo mendimin e thellë intelektual, në të mirë të vendit të tij, të një shtëpie që mundësisht as nuk shitet, as nuk blihet. Ashtu si atdheu i dashur dhe i shtrenjtë, për të cilin duhet t’i përtypësh kockat tua dhe të mos ua dorëzosh armiqve si lukuni pas porte që mezi presin ta shqyejnë, si qentë e uritur në gjurmët e borës…
Poeti, i cili dikur pa u menduar aspak veshi rrobat e luftës dhe rroku armët për lirinë e shumëpritur, tash ironikisht ndjen dënimet e partisë, të llaskucëve politikë, krahasuar me xhelatë politikë, të cilët pa ndalesë shkëpusin copa nga trupi i lodhur dhe i etur për ringjallje komplekse të atdheut, duke e shndërruar atë në një ”lëndinë të pashkelur tashmë, rrethuar politikisht”… Një thundër e rëndë dhe e pistë prej pseudoluftëtarëve dhe patriotëve falsë, që çdo ditë po ia marrin frymën dhe po e mbysin hapësirën e lirisë, deri aty sa autori shpeshherë lutet në vdekjen e shpejtë të politikanëve të tillë,në emër të frymëmarrjes së nevojshme të lirisë për Kosovën:
“Pis pas pisi
po e pështyjnë
lirinë në fytyrë” (Poezia “Thundra”)
Metafora e hajnisë dhe dhimbja ulëritëse e atdheut, simbolizuar në ndarjen mes protestuesve të pafajshëm dhe darkëngrënësve mishpjekur shprehet qartë dhe në mënyrë domethënëse në këto vargje:
“Ah, dreqin bre
kanë rënë ujqërit
n’qytet
dhe…
po lehin si qen
S’lanë kë pa e gërrithur
as kafshuar
Tinëz. (Poezia “Hidhërim”)
“Mbretërit mbledhur në tryezë
në periferi të kryeqytetit
hanin mish dallëndysheje
pinin konjak
dhe luanin pishpirik
Atdheu në mes protestuesish
dhe darkëngrënësve mishpjekur.” (Poezia “Protestë”)
Kryefjala në ciklin e dytë me titull “Kohë kalimtare” mbetet po liria, Krasniqi perifrazon se liria mbetet gjithmonë vetëm e atyre që nuk e lënë atë ta shkelin me këmbë:
“…kurrë s’i shkova dy ditë të lumtura sikur ta kisha shtëpinë a zyrën ngrehur mbi varre
apo gjysmën e vetes mëkat
…sepse jashtë dëgjohen të bien
daulle cubash
S’jam as unë që dua
armëpushim
se nuk fal gjë nga liria ime
për asnjë çmim” (Poezia “Luftë shtrigash”)
Heshtja e vdekshme, gjendja pezull, mosshikimi kah perspektiva dhe zhvillimi me të tjerët, që po ngjishen pas përparimit të shoqërisë, e pezmaton pafundësisht poetin, plagët sociale ja mprehin shqisat dhe klith në vargje etja për vetëdijësim, kurajo dhe bashkim, vetë poeti identifikon çdo dashuri të mundshme të momentit, me dashurinë për flamurin kombëtar dhe idealin atdhetar. Po nuk ka thirrje të rëndomta, shtirje gjoja patriotike, ekzaltime apo amplifikime politike apo tjetërsoj. Thellësia dhe kthjelltësia e njohjes së çastit historik të vendit dhe kuptimësia objektive e drejtimit dhe kahjes së zhvillimit të tij, pasqyrohen qartë dhe në mënyrë delikate perpara lexuesit, përmes lojës së rafinuar” poetike, ku padyshim spikat gjetja dhe detaji, alternuar me strukturën solide të mesazhit, i cili i rri natyrshëm rimës së vargut:
qielli u vra
fryu erë e fortë
dhe pikë shiu nuk ra
Kryekurva e qytetit
në urën mbi lumë
përkundi në djep një kopil të murrmë dhe i këndoi ninulla morali
Kalimtarët i hodhën në prehër
para të majme” (Poezia “Përgojim”)
Poezia me titull ”Datëlindja e keqe” është ilustrimi më i spikatur i prirjes së poetit për të dëshmuar angazhimin e tij të qënësishëm si qytetar i republikës së re, si rojtar i parimeve morale të ngritjes dhe ekzistencës së saj, si kontribues i një shoqërie me frymë të re, e cila me mund dhe sakrifica duhet ngritur mbi gërmadha të politikave dhe politikanëve të vjetër, fshehur pas imazheve të rreme të luftës dhe statujave të heronjve”shpesh të harruar” në heshtjen e bronztë të tyre…
Qenin në prehër,
babanë në shtëpi të pleqve!
Kundërnjeriu,
pjellë e nëmur!.” (Poezia “Kohë e keqe”)
Në poezinë vazhduese “Letër mikut tim” kategorinë pushtuese të mëkatarëve të dhunshëm të atdheut, poeti i dërgon në theqafjen metaforike të humbësve, duke apeluar triumfin e fitimtarëve të varfër, por të ndershëm, të cilët do të pijnë ujin e parajsës së
merituar. Dy cikle me theks të spikatur bashkëkohor, ku pesha e fjalës poetike, mbart suksesshëm peshën e mesazhit filozofik dhe apelit poetik, përshkruan vendin që duhet ta ketë sot krijuesi si frymëzues i matur dhe i pjekur për adhuruesit dhe ndjekësit e tij, ata njerëzit e thjeshtë, qytetarët e ditës, bashkëvuajtësit dhe të dashuruarit me larinë, e cila meriton hapësirën e kërkuar.
Në ciklet “Imazhe të pabëra” dhe “Kujtesë”, që fare mirë mund të shkriheshin në një, poeti ndihet më i qetë, më i matur, më me besim, duke personifikuar të ardhmen e shpresuar të atdheut dhe vetvetes, nën dritën e qashtër të lirisë, sjell prej mbartësve të vërtetë të saj:
“Komandant
tash të ka hije vargu
dhe kënga e lirisë
lum ti që asnjë vdekje
s’të rroket për trupi” (Poezia “Komandant Plaku”)
Vargjet kanë frymëmarrje tjetër, një tis i hollë shprese dhe optimizmi sikur shuan efektet e para të ironisë therëse poetike, ndoshta deri në sarkazëm dhe notat e buta dhe të këndshme si fllad i lehtë dashurie, e bëjnë këtë pjesë të librit si një oazë gjithëpërfshirëse, si një urë mes të shkuarës dhe të sotmes, me sy të hapur kah e ardhmja e ndritshme:
“ S’hesht kurrë fjala jote
është prej zemre të pathyeshme
prej gjaku që s’u fal
s’u shit
as shkel kurrë” (Poezia “Komandant Plaku”)
Dashuria si ndjenjë i fal lexuesit nga pena e autorit përjetime interesante, krejt origjinale, fakti që autori është gjithë kohën i drejtëpërdrejtë, lë shkas për ta shijuar çdo qelizë të memories poetike të këtij zhanri, vargu i goditur dhe latuar si një mur, nga një mjeshtër i vëmendshëm dhe pasionant, vjen i ngrohtë si një këngë, të cilën mund të murmurisësh gjithë kohën me vete:
“Pika terri pikuan nga qielli
kur ti çave rrethimin e zemrës sime
Kohë e pritshme
anipse e shpërputhshme
Druaj për fatin tënd
sa herë ikën nga e pamundura” (Poezia “Ikje”)
Në pjesën ”Dashuri e gdhendur në asht jete” një poemth i qëlluar dhe marramendës, si një vallëzim i purpurt nën dritën e hënës, shpirti i poetit sjell nota të harlisura të nostalgjisë, por gjithsesi me lëng jetësor dhe romantikë të bukur:
“ Yllnesha ime
një ditë domosdo do të vdesim të dy
as zemrat
as fjalët
as puthjet s’do të mund t’i marrim
ato nuk i zë vrima kah hyn e del shpirti
Një ditë,
jo larg
përmallimi do të çelë vuajtje asgjëja do të mbetet e papjekur fidan i parritur” (Poezia “Të dua”)
Mehdi Krasniqi është një krjues serioz, në kuptimin se rrok tematikën e kohës, kap dimensione realiste të saj, poezia e tij ka nerv dhe energji, ngacmon, shpesh edhe nervozon nga devijimet e saj. Ajo nuk është diçka e brishtë, kalimtare dhe e harrueshme, përkundrazi qëllon aty ku duhet dhe mbetet shumë prej saj tek lexuesi i vëmendshëm dhe i trajnuar për një poezi që tenton të apelojë dhe zgjojë ndjesi të fjetura. Metafora e përdorur mbetet një cilësi e cila i jep ritëm dhe ngjyrë vargut, struktura e të cilit i ngjan një ndërtese me arkitekturë harmonike, ndërsa po merr formën e skicuar në frymëzimin e projektuesit të saj, aliazh poetit që përpiqet të shfletojë dhimbjen e kohës…