Kërkesa për themelimin e Universitetit në Kosovë ishte edhe kërkesë e lëvizjeve patriotike të kohës që vepronin në ilegalitet dhe në kërkesat dhe programet e tyre kërkonin ngritjen politike e kulturore arsimore të Kosovës. Ndryshimet që ndodhën në Plenumin e Brioneve në vitin 1966, krijuan rrethana më të favorshme për një zhvillim të gjithanshëm te shqiptarët e Kosovës, pas ndërprerjeve të veprimeve kriminale ndaj gjithë asaj që ishte shqiptare që ndalonte politika kriminale e Rankoviqit. Një rol të rëndësishëm dhe të pamohueshëm në zhvillimin e përgjithshëm të arsimit në Kosovë, ishte edhe hapja e më shumë shkollave të mesme dhe fillore pas viteve 1966. Në këtë kohë për herë të parë nga intelektualët shqiptarë të Kosovës fillojnë që të bëhen përgatitjet për hartimin e planeve e programeve shkollore në Kosovë.
Në shumë raste u morën modele nga Shqipëria. Në këtë kohë në Kosovë filluan të botohen edhe shumë libra shkollorë, letrarë dhe historikë, të rëndësishëm për historinë kombëtare shqiptare. Ky zhvillim i hovshëm e bëri domosdoshmëri edhe shkuarjen më përpara me zhvillimin dhe ngritjen e arsimit të lartë. Kështu, në disa fakultete filluan disa mësimdhënës të ligjërojnë edhe në gjuhën shqipe, sidomos pas viteve 1968. Në këto vite, në Kosovë, filloi edhe një ndërtim i paparë më parë i shumë shkollave në të gjitha viset e Kosovës. Në këtë kohë edhe shumë intelektualë shqiptarë filluan që para organeve të pushtetit të kërkojnë themelimin e Universitetit të Kosovës.
Në këtë kohë në kuadër të Kuvendit të Kosovës vepronte një Dhomë që merrej me probleme të zhvillimit dhe të mbikëqyrjes së arsimit, që gjatë këtyre viteve kishte bërë shumë ndryshime të rëndësishme në fushën e arsimimit të popullsisë shqiptare, me ç’rast, përveç ndërtimit të shumë shkollave të mesme dhe fillore, në këtë kohë, sa i përket botimit të librave të autorëve shqiptarë e atyre botërorë e jugosllavë në gjuhën shqipe ishte shumë i madh dhe shumë i rëndësishëm. Në këto vite, sa i përket arsimit dhe zhvillimit të gjithëmbarshëm të kulturës, ishin vitet më të rëndësishme për shqiptarët, ku për herë të parë filluan të pagëzohen shumë shkolla me emra të personaliteteve të shquara të historisë dhe të kulturës së popullit shqiptar, etj. Kuvendi i KSA të Kosovës në mbledhjen e ndarë të Dhomës Krahinore dhe të Dhomës Arsimore Kulturore, në mbledhjen e udhëhequr nga kryetari Rexhai Surroi, më 18 nëntor 1969, miraton ligjin më të rëndësishëm deri atëherë për ngritjen e zhvillimin e arsimit dhe të dijes në Kosovë në rrethana të reja politike që u krijuan në Krahinë. Pas nxjerrjes së Ligjit Kushtetues të KSA të Kosovës, që edhe për fushën e arsimit, autonomia kishte ngritje në detyrat dhe të drejtat e saj që parashihnin në këto nene: 21, 22, 23, 24, 25, 26 dhe 27 të Ligjit Kushtetues të miratuara nga Kuvendi i Kosovës. Ligji për themelimin e Universitetit, në nenin 3 të tij, theksohej se të gjitha punët për të filluar punën duhet të përfundojnë në afatin e paraparë me ligj. Universiteti i Prishtinës do të fillojë punën jo më vonë se më 15 shkurt të vitit 1970.
Në ligj parashihej që mjetet financiare të siguronte për këtë institucion nga Bashkësia Krahinore e Arsimit të Kosovës. Është me rëndësi të theksojmë se ligji përcaktonte në mënyrë të drejtë edhe përfshirjen e të gjitha fakulteteve dhe të shkollave të larta në Kosovë, që deri në atë kohë ishin në kuadër të Universitetit të Beogradi,t të kalojnë në ditën e fillimit të punës në kuadër të Universitetit të Prishtinës, fletorja zyrtare e KSAK nr. 33 (neni 3). Në kuadër të Universitetit të Prishtinës hyn Fakulteti Filozofik, Fakulteti Juridik-Ekonomik dhe Fakulteti Teknik në Prishtinë. Këto fakultete nuk do të jenë më në kuadër të Universitetit të Beogradit. Më 12 shkurt 1970, pas përgatitjeve të duhura të Këshillit përgatitor të Universitetit, ku në këtë këshill merrnin pjesë shumë intelektualë shqiptarë të kohës, por kishte edhe të nacionaliteteve të tjera, në një takim që zhvilluan në Komitetin Krahinor, e njoftuan kryetarin e tij se punët ishin kryer dhe vendosën që më 13 shkurt të vitit 1970, të mbahet Kuvendi i parë i Universitetit të Prishtinës, pasi që të gjitha përgatitjet ishin bërë në afatin që kishte paraparë edhe ligji, që ishte nxjerrë për themelimin e Universitetit. Kuvendi historik për arsimin në Kosovë dhe i pari i Universitetit të Prishtinës, u mbajt më 13 shkurt të vitit 1970, në lokalet e Fakultetit Filozofik në Prishtinë. Për formimin dhe zhvillimin normal të fakulteteve në Krahinë, si dhe për bashkimin e tyre në kuadër të Universitetit të Prishtinës.
Në kuvendin e parë u zgjodhën edhe organet drejtuese të Universitetit nga kuvendi i parë. Me votimin e delegatëve u zgjodh rektori dhe dy prorektorë. Rektor i këtij institucioni më të lartë arsimor e shkencor të Kosovës u zgjodh prof. dr. Dervish Rozhaja. Me pjesëmarrjen e ish-strukturave politike të Krahinës dhe rektorët e shumicës së universiteteve nga qendrat e tjera jugosllave, në sallën solemne të Kuvendit Krahinor, më 15 shkurt 1970, fillon mbledhja solemne e Kuvendit të Universitetit të Prishtinës. Mbledhjen solemne e hapi rektori i Universitetit të Prishtinës, Dervish Rozhaja, i cili theksoi se Universiteti në Prishtinë do të japë dritë, shkencë e kulturë për të gjithë qytetarët që jetojnë në Krahinën Autonome të Kosovës dhe një perspektivë të sigurt të zhvillimit të institucioneve të larta arsimore në Kosovë. Konstituimi i Universitetit është pasojë logjike e zhvillimit të fuqishëm ekonomik shoqëror, arsimor e kulturor i zhvillimit të Kosovës[1]. Hapja e fakulteteve tjera dhe rritja në studime në gjuhën shqipe ishte shumë e rëndësishme për popullin shqiptar që kishte përballuar tri dekada të Pasluftës me një ndalesë të shkollimit, e sidomos atë të lartë. Në diskutime për rëndësinë e themelimit të Universitetit kishin marrë pjesë edhe shumë diskutues, që folën për rëndësinë e tij, për zhvillimin e shkencës.
Nga kjo kohë, Prishtina filloi të bëhet qendër e studimit për të gjithë shqiptarët që jetonin në territoret shqiptare që i administronte Jugosllavia, si: në Maqedoni, Mal të Zi, Serbi etj. Gazeta “Rilindja” e 13 shkurtit 1970 shkruante se “edhe punëtorët dhe nxënësit e fshatarët, studentët, profesorët, doktorët e shkencave, intelektualë, nuk mund të frenonin entuziazmin, nuk mund të flisnin pa pasion për Universitetin tonë”. Kështu e përshkruanin gëzimin e të gjithëve për hapjen dhe ngritjen e Prishtinës në një qendër të rëndësishme universitare. Krijimi i Universitetit të Prishtinës ishte jo vetëm rezultat i përpjekjeve të deritanishme të inteligjencies shqiptare, por edhe obligim për përpjekje të reja e tepër serioze për të ardhmen e Kosovës. Koha do të dëshmojë se kuadrot e dala nga ky Universitet do të jenë, përveç si bartës të zhvillimit të shkencës dhe të dijes, në momente më të rënda për historinë dhe fatin e shqiptarëve, por do të gjenden edhe në ballë të interesave kombëtare dhe do të jenë bartës të përgjegjësive historike të ndërtimit të interesave nacionale të shqiptarëve.