Lulzim Rafuna: Kosova rrezikon të humbasë mbi 60 milionë euro nga BE për shkak të krizës institucionale

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka paralajmëruar se mungesa e institucioneve funksionale po vë në rrezik përfitimin e fondeve të mëdha nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian, duke theksuar se Kosova është në prag të humbjes së një mundësie të rëndësishme financiare. Vonesat në ratifikimin e marrëveshjes me Komisionin Evropian po pengojnë përfitimin e 7 për qind të shumës së përgjithshme prej 880 milionë eurosh, që do të sillte mbi 60 milionë euro parafinancim për Kosovën. Mungesa e një Kuvendi funksional po ndikon direkt në pamundësinë e miratimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, duke bllokuar aksesin e Kosovës në fondet e BE-së. Këto mjete janë të nevojshme për investime kapitale dhe përmirësimin e standardit të jetesës, tha Rafuna. Kreu i OEK-ut shtoi se mungesa e qeverisë funksionale po ndikon edhe në zbatimin e projekteve të buxhetit të shtetit dhe po frenon ardhjen e investimeve të huaja. Nëse ky ngërç vazhdon, rrezikojmë që jo vetëm të humbasim fonde, por edhe të përballemi me ngadalësim të rritjes ekonomike në një kohë sfiduese për ekonominë globale, përfundoi Rafuna.

Kontrolloni gjithashtu

Mbi 200,000 pjesëmarrës në funeralin e Papa Françeskut

Më shumë se 200,000 persona pritet të marrin pjesë në funeralin e Papa Françeskut, ndërsa …